Reperi amerikan Sean “Diddy” Combs është dërguar përkohësisht në spital pasi ka goditur kokën në krevatin dykatësh të qelisë së tij në burgun federal FCI Fort Dix. Sipas një burimi të cituar nga Página seis, ai është përplasur me krevatin e sipërm, por gjendja e tij është përmirësuar.
Sipas raportimeve, dëmtimi nuk ishte kërcënues për jetën. Combs ishte i vetëdijshëm dhe në gjendje të fliste kur u kthye në burg disa orë më vonë.
Përfaqësuesi i reperit deklaroi se po përpiqej të konfirmonte rrethanat e incidentit.
“Shëndeti dhe mirëqenia e Seanit janë shqetësimi ynë kryesor”, ka thënë ai.
Shtrimi i tij në spital vjen pas një raportimi të NBC News, sipas të cilit Combs shpenzon mijëra dollarë në muaj për t’u paguar të burgosurve të tjerë që t’i bëjnë masazhe, t’i gatuajnë, t’i pastrojnë dhe t’i lajnë rrobat.
Katër persona që kanë ndarë të njëjtën njësi burgu me reperin pretenduan gjithashtu se ai ka siguruar një telefon celular dhe alkool të futur përmes kontrabandës. Sipas tyre, ai përdor edhe një tablet për të parë filma e programe televizive.
“Kjo nuk është diçka e zakonshme që sheh në burg. Këto janë privilegje të njerëzve të pasur. Duket e çmendur, por bëhet fjalë për Diddyn”, ka thënë njëri prej të burgosurve.
Combs po vuan një dënim prej 50 muajsh burg, pasi në korrik 2025 u shpall fajtor për dy akuza që lidhen me transportimin e personave me qëllim prostitucioni.
Data e parashikuar e lirimit të tij ka ndryshuar disa herë. Fillimisht ishte caktuar për qershorin e vitit 2028, më pas u zhvendos në janar dhe shkurt, ndërsa tani është shtyrë për 2 mars 2028, sipas raportimeve.
Përfaqësuesi i reperit ka thënë se mbrojtja nuk ka marrë shpjegime për ndryshimet e datës së lirimit. Ai ka shtuar se Combs po përqendrohet te vuajtja e dënimit, ndërsa pret vendimin për apelimin e çështjes dhe shpreson të kalojë kohë me familjen pas lirimit.