Video

Kurti jep shenja të përçarjes së partisë në prag të zgjedhjeve lokale

Pa e zyrtarizuar asnjë emër të kandidatëve për kryetarë të komunave, lideri i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se synim i partisë është që të fitohet një pjesë e madhe e komunave pa balotazh. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, të dielën, Kurti ka dhënë sinjale se partia që ai drejton po përballet me përçarje të brendshme për shkak të emrave. Ai ka dërguar porosi që askush nuk mund të vetëshpallet kandidat, e edhe ata që do të udhëheqin me komuna nuk mund të qeverisin me miqtë e tyre

Ende pa u zyrtarizuar asnjë kandidat për kryetar komune në zgjedhjet lokale, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vënë në pah rrezikun e krisjes se raporteve të brendshme në parti për këtë çështje.

Në pjesën publike të mbledhjes se Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, të dielën, ai ka bërë të qartë që ende nuk është zyrtarizuar asnjë kandidat nga kjo parti për kryetar komune, ani pse në disa komuna, disa anëtarë të Vetëvendosjes janë vetëdeklaruar se do t’i prijnë kësaj gare.

“Fushatat negative duhet të ndalen, ashtu siç duhet të ndalen edhe vetëshpalljet apo vetëkandidimet, si dhe pretendimet që dikush ka mbështetje nga niveli i tretë apo nga Kryesia e Lëvizjes. Mbështetja jepet vetëm në mënyrë statutore, demokratike dhe institucionale, nuk është mbështetje një fotografi, apo një takim diku”, ka thënë Kurti.

E pavarësisht se kush mund të jetë kryetar në fund, sipas Kurtit, ata nuk do mund të qeverisin veç me miqtë e tyre.

“Aktivisti i Lëvizjes nuk duhet të jetë i lidhur me individin, por me idenë dhe programin. Aktivisti nuk duhet të kërkojë miqësinë me kryetarin, por miqësinë me qytetarin. Asnjë prej kryetarëve nuk ka për të qeverisur vetëm me miqtë e vet, e asnjë grup shoqëror nuk do të marrë në kontroll asnjë qendër apo asnjë komunë”, ka deklaruar ai.

Para se të merrte fjalën Kurti, delegati Ismajl Kurteshi propozoi që në këtë mbledhje të diskutohej edhe për zgjedhjet lokale.

“Propozimi im është që të shtohet edhe një pikë në rendin e ditës, ajo për zgjedhjet lokale, për shkak që jemi afër zgjedhjeve e do të duhej që të diskutohej edhe për këtë çështje”, ka thënë Kurteshi.

Kjo pikë është lënë të diskutohet në pjesën pa transmetim publik.

Pas disa orësh nga fillimi i mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, kjo parti përmes një komunikate për media ka njoftuar përfundimin e saj.

“Në pjesën e dytë të mbledhjes u raportua nga zyrtarët përgjegjës të Lëvizjes për: Raportin vjetor financiar të Lëvizjes Vetëvendosje! për vitin 2020; Raportin vjetor të punës së sekretariateve në Sekretariatin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje! për vitin 2020; Raportin vjetor të punës së Qendrave për vitin 2020; Raportin vjetor të punës së Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë për vitin 2020; Raportin e shpenzimeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në Besianë; Raportin e shpenzimeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në veri të Mitrovicës; Raportin e shpenzimeve për zgjedhjet e parakohshme qendrore të 14 shkurtit 2021”, thuhet në komunikatë.

Disa nga partitë politike kanë zyrtarizuar një pjesë të kandidatëve për kryetarë të komunave, përveç Lëvizjes Vetëvendosje.

Por Agim Bahtiri, kryetar i Mitrovicës, javë më parë ka thënë se “është i padiskutueshëm rikandidimi i tij për këtë pozitë”. E edhe disa anëtarë të tjerë të LVV-së anembanë Kosovës kanë vetëshpallur kandidaturat e tyre dhe kanë thënë se janë në pritje të partisë për konfirmime.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor.