Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Cultura

El teatro en sellos postales recorre el mundo como una tradición de 80 años.

Teatri Kombëtar - pulla postare

Në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, ku Teatri Kombëtar i Kosovës është qiramarrës, të mërkurën janë lansuar pullat postare kushtuar shënimit të 80-vjetorit të institucionit. Është paralajmëruar se gjatë muajve të ardhshëm do të ketë edhe aktivitete të tjera

Emetimi i serisë së pullave postare “80-vjetori i Teatrit të Kosovës”, është njëri prej aktiviteteve të para me të cilat institucioni më i lartë teatror nis shënimin e jubileut. Në këtë formë, tradita e TKK-së rrugëton nëpër botë si imazh i njërës prej shtyllave kryesore të jetës kulturore në Kosovë. “Këto tetë dekada u bëfshin tetë shekuj”, ka qenë urimi i Kushtrim Mehmetit, udhëheqësit artistik, njëherësh ushtrues detyre i drejtorit të TKK-së

“Muharrem, Katarina, Bekim, Enver, Faruk, Abdurrahman, Meribane, Shani…” janë disa prej emrave që udhëheqësi artistik, njëherësh ushtrues detyre i drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, i ka përmendur në fjalën e tij në fillim të ceremonisë së emetimit të pullës postare “80-vjetori i Teatrit të Kosovës”. Në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, ku TKK-ja është qiramarrëse, të mërkurën janë lansuar pulla postare kushtuar shënimit të 80-vjetorit të institucionit. Është paralajmëruar se gjatë muajve të ardhshëm do të ketë edhe aktivitete të tjera. Imazhet e ndërtesës së TKK-së – aktualisht në restaurim – dhe të shfaqjeve, janë pjesë e pullave postare që, prej së mërkurës, do të nisin rrugëtimin nëpër botë.

“I nisëm këto fjalë me emra, sepse historia e Teatrit Kombëtar të Kosovës është histori njerëzish: e atyre që e krijuan këtë skenë, i dhanë zë dhe e mbajtën gjallë brez pas brezi. Rrugëtimi ynë nisi në Prizren, më 1946, dhe vazhdoi në Prishtinë. Nga një ansambël i lindur prej entuziazmit dhe përkushtimit, teatri u bë një nga shtyllat e jetës kulturore të Kosovës”, ka thënë Mehmeti në fjalën e tij, me të cilën edhe e ka hapur ceremoninë. Sipas tij, për tetë dekada, në këtë skenë janë takuar regjisori dhe dramaturgu, koreografi dhe kompozitori, kostumografi dhe garderobieri, skenografi dhe udhëheqësi teknik, dekoratori dhe rekuiziteri.

“Secili, në mënyrën e vet, ka ndihmuar që perdja të ngrihet dhe shfaqja të mbërrijë te publiku. Kjo histori ka pasur periudha të ndritshme, por edhe kohë të rënda. Në vitet ’90, shumë artistë shqiptarë u larguan nga teatri dhe liria krijuese u vu nën presion. Megjithatë, fjala teatrore nuk u shua. Ajo jetoi në kujtesën e artistëve, në përkushtimin e tyre dhe në besimin e publikut se skena do të hapej përsëri”, ka thënë Mehmeti. Sipas tij, emrat e përmendur janë një pjesë e kësaj trashëgimie, pasi pas tyre qëndrojnë edhe shumë të tjerë, artistë dhe punonjës që e kanë bërë të mundur teatrin.

“Ne vazhdojmë, sepse ju filluat. Ne nuk ju harrojmë, sepse ju guxuat. Ne nuk lodhemi, sepse ju jeni shtysa jonë. Këto tetë dekada u bëfshin tetë shekuj”, ka thënë ai.

Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij, ka përmendur shkurtimisht historinë e TKK-së. Ka folur edhe për të ardhmen.

“Sot, kur shënojmë këtë përvjetor, nderojmë jo vetëm historinë e institucionit, por edhe njerëzit të cilët e kanë ndërtuar e zhvilluar, që e mbajtën gjallë dhe po e përparojnë atë. Dua të shpreh mirënjohjen time për gjithë komunitetin teatror të Kosovës: aktorët, regjisorët, dramaturgët, skenografët, kostumografët, muzikantët dhe të gjithë punonjësit teknikë e administrativë. Faleminderit për talentin dhe inspirimin, për punën dhe përkushtimin tuaj, që kanë bërë të mundur vazhdimësinë dhe avancimin e teatrit ndër vite”, ka thënë ai.

Para të pranishmëve, ka thënë se përgjegjësia e Qeverisë është që kjo trashëgimi të ruhet dhe Teatri të ketë kushte për të ecur përpara.

“Në Teatrin Kombëtar të Kosovës po investojmë mbi shtatë milionë euro. Me përfundimin e punimeve, synojmë t’i kthejmë institucionit një pamje të rinovuar dhe kushte shumë më të mira, duke ruajtur autenticitetin e tij. Sepse Teatri Kombëtar nuk është vetëm shtëpi e artit, por edhe pjesë e trashëgimisë sonë kulturore”, ka thënë ai.

Kurti është zotuar se Qeveria do të vazhdojë ta mbështesë krijimtarinë artistike dhe zhvillimin e institucioneve kulturore, me synimin që teatri të mbetet një skenë e hapur për ide të reja, për artistët e rinj dhe për publikun.

“Duke e bërë kulturën sa më artistike dhe artin kulturë të shoqërisë, sfera publike shfaqet si shkollë e hapur për edukimin estetik të qytetarëve. E teatri është në qendër. Teatri si arti që na e mëson dhe e shqyrton më së miri raportin e secilit me tjetrin dhe rikthimin te vetja”, ka thënë kryeministri Kurti.

Kryeshefja ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, ka theksuar rëndësinë e filatelisë si mjet për ruajtjen e kujtesës kolektive dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

“Ashtu si teatri, që përmes skenës, interpretimit dhe emocioneve përcjell histori e vlera nga një brez te tjetri, edhe pulla postare e ruan këtë trashëgimi dhe e bën atë të udhëtojë përtej kufijve. Përmes këtij emisioni, historia tetëdekadëshe e Teatrit Kombëtar bëhet pjesë e kujtesës filatelike, duke prezantuar kulturën dhe krijimtarinë tonë para botës”, ka thënë ajo.

Sipas Rracit, përmes këtij emisioni, Posta e Kosovës nderon një institucion të rëndësishëm të kulturës dhe kontribuon në ruajtjen e vlerave që përfaqësojnë vendin.