Euro 2020

Modriq lë të hapur mundësinë që të mos luajë në Botëror

Descriptive Text

Në minutën e 114-të të një mbrëmjeje epike të Kampionatit Evropian, shumë gjëra u dëgjuan dhe u ndjenë si fundi i një epoke. Kishte vetëm edhe gjashtë minuta deri në fund të vazhdimit të dytë, në ndeshjen e 1/8 së finales ndërmjet Kroacisë dhe Spanjës. Rezultati ishte 5:3 në favor të Spanjës, dhe te Kroacia e kishin kuptuar se eliminimi nga “Euro 2020” ishte i pashmangshëm.

Në atë moment, lojtari më i mirë dhe më i suksesshëm në historinë kroate të futbollit, u zëvendësua dhe mijëra tifozë në “Parken Stadium” në Kopenhagë filluan të brohorisnin: “Luka Modriq, Luka Modriq”. Mesfushori i Real Madridit është 35-vjeçar dhe në “Euro 2020” u bë lojtari më i vjetër i Kroacisë që shënoi në Kampionatin Evropian, me golin e realizuar ndaj Skocisë në fazën e grupeve. Ai gjithashtu është edhe lojtari më i ri i Kroacisë që ka shënuar gol në një turne të tillë kur pati realizuar në “Euro 2008” ndaj Austrisë. Goli i Modriqit kundër Skocisë, ishte i 18 me fanellën e Kroacisë. Megjithatë, pas eliminimit nga “Euro 2020”, Modriq la të hapur mundësinë që mos të luajë në Botërorin e vitit të ardhshëm në Katar, duke paralajmëruar tërheqjen nga përfaqësuesja kroate.

“Nuk e di, do të shohim. Fillimisht, më duhet të pushoj mirë dhe të mendoj për gjithçka. Tani nuk është koha të flasim për këtë, duhet pritur edhe pak”, tha Modriq për kanalin televiziv “HRT”.

Kundër Spanjës, Modriq regjistroi paraqitjen e tij të 141 për Kroacinë, ndërsa në pranverë e zëvendësoi Darijo Srnan si futbollisti me më së shumti ndeshje të luajtura, duke u bërë rekordmen.

Me Modriqin, kroatët arritën në finalen e Kampionatit Botëror “Rusia 2018”, vit në të cilin e fitoi edhe “Topin e Artë”. Dhe, me Modriqin në përbërje, kroatët edhe një herë ofruan një nga mbrëmjet më spektakolare të “Euro 2020” të hënën mbrëma. Kroacia ishte në disavatazh prej dy golave (3:1) deri në minutën e 85-të, por deri në fund të ndeshjes arriti ta barazojë rezultatin dhe të shkojë në vazhdime. Megjithatë, në vazhdime Spanja shënoi dy gola nëpërmjet Alvaro Moratas (100’) dhe Mikel Oyarzabalit (103’) për të konfirmuar eliminimin e Kroacisë. Por, edhe në këtë ndeshje ishte e qartë se Kroacia nuk ishte aq e mirë sikurse në vitin 2018. Dhe, Kroacia që do të vazhdojë të drejtohet nga përzgjedhësi Zlatko Daliq që u konfirmua përkundër eliminimit, mund të ketë probleme edhe në të ardhmen. Vetëm Modriqi nuk mund të mbulojë problemet që kanë lindur që nga Kupa e Botës. Kjo do të thotë se kërkohet një frymë e re për ekipin dhe lojtarët e rinj si Nikola Vlashiq (23) e Joshko Gvardiol (19), pritet të dalin në skenë. Këtë e pranoi edhe vet Modriqi.

“Ne dhamë gjithçka nga vetja në Evropian”, tha Modriq, i cili ndeshjen e parë me Kroacinë e luajti në vitin 2006. “Ne mund të jemi të kënaqur me qasjen tonë, karakterin tonë dhe moralin tonë, por Spanja ishte më e mirë në situatat thelbësore. Ne duhet t'i përgëzojmë ata”.