Ekspozita e planifikuar për të nderuar karrierën e disenjatorit të njohur John Galliano në kuadër të ngjarjes më të madhe të modës “Met Gala 2027” nuk do të zhvillohet, pas javësh kritikash dhe polemikash, ka shkruar Noticias CBS.
Galliano ka njoftuar se, pas diskutimeve dhe reflektimit, ka vendosur që ekspozita të mos mbahet për momentin.
“Pas shumë reflektimesh dhe diskutimesh me të gjithë të përfshirët, kam vendosur, me shumë trishtim, se është më mirë që ekspozita të mos zhvillohet në këtë moment”, ka thënë stilisti.
Muzeu Metropolitan i Artit në New York konfirmoi gjithashtu se ekspozita, e cila do t’i kushtohej karrierës së tij prej katër dekadash, “nuk do të zhvillohet siç ishte planifikuar”.
Vendimi për të ekspozuar punën e Gallianos shkaktoi reagime të forta për shkak të historisë së tij me deklarata antisemitike dhe raciste.
Në vitin 2011, këto deklarata çuan në largimin e tij nga shtëpia e modës “Christian Dior”, ndërsa më vonë ai u dënua në Francë për një vepër që lidhej me urrejtjen.
Galliano ka thënë se vazhdon të mbajë përgjegjësi për fjalët e tij të së kaluarës.
“Unë vazhdoj të mbaj përgjegjësi të plotë për dhimbjen që shkaktuan fjalët e mia në të kaluarën, sidomos për lëndimin që u kam shkaktuar komuniteteve hebraike dhe aziatike dhe më vjen thellësisht keq”, u shpreh ai.
Galliano është një nga disenjaotrët më të njohur për krijimet e tij teatrale dhe ekstravagante, por e kaluara e tij ka vazhduar të mbetet objekt debati në botën e modës.