Djali i madh i Jessica Biel dhe Justin Timberlake, 11-vjeçari Silas, ka bërë një paraqitje të shkurtër në filmin e ri “Matchbox: The Movie”, ku luan edhe nëna e tij, së bashku me John Cena.
Filmi i Apple TV ndjek historinë e Sean Walker, një ish-ushtari dhe spiuni, i cili bashkohet me miqtë e tij të fëmijërisë për të gjetur një kokë bërthamore dhe për të pastruar emrat e tyre pasi akuzohen për vjedhjen e saj.
“Ai ka një rol të vogël në film, në fund, dhe është shumë i ëmbël”, ka thënë Biel për djalin e saj për ¡MI! Noticias.
Silas dhe vëllai i tij 6-vjeçar, Phineas, janë fansa të mëdhenj të John Cenas dhe e shoqëruan nënën e tyre gjatë xhirimeve. Për ta, vizita në sheshxhirim ishte një përvojë e jashtëzakonshme.

“Janë shumë komikë. Më duket sikur u shpërthen truri sa herë vijnë në sheshxhirim, sidomos në një film të tillë, ku takojnë një prej heronjve të tyre dhe shohin skena aksioni e përleshjesh”, ka thënë ajo.
Megjithatë, për Phineas, vetëm 6 vjeç, nuk ishte gjithmonë e qartë se çfarë ishte aktrim dhe çfarë ishte e vërtetë.
“Mendoj se i vogli im mendonte me vete: ‘A është kjo e vërtetë? Apo nuk është e vërtetë?’ John sapo u godit me grusht dhe ra përtokë. Nuk e di çfarë po ndodhte në kokën e tij. Ishte shumë konfuz”, ka treguar Biel.
Aktorja ka thënë se fëmijët e saj e duan shumë Cenan.
“E duan shumë. Ai është shumë i sjellshëm dhe është një njeri që të bën ta duash. Ata janë të çmendur pas tij”, ka thënë Biel.
Madje, gjatë një paraqitjeje në “The Tonight Show” me komedianin Jimmy Fallon, Biel ka treguar një fletë që Phineas kishte plotësuar për Ditën e Nënës.
Në pyetjen “Nëna ime është...”, djali nuk zgjodhi përshkrime si “aktore”, por shkroi thjesht: “Shoqja e John Cenas”.
Traileri i filmit “Matchbox: The Movie”: