Plot tri medalje të bronzta i kanë fituar xhudistët e Kosovës të premten në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Të premten ishte dita e parë e garave të xhudos. Ndonëse është pritur që Kosova të fitojë edhe të arta, bilanci prej tri medaljeve është për t’u vlerësuar.
Kosova tashmë i ka katër medalje në “Taranto 2026”, ndërsa të tjera priten të shtunën, kur vazhdojnë garat e xhudos.
Të premten medalje të bronzta fituan Akil Gjakova në kategorinë deri 73 kilogramë, Fatjona Kasapi në kategorinë deri 52 kilogramë dhe Flaka Loxha në kategorinë deri 57 kilogramë.
Gjithsej garuan pesë xhudistë. Dardan Cena në kategorinë deri 81 kilogramë dhe Erza Muminoviq në kategorinë deri 48 kilogramë, i humbën luftërat për vendin e tretë. U renditën në pozitën e pestë.
Të shtunën garojnë Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë dhe Shpati Zekaj në kategorinë deri 100 kilogramë. Sportistja më e mirë në vend, Distria Krasniqi, nuk garon në Taranto.
Të enjten boksierja Donjeta Sadiku fitoi të artën në kategorinë deri në 60 kilogramë.
Dhe të premten, ashtu si pritej, xhudistët sollën medalje. Në tri edicionet e deritashme të Lojërave Mesdhetare, xhudistët e kryemjeshtrit Driton Kuka, i sollën Kosovës plot 12 medalje. Ky numër me shumë mundësi do të rritet të shtunën.