Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Cultura

La "Medalla Goethe" para tres artistas humanistas.

La "Medalla Goethe" para tres artistas humanistas.

Kompozitori estonez i muzikës klasike, Arvo Pärt, përkthyesja italiane e letërsisë, Anita Raja, dhe regjisori e aktori grek i teatrit, Prodromos Tsinikoris, janë tre fituesit e “Medaljes Goethe” për vitin 2026, një çmim që jepet çdo vit për figura publike ndërkombëtare, të cilat kontribuojnë në krijimin e urave kulturore ndërmjet Gjermanisë dhe vendeve partnere

Kompozitori estonez i muzikës klasike, Arvo Pärt, përkthyesja italiane e letërsisë, Anita Raja, dhe regjisori e aktori grek i teatrit, Prodromos Tsinikoris, janë tre fituesit e “Medaljes Goethe” për vitin  2026, një çmim që jepet çdo vit për figura publike ndërkombëtare, të cilat kontribuojnë në krijimin e urave kulturore ndërmjet Gjermanisë dhe vendeve partnere.

Çmimi i përvitshëm, i cili këtë vit u dorëzua më 28 gusht në Weimar, është një nga vlerësimet më prestigjioze në Gjermani për punën kulturore ndërkombëtare.

Çfarë i lidh, pra, këto tri personalitete me kulturën gjermane?

I konsideruar një nga figurat më me ndikim në muzikën klasike bashkëkohore që prej viteve 1960, kompozitori estonez është i njohur për teknikën e tij minimaliste dhe meditative të kompozimit, të quajtur “tintinnabuli”.

Me vepra ikonike, ndër të cilat “Für Alina” (1976), “Fratres” (1977), “Tabula rasa” (1977) dhe “Spiegel im Spiegel” (1978), Pärt është një nga kompozitorët e gjallë më të interpretuar në botë.

Në vitin 1980, kompozitori u detyrua të largohej nga vendi i tij dhe veprat e tij u ndaluan në Bashkimin Sovjetik. Pas largimit nga Estonia e atëhershme sovjetike, Pärt u vendos së bashku me familjen në Berlinin Perëndimor. Ai jetoi në Gjermani për gati tri dekada.

“Gjermania luan një rol kaq të rëndësishëm në veprën e babait tim”, i tha DW-së Michael Pärt. Djali i kompozitorit shtoi se babai i tij i njohur gjeti liri krijuese përmes bashkëpunimeve me dirigjentë dhe muzikantë të ndryshëm gjermanë. Ai u frymëzua gjithashtu të kompozonte vepra mbi tekste në gjuhën gjermane.

Veprat minimaliste dhe shpirtërore të Pärtit gjetën një audiencë të gjerë në Perëndim falë regjistrimeve të Manfred Eicherit, themeluesit të shtëpisë diskografike ECM, me seli në Munich.

Pasi Estonia fitoi pavarësinë në vitin 1991, Pärti rivendosi kontaktet me vendin e tij të origjinës dhe u kthye atje përgjithmonë në vitin 2010.

Kompozitori, i cili mbushi 90 vjeç në shtator 2025, jeton tashmë në fshatin estonez Laulasmaa, ku në vitin 2018 u hap Qendra Arvo Pärt. Ajo drejtohet nga djali i tij, Michael Pärt, i cili do të udhëtojë në Vajmar për ta marrë çmimin në emër të të atit.

E lindur në Napoli në vitin 1953 nga një baba italian dhe një nënë gjermane, Anita Raja studioi letërsi në Romë, ku vazhdon të jetojë.

E specializuar në përkthimin e autorëve modernë gjermanishtfolës, Raja ua prezantoi lexuesve italianë shkrimtaren gjermano-lindore, Christa Wolf, përmes përkthimit të romanit “Kassandra”, në fillim të viteve 1980.

“Përkthimi i Anita Rajas është një përkthim nga grua në grua. Është shumë empatik, shumë i fuqishëm. Tregon se vërtet ekzistonte një lidhje çuditërisht magjike mes autores dhe përkthyeses”, vuri në dukje aktorja e njohur italiane, Sonia Bergamasco, në një aktivitet të fundit me rastin e botimit të një edicioni të ri të romanit.

Falë këtij përkthimi të parë, Wolf u bë një autore gjerësisht e vlerësuar në Itali, ndërsa Raja vazhdoi më pas të përkthente edhe shumë romane të tjera të saj.

Ajo ka përkthyer gjithashtu veprat e autorëve të tjerë të rëndësishëm gjermanishtfolës, përfshirë Georg Büchnerin, Franz Kafkan dhe Ingeborg Bachmann.

Krahas punës së saj si përkthyese e letërsisë, Raja punoi me kohë të plotë si bibliotekare në Romë. Në vitin 2005 u bë drejtoresha themeluese e “Biblioteca Europea” në Romë, të cilën e drejtoi për më shumë se 10 vjet. Ajo e shndërroi bibliotekën në një projekt model, të përqendruar në promovimin e kulturave dhe gjuhëve evropiane, si dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar.

I lindur në qytetin gjermanoperëndimor Wuppertal në vitin 1981, si bir i emigrantëve grekë për punë, Prodromos Tsinikoris është një nga zërat kryesorë të teatrit bashkëkohor grek dhe evropian.

Si regjisor teatri, aktor dhe dramaturg, ai krijon produksione dokumentare që trajtojnë temat e migrimit, pabarazisë sociale dhe perspektivave historike.

Audio-shëtitja e tij “In the middle of the street” përqendrohet te njerëzit e pastrehë gjatë krizës financiare të Greqisë.

Produksioni i teatrit dokumentar “Clean City”, të cilin e bashkëkrijoi me Anestis Azas, përqendrohet në jetën e punëtoreve migrante të pastrimit, duke vënë përballë dëshmitë e tyre personale me retorikën e lëvizjeve neofashiste që duan ta “pastrojnë” Greqinë nga të huajt dhe refugjatët.

Në shfaqjen “96%”, Tsinikoris trajton Holokaustin e hebrenjve të Selanikut dhe grabitjen e pronave të tyre gjatë pushtimit nazist.

Nga viti 2015 deri në vitin 2020, Tsinikoris drejtoi Skenën Eksperimentale të Teatrit Kombëtar në Athinë. Sot, ai është bashkëkurator i Festivalit Ndërkombëtar të Pyllit në Selanik dhe jep mësim në shkollën e regjisë të Teatrit Kombëtar në Athinë.

Shumë prej shfaqjeve të Tsinikorisit janë zhvilluar dhe prezantuar në Gjermani. Puna e tij është shfaqur gjerësisht edhe në të gjithë Evropën, veçanërisht përmes festivaleve të teatrit dokumentar dhe teatrove të mëdha publike.

(Tomado de DW)