Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Estilo de Vida

Consejos de expertos para padres antes de la temporada de gripe

Resfriado y gripe

Resfriado y gripe

Me nisjen e sezonit të gripit, prindërit duhet të marrin disa masa për t'i mbrojtur fëmijët dhe për të qenë të përgatitur nëse ata sëmuren, ka shkruar ABC Noticias.

Gripi mund të jetë më serioz se një ftohje e zakonshme, sidomos te fëmijët nën 5 vjeç dhe ata që kanë probleme shëndetësore kronike.

Ekspertja e sëmundjeve infektive, doktoresha Jeanne Marrazzo, ka dhënë disa këshilla për prindërit.

Vaksina e gripit mbetet mbrojtja kryesore

Shoqata e Sëmundjeve Infektive të Amerikës dhe organizata të tjera mjekësore, përfshirë Akademinë Amerikane të Pediatrisë, rekomandojnë vaksinimin kundër gripit për të gjithë personat mbi 6 muajsh, përfshirë fëmijët dhe prindërit.

“Shumica dërrmuese e rasteve më të rënda, përfshirë shtrimet në spital dhe vdekjet nga gripi, ndodhin te fëmijët që nuk janë vaksinuar”, ka thënë ajo.

Sipas Marrazzos, vitet e fundit kanë qenë veçanërisht të vështira për fëmijët. Në vitet e rënda të gripit janë regjistruar rreth 150-180 vdekje të fëmijëve dhe më shumë se 90 për qind e tyre nuk ishin të vaksinuar.

Fëmijët nga 6 deri në 23 muaj mund të marrin vaksinën e gripit me injeksion. Për fëmijët nga 2 deri në 8 vjeç ekziston edhe mundësia e vaksinës në formën e spërkatësit për hundë.

Megjithatë, vaksina me spërkatës për hundë nuk rekomandohet për fëmijët me sistem imunitar të dobësuar apo për disa fëmijë me probleme të caktuara shëndetësore, ndaj prindërit duhet të konsultohen me mjekun.

Fëmijët mbi 9 vjeç mund të marrin vaksinën me injeksion, spërkatësin e hundës ose një lloj tjetër vaksine kundër gripit.

Çka duhet të keni në shtëpi?

Prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve t'i lajnë duart rregullisht dhe të mbulojnë gojën kur kolliten ose teshtijnë.

Simptomat e gripit mund të përfshijnë temperaturë, të dridhura, kollë, dhimbje fyti, hundë të zëna ose rrjedhje hundësh, dhimbje muskujsh dhe trupi, dhimbje koke, lodhje, si dhe të vjella ose diarre.

Ekspertja këshillon që në shtëpi të ketë ilaçe të përshtatshme për fëmijët për uljen e temperaturës, si acetaminofeni ose ibuprofeni, sipas udhëzimit të mjekut dhe dozës së përshtatshme për moshën.

“Përveç trajtimit të temperaturës, kujdesi kryesor është mbështetës. Duhet të siguroheni që fëmija të marrë mjaftueshëm lëngje. Nëse dyshoni se ka grip, është mirë që të mos qëndrojë pranë pjesëtarëve të tjerë të familjes”, ka thënë ajo.

Kur duhet kontaktuar mjeku?

Prindërit duhet të kontaktojnë pediatrin nëse kanë shqetësime për gjendjen e fëmijës, veçanërisht nëse simptomat përkeqësohen.

Kujdes i veçantë duhet treguar te fëmijët shumë të vegjël, sidomos nën 1 vjeç, si dhe te fëmijët me sëmundje të tjera, përfshirë astmën, sëmundjet e mushkërive, kancerin ose probleme të tjera serioze shëndetësore.

“Nëse keni një fëmijë shumë të vogël, veçanërisht nën 1 vjeç, nuk duhet ta neglizhoni situatën. Duhet të siguroheni që është mirë”, ka thënë doktoresha.

Ekspertja thekson se edhe fëmijët me probleme serioze shëndetësore ose ata që marrin trajtime të veçanta, si dializa, duhet të monitorohen më nga afër dhe të kenë kontakt me mjekun.