Euro 2020

Loew përballet me thirrjet për ta lënë Sanen rezervë ndaj Anglisë

Përzgjedhësi i Gjermanisë, Joachim Loew është nën presion të madh për të bërë ndryshime në formacion për ndeshjen kundër Anglisë, që e luan të martën në Londër në kuadër të 1/8 së finales në “Euro 2020”. Atij po i kërkohet që ta lërë rezervist Leroy Sanen, i cili ka pasur paraqitje të dobëta në fazën e grupeve.

Si një zëvendësim për Thomas Muellerin, i cili u anashkalua pas një dëmtimi në gju, Sane pati telashe në ndeshjen e tij të parë si titullar në Evropian, në barazimin 2:2 kundër Hungarisë, me Gjermaninë që i duhej një barazim për të siguruar fazën e nokautit.

Sane bëri pak ndikim përpara, duke reflektuar një sezon të parë jokonsistent te Bayern Munichu, ekip për të cilin nuk arriti të shkëlqejë sikurse te Manchester City. Kur Sane nuk arriti të shndërronte në gol një shans pas një goditjeje këndi ndaj Hungarisë, vërshëllimat kundër tij ishin të shumta, të mërkurën në “Allianz Arena”.

Ish-mesfushori i Gjermanisë, Stefan Effenberg thotë se Loew duhet të reagojë duke hequr 25-vjeçarin nga pozita e titullarit për duelin ndaj Anglisë.

“Loew nuk duhet ta fillojë ndeshjen me Sanen, pasi ai nuk po i bën asnjë favor skuadrës. Mbi të gjitha, Sane nuk është lojtari që ishte më parë. Atij po i mungon vetëbesimi dhe kjo do të thotë që ai nuk mund të përdorë aftësitë e tij fantastike gjatë ndeshjeve”, ka thënë Effenberg.

Si Effenberg ashtu edhe legjenda tjetër e Gjermanisë, Lothar Matthaeus po e nxisin Loewin të rishikojë opsionet e tij në mesfushë dhe t'u drejtohet lojtarëve të tjerë nga skuadra e Bundesligës, Bayern Munchen për duelin me Anglinë.

“Loew u beson lojtarëve të gabuar. Ishin lojtarët e Bayernit ata që na shtynë përpara”, tha Matthaeus.

Leon Goretzka, i cili u fut nga banka e rezervistëve për të shënuar golin e rëndësishëm kundër Hungarisë, pritet të fillojë në “Wembley”, pasi ka tejkaluar dëmtimin në këmbë.

Effenberg gjithashtu dëshiron të shohë më shumë mesfushorin 18-vjeçar të Bayernit, Jamal Musialan, një zëvendësues ndaj Hungarisë, i cili “krijoi më shumë rrezik në tetë minutat e fundit se Sane në të gjithë ndeshjen”.

Matthaeus dëshiron që mesfusha e Bayernit të dominojë te Gjermania kundër Anglisë, me Joshua Kimmichun të zhvendosur nga mesfushori i krahu të djathtë në mesfushor qendror.

“Unë nuk rekomandoj vetëm që Loew të fillojë me Jamal Musialan, por unë rekomandoj që e gjithë mesfusha të jetë e skuadrës së Bayernit”, tha Matthaeus, i cili fitoi me Gjermaninë Perëndimore titullin e Botës në vitin 1990. "Joshua Kimmich luan me topa të thellë, Leon Goretzka bën vrapime në zonën e penalltisë dhe Thomas Muelleri organizon ekipin. Për mua, kjo mesfushë ka cilësinë për t'i dhënë goditjen fatale çdo skuadre”.

Për t’i hapur rrugë Goretzkas dhe Kimmichut, Matthaeus sugjeroi që Loew të largonte dy titullarë te Gjermania për ndeshjen e së martës.

“Nuk kam asgjë kundër Ilkay Gundoganit dhe Toni Kroosit, por me ta disa gjëra mungojnë në ekip, të cilit i nevojitet urgjentisht freskia”, shtoi Matthaus.