Sekretari i Qendrës së Lëvizjes në Prishtinë, Egzon Azemi, ka thënë se aksioni shpërfaq një problematikë jashtëzakonisht shqetësuese për kryeqytetin. Sipas tij, Komuna e Prishtinës për vite të tëra nuk ka blerë as edhe një kamion të vetëm për pastrimin e mbeturinave. Kryeqyteti dhe komunat përreth tij janë përballur në vitet e fundit vazhdimisht me problemin e mosgrumbullimit të mbeturinave
Në shenjë proteste për gjendjen me mbeturinat në kryeqytet, dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ka zhvilluar një aksion simbolik para Komunës, ku hyrja e objektit është bllokuar me thasë të mbushur me mbeturina.
Derisa aksioni po zhvillohej, Kompania “Pastrimi” ka reaguar duke i larguar thasët me mbeturina.
Sekretari i Qendrës së Lëvizjes në Prishtinë, Egzon Azemi, ka thënë se aksioni shpërfaq një problematikë jashtëzakonisht shqetësuese për kryeqytetin.
“Problemi i mbeturinave nuk ka qenë kurrë në historinë e kryeqytetit në këtë nivel kaq alarmant. Shumica e lagjeve të Prishtinës janë shndërruar pothuajse në deponi mbeturinash. Prandaj, sot me këtë aksion simbolik erdhëm t’ia kujtojmë zotëri Ramës problemin kryesor pothuajse që e ka kryeqyteti, përveç shumë e shumë problemeve të tjera me të cilat përballen çdo ditë qytetarët”, ka thënë Azemi.
Sipas tij, Komuna e Prishtinës për vite të tëra nuk ka blerë as edhe një kamion të vetëm për pastrimin e mbeturinave.
“Prishtina nuk ka qenë kurrë më e ndotur dhe Komuna e Prishtinës për vite të tëra nuk ka blerë as edhe një kamion të vetëm për pastrimin e mbeturinave. Në ndërmarrjen “Pastrimi” janë të punësuar rreth 900 punëtorë, por vetëm 100 e diçka prej tyre merren me pastrimin e qytetit. Pra, kjo flet se si i kanë shkatërruar ndërmarrjet duke punësuar zyrtarë administrativë edhe në Ndërmarrjen “Pastrimi”, e cila do të duhej t’i shërbente për mirëmbajtjen e qytetit”, ka thënë ai.
Kryeqyteti dhe komunat përreth tij janë përballur në vitet e fundit vazhdimisht me problemin e mosgrumbullimit të mbeturinave.
Disa komuna, ku operon ndërmarrja “Pastrimi”, kanë shpallur gjendje emergjente.
E javën e kaluar, kryetari Përparim Rama, bashkë me kryetarin e Lipjanit dhe atë të Drenasit, kanë thënë se për të përmirësuar këtë gjendje janë pajtuar që përgjegjësia për pastrimin e mbeturinave të rikthehet te komunat.