Apoya a TIME. Preserva la verdad.
NOTICIAS DE LA NOCHE

Se aprueba el proyecto de ley sobre la prevención del blanqueo de capitales.

El parlamento de Kosovo

Foto de : Driton Pacharada

Deputetët kanë miratuar në shqyrtim të dytë Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit dhe kanë zgjedhur dy anëtarët jo ekzekutivë të Bordit të BQK-së. Por, për seancën e radhës u shtynë dy nga shtatë pikat e rendit të ditës. Mes tjerash, diskutime mes deputetit të PDK-së, Eman Rrahmanit dhe kryeministrit Albin Kurti ka nxitur çështja e Kodit Civil

Seanca e rregullt e Kuvendit të Kosovës, nuk qe “atraktive” për të gjithë ligjvënësit. Ndonëse zgjati rreth tri orë, salla e legjislativit u boshatis nga deputetët me t’u përmbyllur tri pikat e para të rendit të ditës, nga shtatë sa ishin gjithsej.

Edhe për shqyrtimin e tyre, interesimi qe i vogël, derisa në mungesë të deputetëve opozitarë, formimi i komisionit për përzgjedhjen e katër anëtarëve nga komunitetet joshumicë në Bordin e RTK-së, u shty për seancën e radhës.

“Meqenëse nuk janë edhe grupet e tjera parlamentare, në këtë rast LDK, PDK dhe AAK, ne jemi dakord që të shtyjmë votimin për seancën e radhës”, ka thënë Arbërie Nagavci, shefe e grupit parlamentar të LVV-së.

E përkundër se ishin prezentë fizikisht, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk morën pjesë në votimin e propozimeve të Listës Serbe për anëtarë të saj në komisionet parlamentare.

“Duket se deputetët nuk janë të gatshëm për të konstatuar kuorumin për këtë pikë dhe rrjedhimisht nuk kemi kuorum për këtë pikë dhe sipas rregullores, detyrohemi që këtë pikë ta zhvendosim për seancën e radhës”, ka thënë Ardian Gola, nënkryetar i Kuvendit.

Me limitin e votave të nevojshme, në mungesë të deputetëve nga grupet parlamentare të opozitës, është miratuar në shqyrtim të dytë ndryshim-plotësimi i Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Miratimi i këtij ligji, është pjesë e veprimeve që Kosova duhet të ndërmarrë në procesin drejt Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).

Paraprakisht, mes diskutimesh të deputetëve me anëtarët e kabinetit qeveritar, debat nxiti plani i Qeverisë për të miratuar këtë vit Projekt-Kodin Civil.

“Te Kodi Civil dihet çfarë është kundërshtuar, regjistrimi i martesave burrë me burrë, grua me grua. Te çështja e Ligjit për Fertilizim dihet çka është kundërshtuar dhe pse s’ka kaluar, lejimi që gratë të bëhen nëna pa u martuar, pa burrë, veç me dhurimin e spermatozoidit”, ka thënë Eman Rrahmani, deputet i PDK-së.

Atij i është kundërpërgjigjur kryeministri Albin Kurti.

“Kodi Civil, nëse nuk e kam gabim, i ka 997 faqe, i ka 1630 nene, ka mundësi që ndihmon nëse i lexoni dhe shqyrtoni edhe këto nenet e tjera. Është jashtëzakonisht voluminoz. Përqendrimi në vetëm në nja-dy nene është rrezik, ju bëhet obsesion. Nuk ndihmon ajo”, i është kundërpërgjigjur Kurti.
Në seancën e mbajtur të enjten, Kuvendi zgjodhi Nora Latifi-Jasharin dhe Bashkim Nurbojën, anëtarët jo ekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.