Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Estilo de Vida

Un nuevo estudio revela que dormir incluso con poca luz puede dañar el corazón.

dormitorio

dormitorio

Fjetja edhe me sasi të vogla drite mund të ndikojë në strukturën dhe funksionimin e zemrës dhe të rrisë rrezikun për probleme kardiovaskulare në të ardhmen, sugjeron një studim i ri, ka shkruar CNN.

Studiuesit zbuluan se njerëzit që flinin në ambiente me më shumë se 3 lux dritë kishin ndryshime në muskujt e zemrës. Sa më e ndriçuar ishte dhoma, aq më të theksuara ishin ndryshimet. (Lux është njësia që përdoret për të matur sa e ndriçuar është një sipërfaqe, pra sa dritë bie mbi të.)

“'Ndotja nga drita' është shfaqur si një faktor i ri rreziku për sëmundjet kardiovaskulare”, ka thënë doktori Lu Qi, autor kryesor i studimit dhe profesor në Universitetin Tulane.

Sipas ekspertëve, për një gjumë cilësor dhoma e gjumit duhet të jetë sa më e errët, idealisht rreth 1 lux ose më pak. Për krahasim, 3 lux është afërsisht niveli i dritës së hënës ose i një drite që depërton poshtë derës së mbyllur.

Si ndikon drita te zemra?

Studimi analizoi më shumë se 11 mijë persona pa sëmundje kardiovaskulare. Ata mbajtën një sensor në kyç të dorës për shtatë ditë për të matur ekspozimin ndaj dritës gjatë natës. Tri vjet më vonë, iu kryen skanime të zemrës për të vlerësuar strukturën dhe funksionimin e saj.

Te personat që flinin me më shumë se 3 lux dritë, muret e njërës prej dhomave kryesore të zemrës ishin më të trasha, duke zvogëluar hapësirën brenda saj. U vu re gjithashtu një ulje e aftësisë së muskulit të zemrës për t’u relaksuar dhe për t’u zgjeruar gjatë rrahjeve.

Ky proces, i njohur si “remodelimi i zemrës”, mund të lidhet me probleme të funksionimit të saj.

“Nuk duam që muskuli i zemrës të trashet apo të ngurtësohet dhe as që zemra të zmadhohet. Të gjitha këto ndryshime duket se mund të ndodhin kur ekspozohemi ndaj dritës së tepërt dhe kur gjumi është me cilësi të dobët”, ka thënë doktori Andrew Freeman, i cili nuk ishte pjesë e studimit.

Studiuesit vlerësuan se rreth 24 deri në 49 për qind e ndikimit në zemër mund të lidhej me gjumin më të shkurtër, më pak se pesë ose gjashtë orë, që mund të shkaktohet nga ekspozimi ndaj dritës gjatë natës.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se studimi nuk provon se drita shkakton drejtpërdrejt sëmundje të zemrës. Matja e ekspozimit vetëm për një javë dhe përdorimi i sensorit në kyç të dorës kanë kufizime, ndaj nevojiten studime të tjera.

Si ta mbani dhomën më të errët?

Ekspertët rekomandojnë disa hapa të thjeshtë, si përdorimi i perdeve të trasha ose perde që bllokojnë dritën, fikjen e dritave të korridorit gjatë natës, mbajtjen e telefonave dhe pajisjeve që lëshojnë dritë larg shtratit. Nëse keni nevojë për një dritë nate, zgjidhni një dritë shumë të zbehtë, të kuqe ose në nuanca të ngrohta, dhe vendoseni pranë dyshemesë. Nëse drita vazhdon të hyjë në dhomë, përdorni maskë për gjumë. Në mëngjes, hapni perdet dhe ekspozohuni ndaj dritës natyrale, e cila ndihmon në rregullimin e ritmit biologjik të trupit.