10 kilogramë e 500 gramë marihuanë janë sekuestruar në Nabërgjan të Pejës nga Prokuroria Themelore në bashkëpunim me Policinë.
Sipas një komunikate për media, operacioni është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit nga hetuesit e Njësitit për Luftimin e Narkotikëve në Pejë, të cilët, në kuadër të veprimeve hetimore dhe operative, kanë realizuar sekuestrimin e substancës narkotike.
Gjatë operacionit, Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, të përcaktuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Personi i dyshuar është duke u intervistuar nga hetuesit në Stacionin Policor, ndërsa hetimet dhe veprimet e mëtejshme procedurale po vazhdojnë nën udhëzimet dhe koordinimin e prokurorit të shtetit.
Gjithashtu, gjatë operacionit është sekuestruar edhe një telefon mobil, i cili do të jetë objekt i procedurave të mëtejshme hetimore.