Euro 2020

Tri betejat kryesore në finalen Itali–Angli

Italia luan kundër Anglisë në finalen e “Euro 2020” të dielën, ndërsa kërkimi i lavdisë do ta arrijë kulmin në “Wembley Stadium”.

Të dyja skuadrat janë kandidate serioze. “Azzurrët” janë pa humbje në 33 ndeshje, ndërsa “Tre Luanët” e kanë pësuar vetëm një gol në tërë turneun. Disa duele të lojtarëve me njëri-tjetrin mund të jenë vendimtare për fituesin e takimit.

Federico Chiesa kundër Luke Shaw

Luke Shaw ka qenë i jashtëzakonshëm me vrapimet nga e majta në këtë turne, sidomos kundër Gjermanisë dhe Ukrainës. Ka nëntë shanse të krijuara për gol, më së shumti tek Anglia. Të dielën, lojtari i Manchester Unitedit duhet të jetë në formën më të mirë defensive kundër Federico Chiesas.

Sulmuesi i Juventusit sjell energji dhe shpejtësi elektrike, pa e përmendur gjuajtjen e saktë – siç u demonstrua me dy golat e tij deri tani, ndaj Austrisë dhe Spanjës.

23-vjeçari ka treguar se është lojtar i ndeshjeve të mëdha në nivel klubesh, duke shënuar gola vendimtarë për Juventusin.

Giovanni di Lorenzo kundër Raheem Sterlingut

Kur Raheem Sterlingu po luante në gjysmëfinale të Kupës së Botës 2018 me Anglinë pasi e udhëhoqi Manchester Cityn drejt titullit të Premier Leagues me 18 gola, Giovanni Di Lorenzo – si debutues në Serie A në atë kohë – po e shikonte turneun nga vendlindja e tij Toskana.

Mbrojtësi i krahut të djathtë vetëm sa e kishte fituar inkuadrimin në Serie A me Empolin. Një vit më herët, ai luante me skuadrën e rangut të tretë të futbollit italian, Materan, ekip i qytetit spektakolar në jug i njohur si “Qyteti i Gurëve”.

Di Lorenzo e filloi turneun si pjesë e skuadrës, por ishte i padiskutueshëm që prej lëndimit të Alessandro Florenzit në ndeshjen hapëse kundër Turqisë dhe dhuroi paraqitje solide të njëpasnjëshme. Nata më e vështirë e tij ishte kundër Jeremy Doku, të riut të Belgjikës.

Jorginho kundër Mason Mountit

Jorginho dhe Mason Mount e njohin njëri-tjetrin pasi e fituan bashkë Ligën e Kampionëve me Chelsean vetëm gjashtë javë më parë. A u jep kjo avantazh? E vështirë të thuhet. Mount është i vetëdijshëm se loja e Italisë kalon nëpër këmbët dhe trurin e bashkëlojtarit nga “Stamford Bridge”, por Jorginho ka shumë respekt për 22-vjeçarin, të cilin e përshkruan si lojtar “gjithmonë në pozitën e duhur” dhe lojtar që “punon për gjithë ekipin”.

Ai e ka fituar admirimin e besimin e Southgatet dhe çdo përballje me Jorginhon prodhon luftë të fortë. Që të dy kërkojnë t’i bashkohen grupit të nëntë lojtarëve që më parë e kanë fituar Evropianin dhe Ligën e Kampionëve në të njëjtin vit.