Euro 2020

Holanda duhet t’i përmbahet sistemit fitues për ndeshjen kundër Austrisë

Kritikat ndaj formacioni 3-5-2 të Holandës papritur janë tretur.

Loja sulmuese në fitoren 3:2 kundër Ukrainës, të dielën në Kampionatin Evropian, i ka mbyllur debatet – të paktën për tani – se me çfarë sistemi duhet të luajë trajneri Frank de Boer.

Të enjten pritet i njëjti formacion me tre mbrojtës, pesë mesfushorë me mbështetje nga krahët dhe dy sulmues. Holanda luan kundër Austrisë në ndeshjen e dytë në Grupin C, në “Johan Cruyff Arena” në Amsterdam nga ora 21:00.

“Mendoj se kemi treguar se formacioni 3-5-2 mund të jetë shumë sulmues po ashtu”, ka thënë mbrojtësi i Holandës, Stefan de Vrij. “Brenda 10 minutave mendoj se kemi bërë shtatë gjuajtje.”

Disa tifozë të Holandës preferojnë një sistem më sulmues, atë 4-3-3, me katër mbrojtës, tre mesfushorë e tre sulmues. Njëri nga ta madje e dërgoi një aeroplan të vogël mbi stadium gjatë një stërvitjeje, duke e dhënë këtë mesazh para ndeshjes me Ukrainën.

Holandezët dhe austriakët i fituan ndeshjet hapëse në “Euro 2020” dhe mund të avancojnë me një tjetër fitore.

Austria prin në Grupin C, pasi e mposhti Maqedoninë e Veriut me shifrat 3:1. Ishte fitorja e parë në një ngjarje të madhe për 31 vjet dhe e para ndonjëherë në Kampionatin Evropian.

Festa, megjithatë, nuk zgjati shumë. Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut bëri kërkesë në UEFA për ta dënuar sulmuesin e Austrisë, Marko Arnautoviq, për fyerje nacionaliste, pasi e shënoi golin në ndeshjen që u luajt në Bukuresht.

Federata tha se ato fyerje iu drejtuan Ezgjan Alioskit, që është shqiptar. Babai i Arnautoviqit është serb, ndërsa nënën ai e ka austriake.

Arnautoviqi shkroi në “Instagram” se i vjen keq për atë që ndodhi dhe bëri të ditur se “disa fjalë urrejtjeje ishin nga emocionet e ndeshjes, për të cilat u kërkoj falje sidomos shokëve të mi nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.”

UEFA tha të martën se ka nisur hetim për incidentin. Të mërkurën, UEFA e dënoi Arnautoviqin me vetëm një ndeshje moslojë.

Mbrojtësi i Austrisë, Martin Hinteregger, ka thënë se ndeshja me Holandën do të jetë ndryshe nga ndeshja hapëse.

“Do ta kemi topin më pak nën kontroll, por kjo mund të jetë mirë pasi mund të kemi shansin të luajmë me kundërsulme”, ka thënë Hinteregger. “Holanda ka lojtarë të shkëlqyer, kështu që ne kemi nevojë të jemi të përkryer, të kemi paraqitje të shkëlqyer ekipore për t’u mbrojtur kundër sulmeve të forta të holandezëve.”

Mbrojtësi i Holandës, Matthijs de Ligt, i cili mungoi në ndeshjen e parë për shkak të lëndimit në muskul, mund të rikthehet të enjten, të paktën sipas një bashkëlojtari të tij.

“Besoj se ai është në gjendje të mirë fizike, duket mirë dhe është i gatshëm të luajë”, tha De Vrij.

De Ligt dukej i relaksuar të mërkurën kur me biçikletë shkoi në stërvitje, bashkë me ish-bashkëlojtarin e tij tek Ajaxi, Frenkie De Jong.

Holanda i ka fituar gjashtë ndeshjet e fundit kundër Austrisë. Fitorja e fundit e austriakëve kundër holandezëve është ajo në miqësoren e vitit 1990 në Vjenë – kur disa nga futbollistët e tanishëm madje as nuk ishin të lindur.

Përjashtim bën portieri Maarten Stekelenburg, i cili si 38-vjeçar është lojtari më i vjetër që luan për Holandën në një turne të madh.

Stekelenburg ishte ndihmesë në Ajax sezonin e shkuar derisa u thirr në ekipin e parë, kur Andre Onana u dënua për një vit nga UEFA për rastin e dopingut. Gjykata e Arbitrazhit për Sport, javën e kaluar, ia uli dënimin në nëntë muaj.

Stekelenburg debutoi me përfaqësuese para afër 17 vjetësh dhe ishte pjesë e Holandës që shkoi në finale të Kupës së Botës 2010 në Afrikën e Jugut, ku humbi nga Spanja 1:0. U rikthye në përfaqësuese për herën e parë që prej vitit 2016, në miqësoret para Evropianit.

“Nëse do të më pyesnit në fillim të sezonit se a do të isha zgjedhje e parë në Kampionatin Evropian, do të qeshja me ju”, tha Stekelenburg.

Euro 2020, Grupi C: Holanda – Austria, e enjte 21:00