Apoya a TIME. Preserva la verdad.
del mundo del espectáculo

Los secretos de Facebook salen a la luz con "The Social Reckoning".

El ajuste de cuentas social

Historia e krijimit të Facebookut vazhdon dhe ndër aktorët që përballen me fuqinë e mediave sociale në filmin e tyre të fundit “The Social Reckoning” janë Jeremy Strong, Mikey Madison dhe Jeremy Allen White.

Më shumë se 15 vjet pas filmit “The Social Network”, regjisori dhe skenaristi Aaron Sorkin rikthehet në botën e Facebookut me një film të frymëzuar nga historia e vërtetë e Frances Haugen, ish-inxhinieres së Facebookut që u bë sinjalizuese e shkeljeve të brendshme.

Madison, e cila luan rolin e Haugenit, nuk përdor vetë rrjetet sociale dhe pranon se i është dashur të bëjë shumë kërkime për të mësuar më tepër rreth personazhit.

“Epo unë nuk i përdori rrjetet sociale. Nuk kam asnjë marrëdhënie personale me to, gjë që është dukshëm shumë ndryshe nga personazhi që luaj. Ajo ka një përvojë shumë personale me mediat sociale, si pjesë e brendshme e kompanisë, ndaj u përpoqa të bëja sa më shumë hulumtime që pata mundësi për ta kuptuar thelbin e personazhit, por e vërteta është se unë nuk kam një algoritëm”, tha Madison për “Associated Press”.

Në filmin e ri, Frances Haugen bashkëpunon me gazetarin e “Wall Street Journal”, Jeff Horwitz, të luajtur nga White, ndërsa ata përpiqen të zbulojnë disa nga sekretet më të ruajtura të rrjetit social.

“Ka shumë gjëra të veçanta te Jeff. Mendoj se ishte një mundësi e bukur pas dy roleve të fundit që kam bërë. Mendoj se kishte kaq shumë konflikt të brendshëm. Ndërsa në këtë film, dhe për Jeffin, mendoj se ai, në thelb, është mjaft i qetë dhe i qëndrueshëm. Konflikti është i gjithi i jashtëm dhe me përmasa të mëdha. Por ishte bukur të merrja përsipër këtë rol. Dhe nuk e di, kur lexova skenarin për herë të parë, u ndjeva menjëherë i afërt me Jeffin. Ndjeva sikur e kuptoja. Ndjeva sikur doja ta mbështesja. Dhe besova në këtë histori. Është jashtëzakonisht bindëse. Ndaj të njëjtin këndvështrim me Aaronin. Ndaj këndvështrimin e Jeffit dhe më pëlqen shumë fakti që ai është gazetar dhe një gazetar i shkëlqyer. Ai është në kërkim të së vërtetës. Dhe kjo ishte emocionuese. Nuk dua të tingëllojë shumë sentimental, por edhe unë vetë si aktor jam në kërkim të disa momenteve të vërteta”, tha White.

Sorkin rikthehet në botën e Mark Zuckerbergut, më shumë se një dekadë pas filmit të tij të suksesshëm të vitit 2010, “The Social Network”, ku Jesse Eisenberg luante rolin e themeluesit të Facebookut.

Këtë herë, Zuckerbergun e portretizon aktori Jeremy Strong.

“Do të kishte qenë një sfidë si regjisor nëse aktori që luan këtë rol, nëse Jeremy Strong, do të shqetësohej sadopak që dikush tjetër e kishte luajtur më parë Mark Zuckerbergun. Por ai nuk u shqetësua. Ai e kuptoi se bëhet fjalë për të njëjtin person, por tashmë për një personazh paksa ndryshe. Ai është më i moshuar, kompania është shumë më e madhe dhe shumë më e fuqishme, dhe ai ndodhet në një situatë të veçantë në këtë film, në të cilën nuk ishte në filmin e kaluar. Prandaj Jeremy jep një interpretim të fuqishëm në këtë film”, tha Sorkin.

Para gazetarëve të pranishëm në premierë, pjesëtarët e kastit diskutuan gjithashtu edhe për kërcënimet më të gjera që paraqiten nga mediat sociale dhe inteligjenca artificiale.

“The Social Reckoning” shfaqet nëpër kinema nga e premtja.