Euro 2020

Henderson: Ndeshja ndaj Gjermanisë, e veçantë

Jordan Henderson thotë se ndeshja në mes të Anglisë dhe Gjermanisë të martën e ardhshme në kuadër të një të tetës së finales të Evropianit, do të jetë e veçantë.

Ndeshja Angli – Gjermani do të zhvillohet në “Wembley” të Londrës.

“Është një lojë e veçantë për lojtarët, shikuesit, për të gjithë e po ashtu edhe për shikuesit neutralë, pasi është një lojë e madhe”, ka thënë Henderson në konferencën për media të enjten.

Kapiteni i Liverpoolit ka zbuluar se Anglia është duke i ushtruar edhe penalltitë në stërvitje.

“Ne gjithmonë i ushtrojmë penalltitë. Asgjë nuk ndryshon në të vërtetë. Po, jam i sigurt që do t’i ushtrojmë sërish. Por, kështu veprohet në çdo turne”, është shprehur ai.

Henderson ka theksuar se në këtë ndeshje mund të luajnë rol kyç edhe dy futbollistët që luajnë në Bundesligë, saktësisht te Borussia Dortmund, Jadon Sancho dhe Jude Bellingham.