Apoya a TIME. Preserva la verdad.
NOTICIAS DE LA NOCHE

Comienza el juicio contra los acusados ​​de asesinar a 370 civiles albaneses.

Comienza el juicio contra los acusados ​​de asesinar a 370 civiles albaneses.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur gjykimi në mungesë ndaj 53 personave të akuzuar për masakrën e Mejës. Ata dyshohen për përfshirje në vrasjen e 370 civilëve shqiptarë dhe dëbimin e shumë të tjerëve gjatë luftës së vitit 1999. Asnjëri prej tyre nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa Gjykata ka konstatuar se janë bërë përpjekjet e nevojshme për sigurimin e prezencës së tyre në proces

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur gjykimi në mungesë ndaj 53 personave të akuzuar për masakrën e Mejës dhe krimet ndaj civilëve në fshatrat përreth, gjatë luftës në Kosovë.

Meqë asnjëri nga të akuzuarit për vrasjen e 370 civilëve nuk ishte i pranishëm në sallë, Gjykata vendosi që procedura të zhvillohet në mungesë.

Sipas gjyqtares së rastit, Violeta Namani-Hajra, Gjykata ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për sigurimin e prezencës së të pandehurve, të cilët deri tash ndodhen në arrati.

“Gjykata Themelore, duke iu referuar adresave të banimit, i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, për Zyrën Ndërlidhëse me seli në Beograd, me kërkesë për identifikimin e të pandehurve që kanë adresa në Serbi, si dhe për t’i njoftuar për mbajtjen e seancës. Mirëpo, deri tani nuk kemi ndonjë përgjigje lidhur me kërkesën e Gjykatës”, ka bërë të ditur gjyqtarja Namani-Hajra.

Të gjithë të akuzuarit për planifikim dhe pjesëmarrje në vrasjen e 370 civilëve shqiptarë në Mejë dhe fshatrat afër saj, sipas Namani-Hajrës do të përfaqësohen gjatë procesit gjyqësor nga mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.

“Të pandehurit do të përfaqësohen nga mbrojtja, konform rregullave, gjatë gjithë procesit në këtë çështje penale. Andaj, Gjykata vlerëson se janë plotësuar kushtet për shqyrtimin fillestar për këtë çështje penale”.

Seanca e kaluar kishte dështuar për shkak të mungesës së tre avokatëve mbrojtës.

Edhe prokurori Ilir Morina tha se Prokuroria qëndron pranë qëndrimit të paraqitur në seancën e kaluar dhe se janë plotësuar kushtet ligjore për zhvillimin e gjykimit në mungesë.

“Ne qëndrojmë pranë elaborimit të dhënë në seancën e kaluar. Sa i përket rolit të Prokurorisë në ngritjen e aktakuzës në mungesë, konsiderojmë se janë përmbushur kushtet ligjore për të ngritur aktakuzë në mungesë”, ka deklaruar Morina.

Të akuzuarit, brenda afatit prej 30 ditësh, mund të kundërshtojnë provat dhe të paraqesin kërkesë për hedhjen e aktakuzës.

Gjykimi po zhvillohet pas vendimit të Gjykatës së Apelit të 25 majit 2026, e cila e kishte kthyer në rivendosje vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me konfirmimin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se në fshatin Mejë janë vrarë 283 civilë, në fshatin Korenicë 66 civilë, në fshatin Pacaj 1 civil, në fshatin Dobrosh 3 civilë, në fshatin Rracaj 3 civilë, në fshatin Nec 2 civilë, në fshatin Ramoc 5 civilë dhe në fshatin Bishtazhin janë vrarë 7 civilë; gjithsej 370 civilë të nacionalitetit shqiptar, trupat e të cilëve janë gjetur në tetë varreza masive në Batajnicë në Serbisë.

Po ashtu në dispozitivin e dytë të kësaj aktakuze thuhet se gjatë kohës, vendit dhe mënyrës së përshkruar sikur në pikën e parë të aktakuzës, forcat policore dhe ushtarake serbe, gjatë implementimit të planit të ashtuquajtur “Reka e Keqe”, ku bënin pjesë edhe të pandehurit, qoftë për shkak të pozitës udhëheqëse apo drejtpërdrejt si kryerës, kishin marrë pjesë në dëbimin e popullsisë civile nga shtëpitë e tyre.

Egzona Mema