Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Rajón

Masiva protesta estudiantil en Belgrado en vísperas de las elecciones.

bg

Foto: Prensa asociada

Rreth 150 mijë mbështetës të lëvizjes studentore opozitare në Serbi u mblodhën të enjten në qendër të Beogradit, me synimin për ta larguar partinë e liderit Aleksandar Vuçiq në zgjedhjet parlamentare që mbahen këtë fundjavë.

Lista Studentore, një lëvizje pa udhëheqës, synon t’i japë fund më shumë se 14 vjetëve të qeverisjes së Partisë Progresive Serbe (SNS), të Vuçiqit, e cila karakterizohet si populiste e krahut të djathtë. Votimi do të mbahet të dielën, raportoi Guardian. 

Organizatat e shoqërisë civile kanë deklaruar se fushata e tij është shoqëruar me frikësime, arrestime dhe keqpërdorim të burimeve publike.

“Kam ardhur për ta mbështetur Listën Studentore, sepse të rinjtë më në fund më kanë dhënë shpresë se është e mundur të jetojmë në një vend normal”, ka deklaruar Marija Nedeljkoviq Radiq, 47 vjeçe, teksa po i bashkohej tubimit të studentëve.

Votimi i së dielës vjen pas gati dy vjetësh protestash të udhëhequra nga studentët, të cilat nisën pas shembjes së një strehe betoni në vitin 2024, në stacionin hekurudhor të rinovuar asokohe në Novi Sad. Tragjedia u mori jetën 16 personave.

Kjo ngjarje nxiti disa nga protestat më të mëdha në Serbi që nga rënia e Sllobodan Millosheviqit në vitin 2000.

Lëvizja kundër korrupsionit, e udhëhequr nga studentët universitarë, u zgjerua nga kërkesat për një hetim transparent të tragjedisë në kërkesa për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Duke valëvitur flamuj me mbishkrimin “Studentët po fitojnë”, duke brohoritur dhe duke i fryrë bilbilave, studentët dhe mbështetësit e tyre marshuan nëpër Beograd, përpara se të mblidheshin në sheshin Slavija, ku janë zhvilluar disa nga protestat e tyre më të mëdha.

Grupi i pavarur për monitorimin e tubimeve publike, Arkivi i Tubimeve Publike, vlerësoi se në protestë ishin mbledhur rreth 150 mijë njerëz.

“Ne po i japim fund 14 vjetëve të poshtërimit, kaosit dhe tradhtisë, si dhe dekadave gjatë të cilave interesat personale dhe partiake janë vendosur mbi interesat tuaja”, i tha turmës profesori universitar Jugoslav Gashiq, njëri prej 250 kandidatëve të Listës Studentore.

Turma brohoriste: “Fitore, fitore!”

Vuçiqi ka dominuar politikën serbe për më shumë se një dekadë, duke shërbyer herë si kryeministër e herë si president.

Përballë presionit në rritje, muajin e kaluar Vuçiqi shpalli zgjedhje të parakohshme, duke i hapur rrugën sfidës më të madhe zgjedhore që nga marrja e pushtetit nga partia e tij në vitin 2012.

Të enjten, Vuçiqi iu drejtua mbështetësve të tij në një sallë sportive në kryeqytet. Ai e ka akuzuar vazhdimisht lëvizjen studentore se po përpiqet të organizojë një grusht shteti të financuar nga jashtë.

Shumë prej 250 kandidatëve të Listës Studentore që garojnë për 250 ulëset e parlamentit vijnë nga bota akademike ose janë persona që qëllimisht qëndrojnë jashtë politikës tradicionale.

Lëvizja ka një program të gjerë, por në thelb të tij qëndron zotimi për të luftuar korrupsionin.

Serbia nuk ka sondazhe të pavarura dhe të besueshme, ndërsa anketat e publikuara kanë dhënë rezultate shumë të ndryshme.

Vetëm pak ditë para votimit, organizatat e shoqërisë civile në Serbi paralajmëruan se nuk ishin krijuar kushtet për zgjedhje “të lira dhe të drejta”.

Të mërkurën, prokurorët në Beograd morën në pyetje gjashtë persona të arrestuar nën dyshimin se kishin planifikuar “dhunë, trazira dhe sulme” gjatë ditës së zgjedhjeve.

Gjatë muajve të fundit janë shtuar raportimet për kërcënime dhe frikësime ndaj protestuesve studentorë. Megjithatë, që nga fillimi i protestave, tubimet e tyre kanë mbetur kryesisht paqësore.