Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Cultura

"KamerFest" propone un diálogo musical que va desde el jazz hasta Brahms y Messiaen.

Virgilio Volante

Në pjesën e dytë të koncertit Virgilio Volante është bërë pjesë e një dialogu muzikor me violinistin Leufat Buçuku, i cili së fundmi ka përfunduar studimet master në Austri dhe më herët ka studiuar edhe në Varshavë

“KamerFest” ka vazhduar me një tjetër mbrëmje muzikore. Duoja midis pianistit italian Virgilio Volante dhe violinistit Leufat Buçuku në koncertin me titull “Improvizim & dialog – Nga Italia në Kosovë”, ka bashkuar në një program muzikor gjuhën e improvizimit të jazzit me repertorin klasik për violinë dhe piano

Në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, edicioni që mbush një çerekshekulli të festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale “KamerFest” ka vazhduar me një tjetër mbrëmje muzikore. Duoja midis pianistit italian Virgilio Volante dhe violinistit Leufat Buçuku në koncertin me titull “Improvizim & dialog – Nga Italia në Kosovë”, ka bashkuar në një program muzikor gjuhën e improvizimit të jazzit me repertorin klasik për violinë dhe piano.

Për Volanten, ardhja në Kosovë ka qenë takimi i parë me publikun kosovar, por edhe takimi i parë në skenë me Buçukun. 

“Kjo është vizita dhe koncerti im i parë në Kosovë. Bashkëpunimin e nisëm sepse e njoh shumë mirë Sihanën. Fillimisht kemi komunikuar virtualisht dhe së bashku vendosëm programin. Pasi u takuam dje, kaluam gjithë ditën duke praktikuar dhe duke bërë prova, ndërsa sot e realizuam koncertin”, ka treguar pianisti Volante.

Koncerti ka nisur me një tjetër ngjyrim të muzikës – “Milestone” të Miles Davisit, “Infant Eyes” të Wayne Shorterit dhe “Humpty Dumpty” të Chick Coreas – të cilat Volante i ka rielaboruar dhe riaranzhuar. Në program është përfshirë edhe muzika e vetë pianistit italian, përmes veprës “La danza del tempo – Quattro pezzi modali”, duke e bërë këtë pjesë premierë të krijimtarisë së tij muzikore në Kosovë.

Volante ka treguar se pjesa e parë e koncertit i ka dhënë hapësirë një qasjeje më të lirë dhe improvizuese, përpara se programi të kalonte në repertorin klasik.

“Ishte një përvojë shumë, shumë e bukur, sepse dje u takuam për herë të parë. U prezantuam me njëri-tjetrin dhe filluam të luanim së bashku, kështu që njohja jonë ndodhi përmes muzikës. Interpretimi në skenë erdhi shumë natyrshëm, madje edhe më mirë se gjatë provave. Ishte sikur po bisedonim, sikur dy miq po flisnin me njëri-tjetrin dhe po përcillnin diçka përmes muzikës”, ka thënë ai.

Më pas programi është zhvendosur te pjesa e dytë ku ka qenë në radhë “Sonata nr. 3 në D-mol, op. 108” për violinë dhe piano e Johannes Brahmsit, vepër e ndarë në katër kohë, për t’u pasuar nga “Tema dhe variacionet për violinë dhe piano” e Olivier Messiaen.

Përmes Brahmsit, muzika ka marrë tjetër karakter, me strukturën e sonatës që ndërton dialogun midis violinës dhe pianos, ndërsa vepra e Messiaen ka sjellë tjetër atmosferë, më ëndërrimtare.

“Njëra ishte një temë me variacione e Messiaenit, nga shekulli 20. Është muzikë shumë e përpunuar, por në të njëjtën kohë edhe ëndërrimtare. Po ashtu, interpretuam Sonatën e Tretë të Brahmsit, një vepër shumë të rëndësishme të repertorit të muzikës së dhomës, veçanërisht për violinë dhe piano”, ka shpjeguar Volante.

Për profesoreshën e pianos, Lejla Pula, koncerti i dytë i Festivalit ka sjellë  tjetër kombinim artistik, duke e vlerësuar veçanërisht ndërthurjen e frymës së jazzit me repertorin klasik.

“Më vjen shumë mirë dhe vërtet gëzohem që edhe koncerti i dytë me radhë ishte jashtëzakonisht i bukur. Ishte një duo dhe solli një frymë të veçantë përmes pianistit italian Virgilio Volante, i cili në pjesën e parë solli një frymë jazzi shumë të bukur, duke dëshmuar edhe shkathtësi të jashtëzakonshme teknike”, ka thënë Pula.

Ajo ka veçuar edhe pjesën e dytë të koncertit, ku Volante është bërë pjesë e një dialogu të ndryshëm muzikor me violinistin Leufat Buçuku, i cili së fundi ka përfunduar studimet master në Austri dhe më herët ka studiuar edhe në Varshavë.

“Në pjesën e dytë patëm një bashkëpunim të mrekullueshëm muzikor dhe artistik me violinistin tonë, Leufat Buçuku, i cili sapo ka përfunduar studimet master në Austri. Ai më herët ka studiuar këtu, ndërsa profesoreshë e tij ka qenë Sihana Badivuku. Të dy artistët vërtet na kanë mahnitur me mjeshtërinë e tyre dhe mund të jemi krenarë të gjithë së bashku për atë që sollën para publikut”, ka treguar ajo.

Koncerti është mbajtur në një mbrëmje kur në Prishtinë janë zhvilluar protesta, por kjo nuk e ka penguar publikun që t’i drejtohej Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare. Pula ka thënë se, pavarësisht situatës, koncerti ishte mjaft mirë i vizituar dhe se prania e publikut tregon edhe për interesimin në rritje për muzikën klasike.

“Duke pasur parasysh situatën, mund të them se koncerti sonte ishte mjaft mirë i vizituar. Publiku po mësohet gjithnjë e më shumë ta shijojë muzikën klasike dhe për këtë i përgëzoj të dy artistët. Vërtet ishte një mrekulli”, ka thënë Pula.

Për Buçukun, bashkëpunimi me pianistin italian ka nisur pa një njohje të mëparshme mes dy interpretuesve dhe me një kohë të kufizuar për përgatitjen e një programi kërkues. 

“Me pianistit jemi takuar për herë të parë. Na kanë vënë në kontakt dhe më parë nuk e kam njohur fare. Madje, kisha edhe disa dyshime, sepse programi ishte jashtëzakonisht i vështirë dhe kërkues”, ka treguar Buçuku.

Ai ka thënë se përgatitja e shkurtër është kompensuar nga mënyra se si programi u ka dhënë mundësi të komunikonin përmes instrumenteve.

“Njërën prej veprave e kemi pasur në repertorin tonë të përbashkët, ndërsa për dy të tjerat kemi bërë një lloj kompromisi. Ai ka mësuar një vepër për mua, ndërsa unë kam mësuar një vepër për të. Pra, kemi punuar të dy në mënyrë që programi të mund të realizohej”, ka thënë ai.

Buçuku ka treguar se, ndonëse koha e provave ka qenë e shkurtër, vetë natyra e programit dhe përshtatja mes dy interpretuesve kanë ndihmuar që koncerti të marrë formën e planifikuar.

“Edhe kohëzgjatja e provave ka qenë jashtëzakonisht e shkurtër, por besoj se programi ishte i tillë që vërtet na përshtatej të dyve, edhe për nga karakteri që kemi si muzikantë. Për këtë arsye kemi arritur ta përmbyllim koncertin në mënyrën që e kishim menduar”, ka thënë Buçuku.

Me këtë koncert, “KamerFest” ka vazhduar programin e edicionit të 25-të, duke vendosur përballë dialogut dy qasje muzikore: improvizimin e jazzit dhe traditën e repertorit kamertal për violinë e piano.