EXPRESS

“Express” në termin të rregullt e me pamje të re

Prej të hënës, pasditeve do t'u kthehet emisioni “Express” në terminin e rregullt me fillim në orën 16:30. Kronika, reportazhe dhe intervista do të sjellin përvojën e kësaj vere të pazakontë për artistët, krijuesit e ndryshëm dhe organizatorët e aktiviteteve kulturore e sociale.

“Do të ketë rrëfime për sfidat e pushimeve verore që si asnjëherë tjetër u zhvilluan nën ethet dhe frikën nga virusi. Për distancën sociale dhe udhëtimet e kufizuara”, ka thënë Mimoza Koprani-Muçaj teksa ka paralajmëruar materialet me të cilat nis “Expressi” në këtë sezon. “Do të ketë raportime për festivalet e shumta të organizuara e të anuluara, për krizën ekonomike që ka goditur komunitetin artistik, për kërkesën e artistëve që të shqyrtohet mundësia e rihapjes së teatrove dhe bibliotekave, si dhe shumë tema që lidhen me aktualitetin”.

Si çdo herë, “Express” përzgjedh të ftuarit në studio për temat e rëndësishme nga fushat si politika, arsimi, ekonomia, kultura e të tjera.

“Mos e humbisni ‘Expressin’, sepse po rikthehet me energji të reja dhe befasi të shumta”, ka thënë Koprani-Muçaj. Prej të hënës deri të premten prej orës 16:30 deri në 18:45 në “Express” shikuesit do të kenë lajme, sport, recetat e Lindës, argëtim me emisionin kulturor dhe me të rejat nga showbizzi vendor dhe ai ndërkombëtar. “Expressi” së shpejti vjen edhe me pamje të re të studios.