Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Cultura

A pesar de la aprobación, la derogación y las solicitudes adicionales, el caso del complejo Istog sigue pendiente.

Trucha

Javën e kaluar, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ia ka ndaluar punimet investitorit. Në këtë rast, investitorët kanë përgatitur një raport duke kërkuar sqarime

Lënda për investimin “Panoramë në Troftë” në Istog është prej më komplekseve sa i përket ndërtimeve në zonat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore. Në qershor investitorët janë pajisur me leje nga Instituti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Pas katër ditësh është shfuqizuar leja. Ka nisur një proces kërkesash nga pala që për shumëkënd tejkalon kompetencat e institucioneve të trashëgimisë kulturore. E IKMM-ja ka heshtur përballë pyetjeve për këtë rast

Një vendim që miraton projektin është pasuar me një tjetër shfuqizues. Janë bërë disa kërkesa shtesë. Pas tyre është vazhduar me kërkesa të tjera. Janë ndalur punimet dhe lënda, qysh prej qershorit, është shndërruar në një “cic-mic” midis institucioneve e edhe në raport me investitorin. Kërkesat e shtruara nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për shumëkënd tregojnë se institucioni ka tejkaluar kompetencat. E Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndërmarrë masa duke ndaluar punimet. Lënda për investimin “Panoramë në Troftë” në Istog është prej më komplekseve sa u përket ndërtimeve në zonat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore.

Investitorët e kompleksit afarist e banesor, duke qenë se pretendojnë të ndërtojnë afër kompleksit të hotelit “Trofta”, aset nën mbrojtje si vlerë e trashëgimisë kulturore e shekullit të kaluar, pos lejeve komunale, kanë kërkuar edhe kushtet e planifikimit në zonë të mbrojtur ose brenda perimetrit të asetit. I kanë marrë ato dhe projektin ideor e kanë ndryshuar bazuar në kushtet e marra. Kanë rishikuar projektin duke “luajtur” me planimetri në respektim të udhëzimeve të marra nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Pejë. Më pas, në qershor, i janë drejtuar Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Në ditën e 15-të të qershorit kanë marrë vendimin nëpërmjet të cilit u miratohet projekti ideor. Janë miratuar blloqe ndërtesash me lartësi maksimale B+S+P+5K. Komisioni i IKMM-së, në arsyetim, ka rekomanduar Komunën e Istogut që të “verifikojë dhe të harmonizojë distancat ndërmjet objekteve në përputhje me normat dhe kushtet teknike të përcaktuara me Hartën Zonale Komunale si dhe të verifikojë trajtimin dhe pozicionimin e hapjeve (dritareve) në fasada, me qëllim që projekti të përmbushë të gjitha kushtet...”. 

Por katër ditë më vonë, më 19 qershor, Instituti ka shfuqizuar vendimin. Në arsyetim ka kërkuar që të sillet fleta poseduese jo më e vjetër se 6 muaj e po ashtu edhe kopja e planit. Po aty përsëritet edhe rekomandimi për Komunën. Pas kësaj, IKMM-ja ka vazhduar me kërkesa të tjera. Është kërkuar që të ketë informacion nëse pala ka kaluar nëpër procesin e vlerësimit të ndikimit në mjedis, megjithëse parcela është në zonë urbane sipas Hartës Zonale të Komunës. Pala më pas ka kërkuar sqarime nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në gusht, pala ka marrë përgjigje nga kjo Ministri, konkretisht nga Rizah Muçolli, udhëheqës i Divizionit për Leje dhe Licenca Mjedisore. Sipas përgjigjes, pala s’ka të bëjë me këtë Ministri.

“Bazuar në legjislacionin në fuqi, objekti juaj Kompleks Banesor–Afarist i nënshtrohet pajisjes me Leje Mjedisore Komunale, në përputhje me Udhëzimin Administrativ të MMPH-së Nr. 01/2017 për Dhënien e Lejes Mjedisore Komunale. Sipas Shtojcës – Lista e aktiviteteve që i nënshtrohen Lejes Mjedisore Komunale, pika 19, parashihet se: ‘Ndërtimi i objekteve të banimit kolektiv dhe të shërbimeve (hoteliere, tregtare, komerciale, afariste etj.) me sipërfaqe në bazë mbi 450 m² ose me sipërfaqe totale të objektit mbi 1,500 m², i nënshtrohet pajisjes me Leje Mjedisore Komunale’”, shkruhet në përgjigje.

Aty sqarohet se për çështjet e zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore adresa janë institucionet e trashëgimisë kulturore.

“Kompetenca e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kufizohet në dhënien e pëlqimeve dhe akteve përkatëse që lidhen me zonat e mbrojtura të natyrës, në përputhje me legjislacionin përkatës”, shkruhet në përgjigje. Por për IKMM-në, të paktën deri tash, s’i ka hyrë në punë kjo shkresë. Më pas, Drejtoria për Planifikim Urban dhe Mjedis në Istog i është drejtuar IKMM-së. Drejtoria ia ka bërë të qartë IKMM-së se, bazuar në interpretimin e Ministrisë së Mjedisit, projekti në fjalë i nënshtrohet procedurës për pajisje me Leje Mjedisore Komunale, në pajtim me Udhëzimin Administrativ për Dhënien e Lejes Mjedisore Komunale.

“Drejtoria për Planifikim Urban dhe Mjedis, në ushtrimin e kompetencave të saj, do të veprojë në përputhje me kërkesat dhe procedurat e përcaktuara me ligj dhe aktet nënligjore”, shkruhet në shkresën e dërguar nga arkitektja e Drejtorisë, Aurela Sadikaj. I është kërkuar IKMM-së që të tregojë se ku mbështetet ligjërisht për të kërkuar raportin dhe vendimin për vlerësimin e ndikimit në mjedis. Po ashtu, IKMM-së i është kërkuar që të qëndrojë brenda kuadrit ligjor të trashëgimisë kulturore.
Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve nuk i kanë mjaftuar këto sqarime në mënyrë që të rishqyrtojë lëndën ende. Pala investuese i ka ofruar qasje KOHË-s në të gjithë dokumentacionin. Por IKMM-ja s’i ka ofruar KOHËS sqarime as për 11 ditë. Institucioni nuk është përgjigjur në pyetjet se përse palës i është miratuar projekti ideor më 15 qershor të këtij viti dhe pas katër ditësh i është shfuqizuar me kërkesë për fletë poseduese dhe kopje të planit jo më të vjetër se gjashtë muaj. Po ashtu, as pyetjeve se përse, kur është miratuar projekti, janë marrë si të mirëqena fleta poseduese dhe kopja e planit duke qenë më të vjetra se gjashtë muaj dhe kush e merr përgjegjësinë për këtë.
“Përse pas vendimit për shfuqizim, përtej arsyetimit të këtij vendimi, palës i janë kërkuar edhe dokumente shtesë? Përse ato nuk janë përfshirë të gjitha në vendimin për shfuqizim? Mbi çfarë baze ligjore palës i kërkohet edhe pëlqimi nga Ministria e Mjedisit? A ka ndonjë rast tjetër kur një pale i kërkohen dokumente të tilla? Përse pala ngarkohet me dokumente shtesë pasi i janë lëshuar kushtet dhe i ka përfillur ato? Ku qëndron aktualisht kjo lëndë dhe cili është statusi i saj?”, janë pyetjet e thera në të cilat IKMM nuk është përgjigjur.

Kurse Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Pejë ka thënë se lënda aktualisht gjendet në trajtim pranë IKMM-së, si institucion kompetent qendror.

“Për këtë arsye, për çdo sqarim apo informacion shtesë lidhur me rastin në fjalë, ju lutemi t’i drejtoheni IKMM-së. Si institucion kompetent qendror, i cili ka mandat për shqyrtimin e aplikimeve për ndërtime brenda sipërfaqeve mbrojtëse të aseteve të trashëgimisë kulturore”, shkruhet në përgjigje. 
KOHA ka konsultuar tre zyrtarë të trashëgimisë kulturore në raport me këtë rast. Sipas tyre, IKMM-ja është përgjegjëse vetëm për respektimin e legjislacionit të trashëgimisë kulturore dhe proceset si vlerësimi i ndikimit në mjedis janë çështje të Ministrisë së Mjedisit. Javën e kaluar, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ia ka ndaluar punimet investitorit. Në këtë rast, investitorët kanë përgatitur një raport për Inspektoratin duke kërkuar sqarime edhe nga Inspektorati se a mund t’u kërkohen nga IKMM-ja edhe dokumente për të cilat ligjërisht ngarkohen institucionet e tjera.