Euro 2020

Spanja e Kroacia kanë bërë përparim para ndeshjes në Kopenhagë

Descriptive Text

Dani Olmo do të luajë kundër disa lojtarëve të njohur, kur Spanja do të përballet me Kroacinë në një të tetën e finales në “Euro 2020”.

Në fakt, ai lehtë mund të ishte rreshtuar për Kroacinë në vend se të rreshtohej te Spanja për Evropian.

Mesfushori nuk pranoi të luante për ekipin përfaqësues të Kroacisë, pasi u transferua në Dinamo Zagreb nga Akademia e Barcelonës si 16-vjeçar. Olmo i kaloi gjashtë edicione në klubin kroat.

Olmo nuk ka luajtur kurrë në nivel seniorësh në klube spanjolle. Ai ishte transferuar te RB Leipzigu në vitin 2020, ndërsa nuk është pishman që ka vendosur ta presë Spanjën dhe ta refuzojë Kroacinë.

“Kishte interesim nga Kroacia, por unë gjithmonë preferoja të luaja për Spanjën”, tha Olmo.

Olmo 23-vjeçar, ishte pjesë e një grupi lojtarësh të rinj të cilëve u janë dhënë role kryesore në ekipin e Spanjës, të ndryshuar nga Luis Enrique. Kundër Kroacisë, ai ka rol shtesë, pasi njeh më së miri prej lojtarëve të Spanjës kundërshtarët kroatë.

Ndeshja mes Kroacisë dhe Spanjës luhet të hënën nga ora 18:00 në Kopenhagë.

“Trajneri ynë e njeh mirë ekipin e Kroacisë. Nëse ai më pyet, unë do të ndaj mendimin tim me të”, tha Olmo. “Unë kam luajtur me shumicën e lojtarëve të Kroacisë. Unë mendoj se Bruno Petkoviq dallohet. Ai është një lojtar i kompletuar dhe ne duhet t’i kushtojmë vëmendje shtesë”.

Kroacia do të jetë pa njërin nga lojtarët e saj më të mirë për ndeshjen në Kopenhagë. Ivan Perishiq ka pranuar rezultat pozitiv në testin për koronavirus. Perishiq, i cili shënoi dy gola gjatë fazës së grupeve, do të izolohet për dhjetë ditë dhe gjithashtu do të humbë çerekfinalen dhe gjysmëfinalen, nëse Kroacia shkon kaq larg.

Spanja dhe Kroacia duket se po arrijnë kulmin në kohën e duhur, pas fillimit të zbehtë të turneut.

Spanja mundi Sllovakinë 5:0 në ndeshjen e saj të fundit në grup për të kaluar tutje, ndërsa Kroacia mposhti Skocinë 3:1 për të përfunduar e dyta, pas Anglisë, në Grupin D.

Të dyja përfaqësueset kanë histori të mirë në turne të mëdha të futbollit, megjithëse trajektoret e tyre kohët e fundit kanë shkuar në drejtime të kundërta. Kroacia arriti në finale të Kupës së Botës në vitin 2018 dhe 13 nga lojtarët që luajtën në finale kundër Francës janë ende në skuadër.

Spanja fitoi tre tituj të mëdhenj radhazi midis viteve 2008 e 2012, duke përfshirë dy Kampionate Evropiane, por humbi në një të tetën e finale të Kupës së Botës në vitin 2018 të organizuar në Rusi.

Për më tepër, vetëm shtatë lojtarë në skuadrën e Spanjës kanë luajtur në një turne të madh më parë.

Një nga ata veteranë, mesfushori i Barcelonës, Sergio Busquets, i dha ekipit një ngritje të madhe kur u kthye për ndeshjen ndaj Sllovakisë. Ai mungoi ndeshjet e para, shkaku i koronavirusit.

Luis Enrique ka vazhduar qasjen tradicionale të Spanjës, duke dominuar në posedim të topit. Por loja sulmuese e ekipit dukej e mundimshme në dy barazimet e para, kundër Suedisë dhe Polonisë, të fokusuara në mbrojtje.

Kroacia do të luajë një stil më agresiv dhe nuk do të rrijë duarkryq për të lënë Spanjën të mbizotërojë në posedim të topit.

“Kur spanjollët kanë posedimin, ata e dominojnë lojën, edhe pse kishin pak vështirësi për të shënuar gola në dy ndeshjet e para”, tha mbrojtësi i Kroacisë, Duje Çaleta-Car. “Ne kemi lojtarë që mund të tregojnë cilësinë e tyre përmes posedimit dhe këtu e shoh shansin tonë. Ata nuk e kanë provuar akoma atë, që dikush ua merr topin”.

Mesfushori i Kroacisë, Nikola Vllashiq, gjithashtu paralajmëroi Spanjën se do ta ketë të vështirë ta mbajë topin në këmbë.

“Ne sigurisht që duhet t’i parandalojmë spanjollët të ndihen rehat dhe ta luajnë futbollin e tyre”, tha Vllashiq. “Kjo do të ishte vdekjeprurëse për ne, sepse ata me të vërtetë janë të shkëlqyeshëm teknikisht”.

Veterani i Kroacisë, Luka Modriq, tregoi me golin e tij kundër Skocisë se mbetet një forcë e frikshme edhe në moshën 35-vjeçare. Modriqi do të jetë lojtari që përpiqet të diktojë lojën.

“Ai është motori dhe zemra e ekipit përfaqësues të Kroacisë”, tha Olmo për Modriqin. “Sulmi i Kroacisë rrjedh nga këmbët e tij”.

Kur bëhet fjalë për sulmin e Spanjës, një pjesë e madhe e fokusit do të jetë përsëri tek Alvaro Morata. Sulmuesi i Spanjës pranoi kërcënime në rrjete sociale, pasi humbi një penallti kundër Sllovakisë dhe gjithashtu u kritikua ashpër pas dy ndeshjeve të para, megjithëse shënoi kundër Polonisë.

Spanja ka humbur pesë penalltitë e fundit, duke përfshirë dy në “Euro 2020”.

Morata tha se mori kërcënime ndaj fëmijëve të tij dhe nuk ka fjetur për nëntë orë pas ndeshjes kundër Sllovakisë.

Spanja ka bërë lëvizje para dhe mund të mos mbështetet aq shumë te Morata. Ky është një lajm i mirë për Luis Enriquen.