Sport

Zumberi ka synime të mëdha me Hamburgun

Valon Zumberi pret që të bëjë hapin e madh në karrierë. Mbrojtësi kosovar, që është pjesë e grupmoshave të reja te klubi gjerman Hamburg, ka vazhduar kontratën edhe për dy vjet.

Paraqitjet e mira me U19 dhe U21 të klubit gjerman kanë bërë që Hamburgu t'i ofrojë kontratë të re mbrojtësit.

Zumberi me vetëm 17 vjet u ftua te Hamburgu U21 derisa ka bartur edhe shiritin e kapitenit tek ekipi U19.

Mbrojtësi i qendrës beson se do të jetë pjesë e skuadrës së parë në përgatitjet për edicionin e ri.

“E kam vazhduar kontratën me Hamburgun edhe për dy vjet dhe pres që verës të jam pjesë e kampit me ekipin e parë dhe besoj që do të jetë një mundësi e mirë për mua që të fitoj përvojën e duhur. Kam pasur oferta nga klube të ndryshe brenda dhe jashtë Gjermanisë, por kam vendosur të mbetem pjesë e klubit. Arsyeja kryesore që kam vendosur të qëndroj është projekti i klubit dhe besimi i trajnerit”, ka thënë Zumberi për KOHËN.

Në edicionin e ri, futbollisti kosovar pret që të ketë sa më shumë ndeshje të luajtura. Ai shpreson që këtë vit të arrijë ta bindë trajnerin e ekipit të parë, Horst Hrubesch.

“Në sezonin e ri pres që të kem ndeshje sa më shumë me grupmoshat e reja dhe të luaj sa më shumë minuta. Sigurisht që këtë vit synimi kryesor është të jem pjesë e ekipit të parë të Hamburgut. E di që nuk do të jetë e lehtë pasi ka konkurrencë të madhe, por kam besim të madh se këtë vit do të jem pjesë e stërvitjeve dhe ndeshjeve në skuadrën e parë”, deklaroi Zumberi.

18-vjeçari është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës U21. Ai më herët ka qenë pjesë e gjeneratave U16 dhe U17, kurse paraqitjet e mira kanë bërë që trajneri Michael Nees ta ftoj te U21.

"Dardanët" e rinj e kanë nisur me fitore ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian të vitit 2023.

Shpresat e Kosovës e mposhtën Andorrën në takimin e parë.

Për Zumberin, Kosova ka potencial që të bëjë befasi në eliminatore. Ai nuk fitoi rastin ndaj Andorrës.

"Jemi pjesë e një grupi mjaft të vështirë por e kemi nisur në mënyrën më të mirë, me fitore ndaj Andorrës. Besoj që do të vazhdojmë me paraqitje të mira, me shumë sukses. E dimë se kemi kundërshtarë si Anglia, Çekia dhe Shqipëria, ekipe shumë të forta por përkundër kësaj besoj se do të kemi rezultate pozitive. Nëse e luajmë lojën tonë, atëherë nuk do të kemi shumë probleme”.

Futbollisti që luan në Gjermani, në "Euro 2020" bënë tifo për skuadrën gjermane. Por për Zumberin favorite për të fituar Evropianin mbetet Franca.

“Sigurisht që jam tifoz i Gjermanisë, por këtë vit mendoj që favorite është Franca. Ka një ndër skuadrat më të mira në këtë Evropian me lojtarë të dëshmuar që e bëjnë favoriten kryesore në këtë kompeticion”, thekson Zumberi.

Zumberi me ekipin U19 të Hamburgut ka 14 paraqitje dhe dy gola të shënuar përderisa te U21 ka luajtur dy ndeshje. Ai ka kontratë me klubin gjerman deri në vitin 2023.