Euro 2020

“Maratonisti i Austrisë” dëshiron ta vërë në vështirësi Italinë

Marcel Sabitzer

Marcel Sabitzer vrapoi 33.7 kilometra në tri ndeshjet e para në Kampionatin Evropian.

Para ndeshjeve të së mërkurës, vetëm dy futbollistë të tjerë në “Euro 2020”, rusi Alexander Golowin dhe çeku Tomas Soucek, kanë kaluar distancë më të madhe në vrapime sesa mesfushori i Austrisë.

Sabitzer po përgatitet për ndeshjen e 1/8 së finales kundër Italisë të shtunën, në të cilën Austria do të duhet të vrapojë pas topit. 27-vjeçari ka folur për favoritin e “Wembleyt” të Londrës, arenën ku do të zhvillohet kjo ndeshje, nga ora 21:00.

“Do t’u bëjmë presion italianëve, ndonjëherë edhe në vijën e mbrojtjes”, ka thënë Sabitzer të mërkurën. Ai ka folur në kampin e Përfaqësueses së Austrisë në Seefeld. “Do të jetë sfidë shumë e madhe për ne. Italianët dëshirojnë që të dalin përpara, nuk mund të luash kundër Italisë në çdo minutë. Duhet përqendrim i madh edhe në periudhat e lojës pa posedim të topit. Kemi lojtarë të fortë në ekip. Duhet të jemi shumë të koordinuar dhe kjo do të jetë vendimtare”, theksoi Sabitzer.

Presingu në vijën e mbrojtjes kundërshtare është qasja bazike e ekipit të Austrisë. Shumë lojtarë që vijnë nga shkolla e futbollit të Red Bull Salzburgut janë të njohur me këtë metodë.

“Ky sistem i lojës i përshtatet shumicës, është e qartë. Kjo është përparësi e jona”, thotë Sabitzer.

Në kampin austriak thonë se i kanë “armët” e nevojshme për ta mposhtur Italinë, që është në seri prej 30 ndeshjeve pa disfatë. Italia në fakt është favorite absolute.

“Nëse jemi maksimalisht të koncentruar, besoj se mund t’u sjellim stres atyre. Do të provojmë. Duam që të shkojmë tutje, nuk do të dorëzohemi”.

Kapiteni i Leipzigut nuk dëshiroi të përgjigjej në pyetjen se a është ndeshja më e rëndësishme e karrierës së tij. Ai me Leipzigun gjerman luajti në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

“Gjëja më e rëndësishme është se unë dua ta fitoj këtë ndeshje. Nëse humbim, do të isha i dëshpëruar”.

Austria e shkroi historinë dy herë në këtë turne. E arriti fitoren e parë në një Kampionat Evropian dhe më pas u kualifikua në 1/8 e finales. Tani, pas katër disfatave në ngjarje të rëndësishme, Austria synon që të dalë më e suksesshme edhe se Italia.

“Ne besojmë se kemi shanset tona në këtë ndeshje. Do të jetë shumë e vështirë, por është e mundur”, theksoi ai.

Në ndeshjen vendimtare të grupit kundër Ukrainës (1:0), Alessandro Schoepf u fut në lojë në pjesën e parë në vend të golashënuesit të vetëm në fitore, Christoph Baumgartner, i cili pësoi dëmtim në kokë. Për Schopfin, Italia është ekipi më bindës në turne deri tani.

“Ka një seri të shkëlqyer deri tani, është impresive. Por çdo seri merr fund në këtë periudhë të garës”, është optimist 27-vjeçari.

Schoepf mori emrin e sulmuesit Alessandro del Piero – lojtari favorit i babait të tij. Pavarësisht pushimeve të shumta të kaluara në liqenin Garda në Itali me familjen e tij, lidhja me Italinë nuk është e madhe. Ai shpreson të luajë titullar në “Wembley”, që do ta kujtonte përherë. Në stadiumin më të madh në Francë, “Stade de France”, Schoepf e shënoi golin e vetëm për Austrinë në “Euro 2016” kundër Islandës, në humbjen 2:1.

Pasi e përfundoi një sezon aspak të mirë me Schalken, Schoepf u shpreh tejet i lumtur që u thirr nga përzgjedhësi Franco Foda të hyjë në lojë aq herët në duelin kundër Ukrainës.

“Kjo është një shenjë e mirë nga trajneri, për shkak të besimit. Unë dua që t’ia shpërblej me paraqitje të mirë, ky është qëllimi im. Isha i lumtur që dhashë ndihmën kundër Ukrainës”.

Selektori vendos se në çfarë forme mund ta përdorë futbollistin kundër italianëve. Florian Grillitsch dhe Martin Hinteregger nuk ishin në stërvitje të mërkurën për shkak të problemeve fizike, ndërsa Schoepf e kreu seancën stërvitore në qendrën e Përfaqësueses së Austrisë, në Seefeld.