Apoya a TIME. Preserva la verdad.
NOTICIAS DE LA NOCHE

El PDK se dirige a la "Asamblea inconstitucional" y propone limitar el mandato de la Asamblea Especial.

DCP

Foto de : Driton Pacharada

Me anë të ndryshimeve ligjore, në Partinë Demokratike synojnë që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, si dhe të vendoset monitorim ndërkombëtar i punës së saj. Ndërsa për krimet e luftës, për të cilat u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë. PDK-ja e ka dorëzuar nismën në Kuvend, konstituimin e të cilit e ka kontestuar në Kushtetuese

Kufizim të mandatit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe monitorim ndërkombëtar të punës së saj, synon Partia Demokratike përmes ndryshimeve ligjore.

Të hënën, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, njoftoi se kanë proceduar në Kuvend nismën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të Specializuar.

Hamza ka thënë se meqë Specialja u krijua për të adresuar pretendimet e ngritura në raportin e Dick Martyt, në Hagë duhet të gjykohen akuzat që kanë të bëjnë me trafikim organesh dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa rastet që kanë të bëjnë me krime të luftës të barten në Kosovë. 

“Projektligji parashikon gjithashtu që, kur një rast nuk hyn në këtë juridiksion, ai të transferohet në Kosovë se bashku me dosjen, provat dhe materialet e tij. Pra drejtësia vazhdon, por vazhdon aty ku ligji thotë se duhet të vazhdojë”, ka thënë Hamza. 

Të mërkurën, Specialja shqiptoi dënim me burgim prej 81 vjetësh për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për krime lufte, e i shpalli të pafajshëm për krime kundër njerëzimit. 

Për këtë rast, Hamza tha se projektligji parasheh që procedura e Apelit të vazhdojë në Hagë, ndërsa pas përfundimit të saj, çështja të trajtohet në Kosovë, përfshirë mundësinë e rigjykimit ose procedurës para Gjykatës Supreme, pasi projektligji parasheh heqjen e kompetencës së Speciales për krimet e luftës.

Sipas kryetarit të PDK-së, Specialja duhet t’i nënshtrohet transparencës dhe llogaridhënies. 
Hamza u shpreh se edhe kjo çështje është adresuar në projektligjin e propozuar. 

“Projektligji propozon që organizata ndërkombëtare profesionale dhe të pavarura të mund të autorizohen për të monitoruar punën e tyre. Jo për të ndërhyrë në aktgjykime, jo për t’u treguar gjyqtarëve se si të vendosin, por për të parë nëse respektohen të drejtat e njeriut, standardet e gjykimit të drejtë, kushtet e paraburgimit, mbrojtja e dëshmitarëve dhe kohëzgjatja e proceseve”, ka theksuar ai. 

Që ky projektligj të hyjë në fuqi, nevojitet miratimi i shumicës në Kuvend. 

Hamza e la të hapur që t’i tërheqë dy lëndët nga Gjykata Kushtetuese që kanë të bëjnë me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, nëse merr garanci për mbështetjen e nismës ligjore të propozuar të hënën. 

“Partia Demokratike e Kosovës gjithmonë do ta ketë prioritet të prioriteteve ligjin. Ky ligj pa ardhur që të trajtohet në Kuvend nuk tërhiqet. Veç deputetët e Kuvendit të Kosovës munden, nuk po dua të paragjykoj negativisht, por po e them ndryshe, ata duhet ta përkrahin me votë pozitive. PDK-ja nuk e tërheq këtë ligj, edhe e dinë ata kujt po i referohem”. 

Në dhjetor të vitit 2010, para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, senatori zviceran, Dick Marty, prezantoi raportin në të cilin pretendohej se pjesëtarë të UÇK-së janë përfshirë në trafikim të organeve njerëzore dhe krime të tjera. 

Mbi bazën e këtij raporti ishte ngritur një task-forcë hetuese e udhëhequr nga prokurori Clint Williamson, i cili pas hetimit, konstatoi që nuk ka prova për trafikim organesh, por se ka dëshmi të mjaftueshme për një aktakuzë për krime të tjera. 

Gjykata Speciale u themelua falë ndryshimeve Kushtetuese e ligjore të miratuara në Kuvendin e Kosovës në gusht të 2015-s. 

E pikërisht, konstiuimi i Kuvendit është bërë dy vjetët e fundit çështje e debatit të fortë politik në Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës, një javë më parë i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme ndaj Kuvendit, derisa ajo të shqyrtojë nëse konstituimi i tij u bë në përputhje me Kushtetutën. Kuvendi i Kosovës u konstituua pa zgjedhjen e nënkryetarit të dytë, i cili i takon PDK-së, pasi kjo e fundit nuk mori pjesë në seancë duke e akuzuar pushtetin për shkelje të procesit.

Sipas PDK-së, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet e shkeli afatin kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit dhe procedurën për thirrjen e seancës çdo 48 orë deri në konstituimin e tij.
Partia e dytë e renditur në zgjedhjet e fundit parlamentare, një ditë pas kontestimit të konstituimit të Kuvendit i ka kërkuar Kushtetueses ta shqyrtojë edhe nëse Qeveria e re e Kosovës është zgjedhur në mënyrë të ligjshme.