Euro 2020

Mehmedi optimist se Zvicra mund ta eliminojë edhe Spanjën në “Euro 2020”

Fitorja e Zvicrës kundër Francës në 1/8 e finales të Kampionatit Evropian ishte befasia më e madhe në këtë turne deri më tani. Zvicra e eliminoi kampionen në fuqi të botës pas penalltive, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan me rezultatin 3:3.

Në penallti, Zvicra triumfoi 5:4 për të avancuar në çerekfinale, ku do të përballet me Spanjën të premten mbrëma në St. Petersburg të Rusisë. E njëri prej lojtarëve të Zvicrës, që shënoi nga penalltia në fitoren kundër Francës, ishte edhe sulmuesi i krahut të Wolfsburgut, Admir Mehmedi. Mehmedi e di shumë mirë se sa i paparashikueshëm mund të jetë futbolli. 30-vjeçari i njeh shumë mirë uljet dhe ngritjet e këtij sporti, të cilat edhe vetë i ka përjetuar. Megjithatë, ai pranon se mbrëmja e së hënës në Bukuresht, ku Zvicra eliminoi Francën, ishte e jashtëzakonshme, më saktësisht një çmenduri e vërtetë.

“Kurrë nuk kam përjetuar një emocion të tillë”, pranoi Mehmedi, i cili atë mbrëmje regjistroi paraqitjen e 76-të me fanellën e Zvicrës.

Megjithatë, ai thotë se tashmë fitorja ndaj Francës i takon së shkuarës, pasi i gjithë fokusi do të jetë te kundërshtari i ardhshëm. Mehmedi pranon se Spanja është kundërshtare e fortë, por ai beson se Zvicra mund ta eliminojë sikurse Francën. Me një fjalë, Mehmedi zbuloi se Zvicra dëshiron kualifikimin në gjysmëfinale të Evropianit për të shkruar historinë.

“Kundërshtari i ardhshëm është një top skuadër. Edhe pse spanjollët nuk patën rezultate të mira në fillim të Evropianit, u kthyen fuqishëm. Unë jam adhurues i madh i lojës së tyre me posedimin e topit. Më pëlqen mënyra se si luajnë”, shtoi Mehmedi. “Mirëpo, nëse e kemi energjinë dhe dëshirën sikurse në ndeshjen me Francën, atëherë mund t’i lëndojmë. Ne duam të shkojmë në gjysmëfinale dhe të shkruajmë sërish historinë. Kushdo që e eliminon Francën, gjithashtu mund ta mposhtë edhe Spanjën”.

Mehmedi deri më tani në Evropian ka vetëm dy paraqitje për Zvicrën apo 38 minuta lojë. U aktivizua në minutën e 85-të në ndeshjen e fazës së grupeve kundër Turqisë, ndërsa ndaj Francës u fut në lojë prej minutës së 87-të. Megjithatë, fitorja kundër Francës, Mehmedi thotë se ishte diçka madhështore për Zvicrën që për herë të parë arrin në çerekfinale të Evropianit.

“Si lojtar, jeton për momente të tilla. Të jesh në gjendje të përjetosh diçka të tillë me Zvicrën e vogël në moshën 30-vjeçare, është e jashtëzakonshme. Ndeshja me Francën do të mbahet në mend nga të gjithë, jo vetëm nga unë. Kam luajtur shumë ndeshje në karrierë me Zvicrën që ishin dramatike, por ajo me Francën nuk mund të krahasohet me asnjërën prej tyre”, u shpreh Mehmedi. “Është e pabesueshme ta eliminosh Francën që deri në fund të ndeshjes ishte në epërsi prej dy golave. Për këtë arsye, e dua futbollin shumë”.

Pas ndeshjes me Francën, Mehmedi tha se ka marrë përkrahje të madhe, sidomos nga skuadra e Wolfsburgut. Të parët që e uruan për kalimin në çerekfinale të “Euro 2020” dhe penalltinë e realizuar, ishin drejtori sportiv Marcel Schaefer dhe trajneri Mark van Bommel. Ndërsa, nuk mungoi as urimi nga bashkëlojtari i tij, Daniel Ginczek, që ishte shumë i lumtur për Mehmedin.

“Të gjithë e dinë se me Danielin jemi shumë të mirë. Ai ishte i lumtur për mua për shkak të vështirësive që i pata sezonin e fundit. Pas ndeshjes me Francën, kam marrë shumë përkrahje nga të gjithë”, tha Mehmedi.

Në fakt, edicionin e fundit, Mehmedi ka pasur probleme të mëdha me lëndimet dhe nuk e ka luajtur asnjë ndeshje të vetme në Bundesligë për 90 minuta.

“Ishte një sezon i mirë për klubin, pasi përfundoi i katërti në tabelë dhe siguroi pjesëmarrjen në Champions. Unë arrita të kontribuoj pak në këtë sukses të ekipit, por sezoni nuk ishte i mirë për mua”, pranoi Mehmedi.

Edhe pse nuk luajti në dy ndeshjet e para të Evropianit, ndaj Uellsit dhe Italisë, Mehmedi nuk e pati problem për ta marrë përgjegjësinë që të gjuajë penalltinë. Gjuajtja e tij ishte më e sigurta dhe e fundit për Zvicrën, përpara se portieri Yann Sommer ta ndalte gjuajtjen e Kylian Mbappes për të konfirmuar kalimin e zviceranëve në çerekfinale.

“Unë nuk hezitova për asnjë sekondë kur trajneri më pyeti se a jam i gatshëm të gjuaj penalltinë. Doja me të vërtetë të shënoja penalltinë e fundit”, zbuloi Mehmedi, i cili herën e fundit kishte shënuar nga penalltia para shtatë vjetësh në Bundesligë, kur ishte lojtar i Freiburgut.