Euro 2020

Ukraina pranon rolin e autsajderes përballë Anglisë

Descriptive Text

Mesfushori i Ukrainës, Ruslan Malinovskyi, është i bindur se presioni do të jetë mbi Anglinë në ndeshjen çerekfinale të Kampionatit Evropian, që do të zhvillohet të shtunën në Romë.

Madje, Malinovskyi ka pranuar superioritetin e Anglisë dhe ka shtuar se te Ukraina ndihet të lumtur që në këtë përballje do të futen si autsajderë.

Sipas tij, Ukraina preferon të jetë autsajdere, rol të cilin e pati edhe ndaj Suedisë, kundërshtar që e eliminoi në 1/8 e finales pas vazhdimeve.

“Është mirë të jesh në rolin e autsajderit. Ne e pranojmë këtë rol dhe e kemi parasysh se Anglia është favorite, që do të thotë se presioni do të jetë mbi ata”, është shprehur Malinovskyi 28-vjeçar.

“Fitorja nga Suedisë na jep vetëbesim të madh për duelin me Anglinë. Ky turne ka dëshmuar se gjithçka është e mundur, pra secili ekip mund të fitoj. Ndaj Anglisë do të futemi me një formë të mirë dhe për ne kjo do të j etë një ndeshje fantastike”.

As Ukraina, dhe as Anglia nuk pritet të kenë shumë përkrahës në stadiumin “Olimpico” në Romë për shkak të kufizimeve të koronavirusit.

Tifozët nga Britania dhe Ukraina nuk do të lejohen të udhëtojnë drejt Italisë për shkak të karantinimit të detyruar prej pesë ditësh.

“Shumë ukrainas jetojnë në Itali dhe jam i bindur se ata do të jenë në stadium për të na përkrahur. Ne nuk luajmë vetëm për veten tonë, por për gjithë Ukrainën”.