Tradita mbi gjysmëshekullore – me gjithë mungesën e disa edicioneve në vitet ’90 shkaku i okupimit serb – e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare e ka shndërruar atë në një institucion lider që lidh botën me kulturën shqiptare. Në këtë frymë edhe ka nisur edicioni i 44-të i atij që është përshkruar edhe forum global i prezantimit të studimeve albanologjike
Amfiteatri i Bibliotekës Universitare paraditen e së hënës, ka bërë bashkë studiues të shumtë nga vendi, rajoni e përtej nga shtete të ndryshme të botës. Prej atyre që janë midis shtyllave të albanologjisë, si akademik Rexhep Ismajli, deri te të rinjtë edhe joshqiptarë që janë kuriozë për shqipen e kulturën shqiptarë. Tradita mbi gjysmëshekullore – me gjithë mungesën e disa edicioneve në vitet ’90 shkaku i okupimit serb – e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare e ka shndërruar atë në një institucion lider që lidh botën me kulturën shqiptarë. Në këtë frymë edhe ka nisur edicioni i 44-të i atij që është përshkruar edhe forum global i prezantimit të studimeve albanologjike. Ceremonia e hapjes, zakonshëm – sidomos viteve të fundit – zgjatet me të madhe nga fjalimet e udhëheqësve politikë. Ka njëfarë tentative për të treguar se marrin vesh nga studimet albanologjike dhe i vlerësojnë ato. Por, ngelet veç tentativë.
Prishtina dhe Tirana bashkë në hartën shkencore ndërkombëtare
Drejtoresha e Seminarit, profesoresha universitare, Lindita Sejdiu, ka përshkruar marrëdhënien e saj me këtë forum të themeluar nga Universiteti i Prishtinës. Ka thënë se ky forum është koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë.
“Është prezantimi më me vlerë i studimeve albanistike vështruar nga një kënd global, por edhe prezantim i shkencës globale për albanologjinë brenda një mediumi të përbashkët”, ka thënë Sejdiu e cila ka folur e fundit për nga radha. Sipas saj, Seminari nuk është vetëm kaq, janë kontaktet, miqësitë e reja dhe të vjetra mes studiuesish, janë rrjetet e reja shkencore dhe kulturore që e bëjnë më të pranishëm në arenën ndërkombëtare dhe shumë elemente të tjera.
“Seminari janë Prishtina dhe Tirana bashkë në hartën shkencore ndërkombëtare. Pyetjes njëmilionëshe se sa i rëndësishëm është Seminari për shoqërinë tonë i dhanë përgjigje parafolësit e mi, janë 52 vjet histori, dije, guxim e traditë. Por, si ta mbajmë gjallë këtë traditë në një kohë shumë të pafavorshme për shkencat humanistike në përgjithësi?”, ka thënë Sejdiu. Sipas saj, tashmë është një realitet ku teknologjia, shkencat ekzakte dhe fushat e lidhura me inovacionin digjital përbëjnë qendrën e vëmendjes, dhe ku disiplinat humaniste, ku bën pjesë edhe filologjia, shpesh perceptohen si më pak të rëndësishme, më pak të leverdishme dhe, fatkeqësisht, edhe si të tejkaluara. Ka thënë se bëhet fjalë për një kohë ku vazhdimisht duhet shpjeguar se gjuhësia, letërsia, arti, filozofia e historia nuk ofrojnë thjesht njohuri akademike, por kultivojnë atë që në thelb e bën njeriun të ketë aftësi për të menduar në mënyrë kritike, për të kuptuar tjetrin dhe për ta lexuar botën në kompleksitetin e saj njerëzor dhe kulturor.
además
El folclore como contribución a la historia y a la memoria colectiva
“Dhe përfundimisht, mund të konkludojmë se studimet e tilla nuk janë luks, por nevojë, sidomos në një epokë si kjo e sotmja ku njerëzorja nuk shpërfillet fare”, ka thënë ajo. Sejdiu ka shtuar se një shoqëri globale që investon vetëm në fusha që prodhojnë përfitime të drejtpërdrejta materiale dhe e sheh dijen si mall konsumi, rrezikon të humbasë dimensionin e saj më të rëndësishëm: kuptimin.
“Dhe janë pikërisht shkencat humanistike ato që i japin kuptim gjuhës që flasim, historisë që trashëgojmë dhe kulturës që na formëson”, ka përfunduar ajo.
Sivjet në gjuhësi tema bosht e Seminarit është: “Studimet gramatikore, transformimet gjuhësore dhe zhvillimet sociokulturore të shqipes në shekullin 21”. Kurse në letërsi janë dy tema: “Letërsia shqipe dhe lexuesi” dhe “Atdheu fizik, metafizik dhe surreal në letërsinë shqipe”. Si zakonisht kurse intensive të mësimit të shqipes janë në tre shkallë kurse programi përfshin ligjërata të veçanta të gjuhësisë, ligjërata për letërsinë shqiptare, tryeza dhe referime shkencore. Pos ligjëratave nga studiues të huaj e vendorë, sivjet përfshihen edhe dy studiuese shqiptare që kanë bërë emër edhe me veprat e tyre letrare ku paraqesin përvojat personale, Lea Ypi, profesoreshë në “London School of Economics” dhe Vjosa Musliu, profesoreshë në Universitetin e lirë të Brukselit.
Haxhiu: Historia e shqipes në Kosovë nuk mund të ndahet nga historia politike
Ngjarja e nisur me korin e fëmijëve “Okarina” me këngën “Gjuha jonë”, në ceremoninë hapëse i ka ngjarë më shumë një forumi ku politikanët vlerësojnë studimet albanologjike. Hapja me korin “Okarina” – kor që kohëve të fundit u bashkohet shumë organizimeve – tregon kurimin e dobët të ceremonisë dhe pamundësitë financiare të Seminarit. E kjo kuptohet edhe më shumë kur falënderimet për politikën janë aso “nga zemra”. Bie në sy se sa më shumë patetizma ka te udhëheqësit politikë, kjo reflektohet edhe te Seminari.
“Si ka mundësi që Seminari të ketë buxhetin më të vogël se një festival çfarëdo që është ai?”, ka pyetur një drejtues institucional derisa ka komentuar kurimin e krejt ngjarjes që në pikëpamjen e tij, kundërmonte fukarallëk. Por politika ka pasur fjalë të mëdha për Seminarin.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka thënë para të pranishmëve se në periudhat kur shqiptarëve u mungonin institucionet e tyre, shqipja mbeti një nga format kryesore të vazhdimësisë kulturore e politike.
“Me të kanë qenë të lidhura edhe e drejta për arsim, për dije, për shprehje dhe për pjesëmarrje në jetën publike. Prandaj historia e shqipes në Kosovë nuk mund të ndahet nga historia politike, e cila, në periudha të ndryshme, ka përcaktuar edhe vendin e saj në jetën publike”, ka thënë Haxhiu. U ka treguar studiuesve të albanologjisë se gjuhët që kanë korpuse të mëdha, që kanë traditë të gjatë digjitalizimi dhe mbështetje të fuqishme teknologjike gëzojnë një epërsi që nuk lidhet vetëm me numrin e folësve, por edhe me sasinë e materialit që ekziston në formë digjitale. “Ndaj edhe kur gjuhët janë të barabarta para ligjit, ato nuk janë domosdoshmërisht të barabarta në hapësirat ku prodhohet dhe qarkullon dija. Përvoja jonë na bën veçanërisht të ndjeshëm ndaj kësaj. Nuk do të ishte përparim nëse hierarkitë e dikurshme gjuhësore do të zhdukeshin nga ligji, vetëm për t’u rikthyer në teknologji”, ka thënë ajo. Ka përshkruar veprimtarinë e Seminarit dhe ka cituar akademikun e ndjerë, Idriz Ajetin se ka thënë: “Pavarësisht shtrirjes sonë gjeografike, do të bëjmë bashkë përtej kufijve jo vetëm idenë, por mbi të gjitha njerëzit që flasin një gjuhë”. Sipas saj, profesor Ajeti kishte parasysh kufijtë politikë që kishin ndarë folësit e së njëjtës gjuhë, ndërkaq, komunikimi digjital e ka bërë më të ndërlikuar vetë marrëdhënien në mes gjuhës dhe hapësirës. Ka thënë se repertori gjuhësor i individit nuk përkon më domosdoshmërisht me gjeografinë e vendit ku jeton.
“Këtë marrëdhënie mes gjuhës dhe hapësirës e njihte mirë edhe Robert Elsie, albanologu dhe përkthyesi, i cili rrugën e tij drejt albanologjisë e lidhi herët me këtë Seminar”, ka thënë ajo. Më pas ka përshkruar pak veprimtarinë e Elsies dhe ka dhënë një vlerësim për temat e sivjetshme të Seminarit.
“Ndër temat që keni zgjedhur sivjet, ajo për atdheun fizik, metafizik dhe surreal më duket veçanërisht e qëlluar, sepse prek marrëdhënien mes vendit dhe përkatësisë. Atdheu ka një gjeografi, por përkatësia nuk shteron në të. Territori mbetet një nga mënyrat themelore si e kuptojmë atdheun, por jo e vetmja mënyrë si e përjetojmë atë. Letërsia e ka dëshmuar këtë sidomos përmes përvojës së mërgimit, ku vendi i lënë pas vazhdon të jetojë në kujtesë dhe në gjuhë. Sot, kjo ndarje mund të ndodhë edhe pa mërgim”, ka thënë Haxhiu në atë që është dukur të jetë “ligjërata” e parë e Seminarit. Studiuesve të shqipes u ka thënë se kanë autoritetin për të treguar ku ajo po fiton terren, ku po humb funksione dhe çfarë nuk guxon të lihet pas dore.
“Nga ana jonë, do të jemi në dispozicion sa herë që kjo punë kërkon mbështetje institucionale, qoftë për kërkim, digjitalizim, botim, përkthim apo për zhvillimin e mjeteve të reja për shqipen”, ka thënë Haxhiu.
además
El seminario: una tradición que se renueva, un puente de comunicación para la Albanología
Hajrullahu: Letërsia e kultura shqiptare arriti suksesshëm t’u mbijetojë shekujve e perandorive
Aspak më i shkurtër se ushtruesja e detyrës së presidentit s’ka qenë ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku. E ka elaboruar programin gjerë e gjatë sikurse të ishte organizator a hartues. Sipas tij, Seminari mbetet një hapësirë e rëndësishme e bashkëpunimit shkencor e kulturor, duke vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës. Sipas tij, përmes programit të pasur me kurse të gjuhës, ligjërata, sesione shkencore, tryeza dhe aktivitete kulturore, shqipja trajtohet si sistem gjuhësor, dhe si bartëse e historisë, identitetit dhe krijimtarisë shqiptare.
“Një vend të veçantë në edicionin e sivjetmë zë 300-vjetori i arbneshëve të Zarës, si dhe përfshirja e arbëreshëve të Italisë dhe shqiptarëve të Mandricës së Bullgarisë, duke vënë në pah përpjekjet e këtyre komuniteteve për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar ndër breza”, ka thënë midis të tjerash ai.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, ka thënë se asnjë ngjarje tjetër akademike e fushës së albanologjisë në gjithë hapësirat ku jetojnë shqiptarët dhe miqtë e tyre në vend, rajon e botë, nuk lidhet më shumë me zhvillimin, fatin dhe historinë e gjuhës, letërsisë e kulturës shqiptare, po edhe me vetë Universitetin e Prishtinës, sesa kjo e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Ka hyrë në historinë e Seminarit duke thënë se ky institucion kishte fatin që përcolli edhe kombin, gjuhën, kulturën dhe zakonet e të cilit studion.
“Ne shqiptarët shpesh patëm fatin e vështirë dhe me lloj-lloj sfidash gjatë gjithë historisë, por gjuha, tradita, letërsia e kultura shqiptare arriti suksesshëm t’u mbijetojë shekujve e perandorive, për të qenë sot me shumë elemente të saj pjesë e trashëgimisë, kulturës dhe kujtesës botërore”, ka thënë ai. Sipas tij, shpesh ndodhi që nga albanologë që erdhën nga larg në edicionet e Seminarit të Gjuhës, Letërsisë e Kulturës Shqiptare, të themelohen pastaj katedra të gjuhës shqipe edhe në universitetet e vendeve vështirë të paramendueshme për shqiptarët. Ka folur për fokusin e sivjetmë të Seminarit e më pas ka thënë se rëndësi e veçantë do t’i kushtohet 20-vjetorit të vdekjes së studiuesit – sipas tij të shqipes – dhe kryetarit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës. Ka përmendur se për herë të parë në historinë e këtij Universiteti të Prishtinës janë miratuar kuota studimi për të rinjtë nga arbëreshët e Italisë, arbneshët në Zarë, shqiptarët e Turqisë dhe diaspora me origjinë nga Kosova. Ka treguar se pak ditë pas nisjes së Seminarit, UP-ja do ta nderojë me titullin më të lartë “Doctor Honoris Causa”, njërin nga personalitetet e rëndësishme të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës ish-kongresistin Joseph J. DioGuardin dhe bashkëshorten e tij, Shirley C. DioGuardi. Midis të tjerash ka pasur edhe një këshillë për pjesëmarrësit e huaj.
“Por kujdes, sidomos ju që jeni këtu për herë të parë. Kosova, njerëzit e saj dhe gjithçka që ju rrethon, e kanë një veçanti, lehtas mund t’jua marrin zemrën peng, e të ju bëjnë të ktheheni e të riktheheni përsëri dhe në vazhdimësi. Shpresojmë që këtë ta arrijmë”, ka thënë Hajrullahu.
Marku: “Albanologjia duhet të hyjë pak në dinamikën e ndryshimit”
Pas një pike muzikore ku sopranoja Elona Sadiku duke interpretuar vetë edhe në piano, këndoi “Pranvera filloi me ardhë” dhe “Valsi i lumturisë”, dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, Mark Marku ka thënë se studiuesit duhet t’i përgjigjen kohës. Sipas tij, institucionet e studimeve albanologjike duhet t’u përgjigjen disa ndryshimeve. Ka thënë se duhet rimenduar pak marrëdhënia e studiuesve me transformimet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur.
Sipas tij, mënyrat e shpërndarjes së dijes po ndryshojnë jo vetëm transmetimin por edhe objektet që po studiohen.
además
Sintaxis, variedades del albanés e inteligencia artificial en los medios
“Mendoj se ne do të duhet të kuptojmë atë që po ndodh. Gjuha po ndryshon shumë, letërsia po qarkullon në forma të reja e arkivat po bëhen gjithnjë e më shumë digjitale. Gjërat po ndryshojnë dhe po, duhet të ndryshojmë edhe ne”, ka thënë ai. Sipas Markut, albanologjia duhet të hyjë pak në dinamikën e ndryshimit. Sipas tij, duhet përdorur teknologjia pa humbur kriteret e shkencës e inteligjencën artificiale pa humbur inteligjencën njerëzore. Ka vazhduar duke thënë se bota shqiptare po ndryshon me shpejtësi. Sipas Markut, bota shqiptare ka ndryshuar dhe albanologjia nuk duhet të studiojë vetëm të shkuarën por edhe botën aktuale që po na ndryshon para syve.
“Ne mendojmë se në Ballkan jemi qendra e botës shqiptare. Jo në fakt qendra e botës shqiptare po zhvendoset përtej nesh. Shqiptarët kanë ikur. Më shumë se gjysma e shqiptarëve janë jashtë territoreve të Shqipërisë. Albanologjia duhet t’i përgjigjet këtij realiteti të ri”, ka thënë ai. Sipas dekanit Marku, duhet gjendur forma si t’u përgjigjet nevojave të shqiptarëve për të krijuar identitet moderne e po ashtu se si të gjendet mënyra për të lidhur kulturën, letërsinë e studimet albanologjike në këtë krijim të identitetit të ri të shqiptarëve. Institucioni që Marku drejton megjithëse bashkorganizator i Seminarit, jep një ndihmesë periferike në mbarëvajtje e ngjarjes që edicionin e parë e nisi në gushtin e vitit 1974, fillimisht me emrin Qendra e Kulturës Shqiptare për të Huaj.