Aktori dhe regjisori Ben Affleck ka shprehur admirimin e tij për karrierën e ish-bashkëshortes së tij, artistes, Jennifer Lopez, duke e cilësuar si një pioniere që ka kapërcyer pengesa të shumta në industrinë e argëtimit dhe që ka dëshmuar se suksesi arrihet edhe kur të tjerët nuk besojnë te ti, ka shkruar MujerPrimero.
Gjatë një interviste në podkastin “The Moment with Jorge and Paola Ramos”, aktori ka thënë se njohja me këngëtaren dhe vëzhgimi i karrierës së saj i kanë mësuar shumë.
Video e podkastit:
“Për ta kuptuar vërtet Jennifer Lopezin, duhet të kuptosh se ajo është një pioniere. Ajo ka bërë gjëra që të tjerët i kanë thënë se janë të pamundura dhe se nuk ishte e mirëpritur, por ia ka dalë falë vullnetit të saj të fortë”, u shpreh Affleck.
Ai ka theksuar se Lopez ka ditur të shfrytëzojë edhe rrjetet sociale për t’u treguar të tjerëve se ekziston një publik që e mbështet dhe vlerëson punën e saj, edhe kur dyert e industrisë janë mbyllur për të.
Affleck ka bërë të ditur se Lopez është përballur me më shumë kritika dhe paragjykime sesa shumë kolegë, duke sugjeruar se ndaj saj vazhdojnë të zbatohen standarde të dyfishta.
“Kam një respekt të jashtëzakonshëm për atë që ka arritur. Ajo gjithmonë ka vepruar me bindjen: ‘Edhe nëse askush tjetër nuk beson tek unë, unë do të besoj te vetja’”, ka thënë ai.
Aktori e ka vlerësuar gjithashtu guximin e Lopezit për të marrë rreziqe profesionale dhe për të investuar paratë e saj në projektet që besonte.
“Ajo ka bërë gjithçka që na thuhet se bëjnë sipërmarrësit e mëdhenj amerikanë dhe ka arritur suksese të jashtëzakonshme. Nuk kam asgjë tjetër veçse respekt për të”, ka shtuar Affleck.
Një nga vlerësimet më të forta të aktorit lidhej me përkushtimin e Lopezit ndaj punës.
“Ajo është ndoshta personi më punëtor që kam njohur ndonjëherë. Mendoj se edhe unë punoj shumë, por kur jam pranë saj, habitem dhe them me vete: ‘Uau, kjo është vërtet diçka e jashtëzakonshme’”, u shpreh ai.
Affleck dhe Lopez u martuan në vitin 2022, pasi kishin rikthyer lidhjen e tyre gati dy dekada pas anulimit të fejesës së parë. Ata u ndanë në vitin 2024.