EXPRESS

Një lule për Bekim Fehmiun

Ish-kolegë, familjarë, adhurues të veprës së tij janë mbledhur për të nderuar figurën e aktorit që u bë pjesë e historisë së kinematografisë botërore. Prizrenasit të martën mbrëma kanë hedhur lule në Lumbardh duke kujtuar Bekim Fehmiun në dhjetëvjetorin e vdekjes.

“10 vjet pa Bekimin” është titulluar aktiviteti i organizuar nga festivali ndërkombëtar i filmit të shkurtër dhe dokumentar “DokuFest” dhe Komuna e Prizrenit. Të pranishmit, pas hedhjes së luleve aty, ku para një dekade rrjedha e lumit priti hirin e aktorit, janë zhvendosur në KEJ.

Aktori Xhevdet Doda ka lexuar disa paragrafë nga libri i Fehmiut “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”. Të pranishmit kanë dëgjuar se si aktori i lindur më 1 qershor 1936 ka përshkruar shtëpinë e fëmijërisë në Prizren.

Më pas ekrani është ndezur për filmin “Mbledhësi i puplave” nën regji të Aleksandar Petroviqit. Ky film i vitit 1967, që ishte fitues i çmimit “Grand Pri” në festivalin e Kanës, do t’ia hapte Fehmiut dyert e kinematografisë botërore. Më pas do të portretizonte Odiseun e shumë karaktere të tjera deri në Hollywood.

Drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari, ka thënë se e ndiejnë obligim që ta kujtojnë aktorin me nam botëror, transmeton KOHA.

Sipas tij, përvjetorët e Fehmiut duhet të jenë pjesë e agjendave institucionale.

Aktori Xhevdet Doda e ka përshkruar Fehmiun si një prej emblemave të kinematografisë. Ka kritikuar institucionet për qasjen ndaj figurës së Fehmiut e artit në përgjithësi.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytarher Haskuka, ka paralajmëruar se qyteti jugor do të ketë muze për Bekim Fehmiun, i cili luajti përkrah figurave të kinematografisë botërore.

Institucionet qendrore, përfshirë Ministrinë e Kulturës, nuk kanë organizuar asgjë për të kujtuar Fehmiun. Ministria sivjet nuk ka ndarë as çmimet për kinematografi në ditëlindjen e aktorit ashtu siç e përcakton Rregullorja.

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi pasditen e së martës nuk ka marrë pjesë në ngjarjen që i është kushtuar Fehmiut. E vetme ka hedhur lule mbi Lumbardh për të nderuar aktorin. Mosorganizimin e asnjë aktiviteti e ka arsyetuar me gjendjen e krijuar nga pandemia. Por Ministria, pavarësisht pandemisë, ka organizuar ceremoni të tjera.

Agon Fehmiu që është nip i aktorit ka falënderuar organizatorët e ngjarjes. Sa i përket mosorganizimit të ndonjë aktiviteti nga institucionet qendrore, ai ka thënë se nuk e komenton.

Me zhurmën e rrjedhës së lumit në sfond, të pranishmit kanë shikuar Fehmiun në rolin e Beli Borës, ku shitësi lokal i puplave dashurohet në një rome shumë më të re në moshë. Duartrokitjet kanë qenë të shpeshta buzë lumit, i cili përshkruhet edhe në kujtimet e aktorit.