Apoya a TIME. Preserva la verdad.
del mundo del espectáculo

Rod Stewart anuncia su retiro de los escenarios.

Rod Stewart

Rod Stewart ka njoftuar tërheqjen e tij nga karriera muzikore, duke bërë të ditur se do t’i japë fund performancave live pas gjashtë dekadash në skenë, pas një turneu të fundit.

Këngëtari 81-vjeçar i hitit “Maggie May”, i cili kohët e fundit ka anuluar disa koncerte për shkak të problemeve shëndetësore, ka njoftuar se do të largohet përfundimisht nga jeta në turne pas një turi të fundit, i cili do të zhvillohet nga prilli deri në qershor 2027.

Rod konfirmoi planet e tij përmes një deklarate emocionuese, në të cilën falënderoi fansat që i kanë dhënë një “jetë të jashtëzakonshme”.

“Miqtë e mi të dashur, ka ardhur koha t’i them lamtumirë jetës në turne. Pas më shumë se gjashtë dekadash, ‘The Final Encore’ do të jetë padyshim turneu im i fundit. Kam kënduar muzikën që dua që kur isha 19 vjeç dhe kam pasur privilegjin ta çoj atë në mbarë botën, te të gjithë ju. Ajo më ka dhënë një jetë përtej çdo gjëje që mund të kisha imagjinuar ndonjëherë dhe shpresoj që edhe unë t’ju kem dhënë disa kujtime të bukura në këmbim. Prandaj, dua të shfrytëzoj këtë mundësi për t’ju falënderuar që e bëtë të mundur këtë jetë të jashtëzakonshme. Shpresoj të bashkoheni me mua, në mënyrë që t’ju falënderoj në mënyrën më të mirë që di… përmes muzikës dhe një shfaqjeje të jashtëzakonshme. Shihemi atje”, ka shkruar ai, shkruan Female First.

Turneu i fundit i Rodit, “The Final Encore”, do të nisë në Dublin të Irlandës më 23 prill. Ai do të performojë në qytete si Manchester, Londër, Berlin dhe Pragë, përpara se turneu të përfundojë në Hannover të Gjermanisë më 24 korrik.

Rod ka qenë në turne me “One Last Time” që nga marsi, por anuloi disa koncerte në qershor pasi vuajti nga një infeksion akut i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, laringut dhe lodhje e kordave vokale.

Më pas, ai anuloi edhe koncerte të tjera pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër muajin e kaluar, në mënyrë që t’i jepte vetes kohë për t’u rikuperuar.

“Mjekët janë të kënaqur me rikuperimin e tij dhe Rod po bëhet shumë më mirë. Ai u është rikthyer aktiviteteve të tij të zakonshme të përditshme. Me këshillën e mjekëve, ai do të marrë katër javët e ardhshme për t’u rikuperuar dhe për të rifituar formën e plotë përpara se të rikthehet në skenë. Fatkeqësisht, kjo do të thotë se nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë datat e planifikuara të turneut aktual”, pati thënë një zëdhënës i tij në një deklaratë.

Këngëtari i “Maggie May” thuhet se po “ndihet më mirë dhe është në rrugën e duhur drejt rikuperimit”, ndërsa u kërkoi falje fansave për anulimin e koncerteve.

“Dua të falënderoj mjekët, infermierët dhe të gjithë ata që janë kujdesur kaq mirë për mua. Jam thellësisht i zhgënjyer që do të mungoj në këto koncerte dhe më vjen keq që i zhgënjej fansat e mi, por mezi pres të rikthehem së shpejti në skenë dhe të kalojmë përsëri momente të bukura së bashku”, ka thënë ai.