"Industria e jetëgjatësisë" premton rininë e përhershme, por sipas gastroenterologut Seamus O’Mahony, shkenca ende nuk ka gjetur një mënyrë të provuar për të ngadalësuar plakjen te njerëzit. Ai paralajmëron se pas këtyre premtimeve fshihen interesa të mëdha financiare dhe një frikë gjithnjë e më e madhe nga vdekja
Për më shumë se 30 vjet, mjeku britanik Seamus O’Mahony ka punuar në spitale dhe është marrë me çështje që lidhen me sëmundjet, plakjen dhe fundin e jetës. Me kalimin e viteve, ai është shqetësuar gjithnjë e më shumë për mënyrën se si shoqëria moderne përpiqet ta shtyjë vdekjen me çdo kusht, ka shkruar The Telegraph.
Sot, ai kritikon edhe industrinë e jetëgjatësisë, ku miliarderët investojnë shuma marramendëse për të zgjatur jetën, për të luftuar plakjen dhe, në disa raste, për të kërkuar mënyra për ta mposhtur vdekjen.
Në librin e tij të ri, “The Longevity Delusion: Money, Myths and Bad Science” (Iluzioni i jetëgjatësisë: Paratë, mitet dhe shkenca e dobët), O’Mahony shqyrton pretendimet e kësaj industrie dhe vë në pikëpyetje nëse premtimet e saj mbështeten vërtet nga shkenca.
A mund ta ndalojë shkenca plakjen?
Sipas O’Mahonyt, deri më sot nuk është provuar që ndonjë trajtim mjekësor mund ta ngadalësojë procesin e plakjes te njerëzit në tërësi.
Shkencëtarët kanë arritur ta zgjasin jetëgjatësinë e disa organizmave, si krimbat, mizat e frutave dhe minjtë, përmes kufizimit të kalorive dhe përdorimit të substancave të caktuara. Por rezultatet te kafshët nuk nënkuptojnë se të njëjtat metoda do të funksionojnë te njerëzit.
Trupi i njeriut është jashtëzakonisht kompleks dhe procesi i plakjes ende nuk kuptohet plotësisht.
“Nga bisedat me disa prej ekspertëve më të njohur të biologjisë së plakjes dhe nga studimi i literaturës shkencore, arrita në përfundimin se ne ende nuk e kuptojmë vërtet procesin e plakjes”, shprehet O’Mahony.
Ai është skeptik ndaj premtimeve se së shpejti do të shfaqet një pilulë, injeksion apo teknologji që do t’i shtojë njerëzimit shumë vite jetë.
Kjo nuk do të thotë se mjekësia nuk mund të përmirësojë shëndetin ose të trajtojë sëmundjet e lidhura me moshën. Por, sipas tij, të jetosh më gjatë falë përmirësimit të shëndetit nuk është e njëjta gjë me ndalimin ose ngadalësimin biologjik të plakjes.
Pse kemi kaq shumë frikë nga plakja?
O’Mahony beson se obsesioni me jetëgjatësinë lidhet edhe me ndryshimet kulturore dhe mënyrën se si shoqëria moderne e sheh vdekjen.
Në të kaluarën, të moshuarit shpesh konsideroheshin burim urtësie dhe përvoje. Sot, sipas tij, pleqëria shihet gjithnjë e më shumë si diçka që duhet shmangur, ndërsa vdekja si një problem që duhet zgjidhur.
Një tjetër faktor është ideja e “plakjes së suksesshme”, sipas së cilës njerëzit mund të qëndrojnë të shëndetshëm dhe aktivë deri në moshë shumë të madhe, nëse bëjnë zgjedhjet e duhura.
Por realiteti është më kompleks.
“Ekziston miti se shëndeti është tërësisht përgjegjësi personale dhe se, nëse bën gjithçka si duhet, nuk do të vuash nga sëmundjet e pleqërisë, nuk do të bëhesh i shëndetligë dhe nuk do ta humbësh pavarësinë”, thotë mjeku.
Edhe njerëzit që ushqehen shëndetshëm, ushtrohen dhe kujdesen për veten mund të sëmuren ose të përjetojnë probleme shëndetësore në moshë të madhe.
Për këtë arsye, ai kundërshton idenë se plakja dhe sëmundjet janë domosdoshmërisht rezultat i dështimit personal.
Për miliarderët, jetëgjatësia është luksi i radhës
Industria e jetëgjatësisë po tërheq investime të mëdha nga njerëzit më të pasur në botë. Pasi kanë siguruar shtëpi luksoze, jahte dhe avionë privatë, disa prej tyre po kërkojnë diçka që paratë ende nuk mund ta garantojnë: më shumë kohë për të jetuar.
Disa paguajnë shuma të mëdha për kontrolle të avancuara shëndetësore, skanime të gjithë trupit dhe analiza gjenetike, me shpresën se do t’i zbulojnë sëmundjet përpara se të shfaqen simptomat.
Të tjerë investojnë në teknologji eksperimentale ose kriopreservimi, procesi përmes të cilit trupi ose truri ruhet në temperatura shumë të ulëta pas vdekjes, me shpresën se teknologjia e së ardhmes mund të mundësojë ringjalljen.
Megjithatë, deri më sot, nuk është provuar se kriopreservimi mund t’i rikthejë njerëzit në jetë.
Sipas O’Mahonyt, një pjesë e industrisë së teknologjisë e trajton trupin e njeriut si një makinë që mund të riprogramohet.
“Ideja se trupi i njeriut është një grup të dhënash që mund të riprogramohet është një iluzion”, argumenton ai.
Sipas tij, biologjia njerëzore është shumë më e ndërlikuar sesa një sistem kompjuterik dhe nuk mund të trajtohet thjesht si një problem teknologjik që pret zgjidhjen e duhur.
Paratë dhe arsimi mund të kenë ndikim më të madh në jetëgjatësi
Një nga përfundimet kryesore të mjekut është se jetëgjatësia nuk varet vetëm nga teknologjia dhe trajtimet e reja.
“Dy nga faktorët më të fuqishëm që ndikojnë në jetëgjatësi janë paratë dhe arsimi”, thotë ai.
Njerëzit që kanë siguri financiare dhe nivel më të lartë arsimimi, në përgjithësi, kanë mundësi më të mira për të jetuar më gjatë dhe për të kaluar më shumë vite pa sëmundje kronike apo paaftësi.
Të ardhurat, kushtet e jetesës, ushqyerja, arsimi dhe qasja në kujdes shëndetësor ndikojnë ndjeshëm në shëndetin e popullsisë.
Për këtë arsye, O’Mahony kritikon përqendrimin e madh të industrisë te trajtimet e shtrenjta për individët e pasur, ndërkohë që faktorët bazë që përmirësojnë shëndetin e miliona njerëzve mund të marrin më pak vëmendje.
Çka mund të bëjmë për të jetuar më gjatë dhe më shëndetshëm?
Pavarësisht kritikave ndaj industrisë së jetëgjatësisë, mjeku thekson se ka masa të thjeshta që mund të ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit.
Ai rekomandon të mos pihet duhan, të kufizohet konsumimi i alkoolit, të bëhet aktivitet fizik rregullisht, të ndiqet një dietë e ekuilibruar, me sa më pak ushqime shumë të përpunuara dhe konsum të kufizuar të mishit, të ruhen marrëdhëniet shoqërore dhe lidhjet me njerëzit e afërt, si dhe të kultivohet një ndjenjë qëllimi dhe kuptimi në jetë.
Këto masa nuk e garantojnë një jetë të gjatë dhe nuk e ndalojnë plakjen, por mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut për sëmundje dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës.
Plakja nuk duhet parë si armik
Për O’Mahonyn, problemi nuk është dëshira për të qenë të shëndetshëm apo për të jetuar më gjatë. Problemi lind kur jetëgjatësia kthehet në një obsesion dhe kur çdo shenjë e plakjes shihet si diçka që duhet luftuar.
Ai beson se pleqëria mund të sjellë përvoja, kënaqësi dhe një kuptim më të thellë të jetës, të cilat shpesh nuk i kemi në rini.
Pranimi i plakjes dhe përgatitja për fundin e jetës nuk nënkuptojnë heqje dorë nga kujdesi shëndetësor. Përkundrazi, ato mund të na ndihmojnë të përqendrohemi te ajo që ka vërtet rëndësi: shëndeti, marrëdhëniet njerëzore dhe koha që kemi.