Euro 2020

Anglia pa përkrahjen e tifozëve në çerekfinalen ndaj Ukrainës

Descriptive Text

Pasi tejkaloi rivalen historike, Gjermaninë, në 1/8 e finales të “Euro 2020”, përballja me Ukrainën në çerekfinale mund të duket dukshëm më e lehtë për Anglinë.

Megjithatë, rezulton se ndeshja çerekfinale që luhet të shtunën në stadiumin “Olimpico” në Romë prej orës 21:00, mund të jetë testi më i vështirë për Anglinë në Evropian. Kjo, për shkak se kjo është ndeshja e vetme që Anglia do të duhet ta luajë jashtë stadiumit “Wembley” në Londër. Për t’i bërë gjërat edhe më të komplikuara, qeveria italiane ka paralajmëruar në mënyrë të qartë se tifozët e Anglisë që do të udhëtojnë nga Britania, duhet detyrimisht t’i nënshtrohen izolimit për pesë ditë. Kështu që për një ekip si Anglia, që njihet edhe për mbështetësit e saj në ndeshjet në udhëtim, kjo është një goditje e madhe.

“Ne duhet të krijojmë atmosferën tonë në Romë, gjë që jemi në gjendje ta bëjmë. Kjo duhet të na motivojë për ta fituar ndeshjen, në mënyrë që të kthehemi në stadiumin tonë për gjysmëfinale”, insistoi portieri i Anglisë, Jordan Pickford.

Fituesi i kësaj çerekfinaleje do të përballet në gjysmëfinale me fituesin e duelit ndërmjet Danimarkës dhe Ukrainës, që gjithashtu zhvillohet të shtunën.

Gjysmëfinalet, por edhe finalja e “Euro 2020”, do të zhvillohen në Londër. Anglia katër ndeshjet e para të këtij turneu i ka luajtur në shtëpi, duke shënuar tri fitore e një barazim. Përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate, shpreson që ekipi i tij të jetë në gjendje ta fitojë edhe ndeshjen e parë dhe të vetme të “Euro 2020” që do ta luajë në udhëtim. Ai ka pranuar se dueli në Romë do të jetë një provë aspak e lehtë për Anglinë.

“Tani do ta kemi një provë tjetër dhe dukshëm më të vështirë. Duhet të shkojmë dhe të luajmë jashtë shtëpisë, të përballemi me një ekip të fortë dhe atë pa shumë tifozë anglezë në tribuna. Nuk do të jetë lehtë, por ne duhet të jemi të fokusuar dhe ta gjejmë energjinë për ta tejkaluar edhe këtë. Pra, të funksionojmë si ekip”, është shprehur Southgate. “Mendoj se e kemi parasysh që Ukraina ka një ekip shumë të mirë. Në fakt jam impresionuar me punën që e ka bërë Andriy Shevchenko. Kështu që nëse u lejojmë hapësirë ukrainasve, atëherë do t’i lejojmë të luajnë lojën e tyre dhe të na rrezikojnë nëpërmjet sulmuesve të rrezikshëm”.

Southgate gjithashtu ka bërë të ditur se ende nuk ka vendosur se me cilin sistem do të luajë, përkundër që mediumet angleze kanë raportuar se ai po synon të rreshtohet me katër mbrojtës. Në ndeshjen e fundit, ndaj Gjermanisë, Southgate luajti me tre mbrojtës për herë të parë që nga nëntori i vitit të shkuar.

“Është mjaft e vështirë, ndoshta për të dy ekipet, sepse si ne, ashtu edhe Ukraina, kemi luajtur me formacione të ndryshme në 1/8 e finales, me ukrainasit që gjithashtu luajtën me tre mbrojtës. Me këtë formacion ata morën një rezultat të mirë kundër Suedisë dhe Ukraina dukej një ekip tjetër prej atij të fazës së grupeve kur luajti me sistem tjetër. Pra, ne duhet të përgatitemi për çdo eventualitet”, shtoi Southgate.

Për dallim prej Anglisë, te Përfaqësuesja e Ukrainës ndeshjen në Romë e konsiderojnë si në shtëpi.

Përzgjedhësi i Ukrainës, Andriy Shevchenko ishte njëri prej sulmuesve më të mirë në Serie A gjatë kohës së tij si lojtar aktiv kur luante për skuadrën e Milanit. Ndërsa, asistenti i tij, Mauro Tassoti është nga Roma dhe karrierën si futbollist e ka nisur në stadiumin “Olimpico” me Lazion përpara se të ketë një karrierë të bujshme te Milani, fillimisht si lojtar dhe pastaj si ndihmëstrajner. Tassotti përballjen me Anglinë e ka vlerësuar si “sfidë gjigante”.

“Nëse italianët na përkrahin për shkak se jemi ekip më i dobët, do të jetë fantastike. Unë shumë besoj se tifozët do të jenë në anën tonë në Romë. Anglia ka ekip fantastik dhe kuptohet që është favorite në këtë duel. Mirëpo, në Evropian kemi parë se mund të ndodhin befasitë dhe ne jemi të gatshëm për të tentuar një gjë të tillë”, u shpreh Tassotti.

Në rast se Anglia kualifikohet në gjysmëfinale të “Euro 2020”, atëherë do të jetë hera e parë që arrin këtë fazë pas vitit 1996. Anglezët luajtën në gjysmëfinale edhe në Botërorin e mbajtur para tre vjetësh në Rusi, por u mposhtën nga Kroacia që doli nënkampione.