Apoya a TIME. Preserva la verdad.
NOTICIAS DE LA NOCHE

KLA OVL solicita que no se retrase la modificación de la Ley de Fuerzas Especiales.

Gazmend Syla - Conferencia - OVL-UCK

Foto de : Driton Pacharada

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka bërë thirrje Qeverisë ta procedojë sa më parë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla, ka paralajmëruar me protesta nëse nuk procedohen ndryshimet ligjore

Nëse nuk procedohen ndryshimet e propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës në Ligjin për Dhomat e Specializuara, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar protesta.

Nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla, ka thënë të martën se miratimi i këtij Projektligji nuk duhet të zvarritet, derisa ka mirëpritur miratimin e Deklaratës lidhur me vendimin e Speciales ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Kuvendi i Kosovës.

“Dhe e kuptojmë që në qoftë se nuk do të merren parasysh edhe kërkesat tona, edhe kjo kërkesë që ka dalë nga një parti politike, në këtë rast e PDK-së, për t’i futur këto ndryshime në ligj, e kuptojmë që është qëllim i keq, e sigurisht ne kemi me i marrë veprimet tona, edhe po e kemi me dalë në rrugë, po do t’i japim mundësi të gjithë atyre në institucionet tona që me u shprehë deri para asaj date, por sido që të jetë, në qoftë se nuk procedohet më tutje, ne veteranët e kategoritë e dala nga lufta nuk do të rrimë duarkryq edhe kemi me i marrë hapa të tjerë, për të cilët do t’ju bëjmë të ditur”, ka thënë Syla.

Syla ka folur edhe për marshin e paralajmëruar për datën 1 tetor. 

Ai ka bërë të ditur se OVL-UÇK-ja ka përfunduar përgatitjet për marshin i cili do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe u ka bërë thirrje veteranëve të luftës dhe qytetarëve që t’i bashkohen këtij organizimi.

“Çështja e dytë për të cilën ju kemi thirrur sot është që organizatat e veteranëve të UÇK-së i kanë bërë të gjitha përgatitjet për marshin e datës 1 tetor. Nga këtu edhe një herë ju bëjmë thirrje të gjitha kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, por edhe të gjithë qytetarëve që ndjejnë që kjo padrejtësi e datës 16 shtator ka cenuar luftën tonë të drejtë dhe shtetësinë e Kosovës, që më datën 1 tetor të jenë në sheshin ‘Skënderbeu’, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se organizime të tilla do të vazhdojnë deri në kthimin e bashkëluftëtarëve të tyre në shtëpi, duke e cilësuar marshin e 1 tetorit si paralajmërim për veprimet e ardhshme.

Më 16 shtator Gjykata Speciale i ka dënuar për krime lufte ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 e Rexhep Selimin me 13 vjet. 

Protesta, që nga 16 shtatori kur është shpallur vendimi i Speciales janë mbajtur në shtete të ndryshme ku jetojnë shqiptarë, e në Prishtinë çdo ditë.