Për të kuptuar se si arritëm në cikle të përsëritura krize, mbase mund të shërbejë kjo pikë kthese: Kosova hyri në vitin 2011 si vend i damkosur nga vjedhja industriale e parave dhe e votave, me një pushtet që nuk dinte ta mbronte pavarësinë në politikën ndërkombëtare, me pretendimet e rënda të raportit të Dick Martyt dhe në prag të një procesi negociator me Serbinë, tashmë jo me ndërmjetësimin e SHBA-së, BE-së dhe Rusisë, por me “lehtësimin e BE-së”.
Ndoshta një mënyrë për ta kuptuar vitin në të cilin jetojmë — polarizimin politik, aktgjykimin e Hagës, krizën e zgjatur politike dyvjeçare dhe bllokimin pothuajse të përhershëm të perspektivës evropiane — është të kthejmë kokën kah viti 2010. Vendimet që u morën brenda atij viti, nga Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare, kanë qenë në shumë aspekte përcaktuese për vitet në vijim.
Ja përmbledhtazi tri pika kthese dhe pika ku ato takohen.
1. Vjedhja industriale, e parave dhe votave
Në prill të vitit 2010 Kosova nënshkruan kontratën me konsorciumin Bechtel-Enka për ndërtimin e autostradës Prishtinë–Morinë. Traseja, që duhej të ishte Merdar–Morinë, u ndryshua disa herë, me bekimin e një diplomati të rëndësishëm të akredituar në Prishtinë, në favor të interesave që nuk bënin pjesë në ato të ekspertizës së komunikacionit. Kontrata e plotë nuk është bërë zyrtarisht publike. Sipas hulumtimit të revistës amerikane, Foreign Policy, autostrada përfundoi më 2013 me një kosto prej rreth 1,3 miliard dollarësh. Hulumtimi dokumenton kundërshtimet e Bankës Botërore dhe të këshilltarëve ligjorë ndaj kushteve të kontratës, mungesën e një çmimi përfundimtar të përcaktuar dhe presionin diplomatik në favor të konsorciumit. Ndonëse ndërtuesi ishte i njëjtë, çmimi për kilometër në terrenin e rrafshët të Kosovës ka qenë dyfish më i lartë se çmimi për kilometër në autostradën e Kroacisë, nëpër terren shkëmbor e me tunele. Në mungesë të transparencës së kontratës dhe të një analize të pavarur të kostos, mbeti perceptimi i një vjedhjeje industriale të parasë publike. Në krye të qeverisë ishte Hashim Thaçi.
Në fund të vitit 2010 Kosova përjeton një vjedhje industriale të natyrës tjetër: vjedhjen e votave. Në zgjedhjet e 12 dhjetorit, përmasat e manipulimit me votë ishin aq të mëdha, saqë KQZ-ja urdhëroi rinumërimin në rreth 40 për qind të vendvotimeve. Një raport i mëvonshëm i OSBE-së përshkroi manipulimin e gjerë të evidentuar nga rinumërimi dhe trajtimin gjyqësor të rasteve. Rivotimi u bë më 9 dhe 23 janar 2011. Pushteti i dalë nga këto votime kishte legjitimitet demokratik të cenuar rëndë. Në krye të qeverisë erdhi sërish Hashim Thaçi.
2. Paaftësia për ta mbrojtur pavarësinë
Kosova shpalli pavarësinë pas procesit negociator të udhëhequr nga presidenti Ahtisaari e me mandat të OKB-së, të pasuar nga bisedimet e Trojkës SHBA–BE–Rusi. Shpallja u bë në koordinim me fuqitë perëndimore që e mbështetën atë. Në Serbi filluan demonstratat, të cilat përfunduan me sulm të turmës ndaj ambasadës amerikane në Beograd. Turmat e organizuara dogjën dy pika kufitare të Kosovës me Serbinë.
Përderisa vëmendja politike e Kosovës ishte ende festive, më 12 qershor 2008 sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ua dërgon presidentëve të Kosovës dhe Serbisë propozimin prej gjashtë pikësh për rregullimin e gjendjes në Kosovë. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në konsultim me kryeministrin Thaçi, pranon fillimisht ta trajtojë propozimin, duke i dhënë legjitimitet idesë se duhen zhvilluar negociata me Serbinë për rregullimin e gjendjes në Kosovë. Pesë muaj më pas, në nëntor, presidenti i Kosovës e refuzon planin gjashtëpikësh.
Më 8 tetor 2008, pas negociatave të Serbisë me fuqitë perëndimore e me bekimin e Rusisë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miraton rezolutën me të cilën i kërkohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me seli në Hagë, të japë përgjigje në pyetjen: “A është shpallja e njëanshme e pavarësisë nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”
Më 22 korrik 2010 GJND-ja, me dhjetë vota për dhe katër kundër, jep mendimin këshillëdhënës se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare.
Përderisa udhëheqja e Kosovës, e gjendur mes dy vjedhjeve industriale, nuk ka ide si ta shfrytëzojë mendimin e GJND-së, Serbia nis një ofensivë diplomatike në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Më 9 shtator 2010 miratohet rezoluta kompromis e Serbisë dhe e shteteve anëtare të BE-së. Ajo pranon përmbajtjen e mendimit të GJND-së dhe mirëpret gatishmërinë e BE-së për të lehtësuar “një proces dialogu ndërmjet palëve”. Rezoluta nuk e shndërron mendimin e GJND-së në instrument të përkrahjes politike të pavarësisë së Kosovës, ndonëse Gjykata kishte konstatuar se shpallja e saj nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Serbia ruan hapësirën politike për ta kundërshtuar shtetësinë e Kosovës edhe pas mendimit të gjykatës që e kërkoi vetë; me rezolutën e përbashkët me shtetet anëtare të BE-së, këtë hapësirë e siguron brenda vetë kornizës së OKB-së dhe të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Kosova nuk arrin ta kthejë suksesin juridik në një përmbyllje politike të kontestit për statusin.
3. Presioni Marty
Dy ditë pas vjedhjes industriale të votës në Kosovë, më 14 dhjetor 2010, bëhet publik drafti i raportit të Dick Martyt, anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”. Më 16 dhjetor ai miratohet nga Komiteti për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut.
Hashim Thaçi, figura më e përmendur në raport (26 herë), në cilësinë e kryeministrit, më 30 dhjetor deklaroi në një intervistë për shtypin zviceran: “Mënyra se si raportuesi i Këshillit të Evropës e ka shkruar këtë raport më kujton propagandën e Joseph Goebbelsit”. Ai paralajmëroi gjithashtu padi për shpifje kundër Martyt.
Në konferencën për media të 16 dhjetorit, në cilësinë e shefit të Qeverisë, Thaçi deklaroi se do t’i shqyrtonte të gjitha mundësitë ligjore dhe politike për ta kundërshtuar raportin dhe për të nxjerrë në pah të vërtetën dhe drejtësinë.
Megjithatë, paralajmërimi për padi nuk u materializua. Më 2011, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi konfirmoi se Thaçi kishte vendosur të mos ndërmerrte veprime ligjore kundër Martyt.
4. Pika e takimit: ndërvarësia
Kosova hyri në vitin 2011 si vend i damkosur nga vjedhja industriale e parave dhe e votave, me një pushtet që nuk dinte ta mbronte pavarësinë në politikën ndërkombëtare, me pretendimet e rënda të raportit të Dick Martyt dhe në prag të një procesi negociator me Serbinë, tashmë jo me ndërmjetësimin e SHBA-së, BE-së dhe Rusisë, por me “lehtësimin e BE-së”.
Më 2011 u krijuan kushtet që kapja e shtetit, dialogu me Serbinë dhe hetimet mbi pretendimet e raportit Marty të zhvilloheshin paralelisht dhe të ndikonin në hapësirën e veprimit të të njëjtit pushtet.
Më 25 janar 2011 Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi Rezolutën 1782, me të cilën kërkonte hetimin e pretendimeve të raportit Marty.
Më 8 mars 2011 filloi i ashtuquajturi “dialog teknik”: Edita Tahiri dhe Borko Stefanoviq u takuan me ndërmjetësimin e Robert Cooperit, nën përgjegjësinë politike të baroneshës Ashton. Kosova pranoi të negociojë me Serbinë për çështje që preknin funksionimin e saj të brendshëm. Në vend që mendimi i GJND-së ta përmbyllte politikisht kontestin për statusin, dialogu nisi me kontestimin e shtetësisë së Kosovës nga Serbia, të kodifikuar me Rezolutën e Asamblesë së përgjithshme.
Në shtator 2011 BE-ja krijoi Task-Forcën Hetimore Speciale (SITF), për hetimin penal të pretendimeve të raportit Marty dhe të krimeve të lidhura me to. Prokuroria e Specializuar e mori përsipër mandatin e saj në shtator 2016.
Brenda një dhjetëvjetëshi pushteti në Kosovë e ka vënë interesin e vet para interesit të vendit. Ka ndryshuar Kushtetutën për të krijuar një sistem të posaçëm gjyqësor — kush do t’i besonte gjyqësisë së një shteti ku paratë dhe votat vidhen në përmasa industriale? Ka pranuar një proces negociator që Serbisë ia ruan hapësirën për ta kontestuar aktivisht pavarësinë e Kosovës brenda vetë procesit të normalizimit. Ka marrë përsipër themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në kundërshtim me Kushtetutën, duke hapur kontestin për kompetencat dhe rrezikun e autonomisë politike e territoriale. Më 2018–2019, presidenti Thaçi ka promovuar ndryshimin e kufijve me Serbinë, duke hapur rrezikun që një pjesë e territorit të Kosovës t’i jepej shtetit me të cilin konflikti mbetet i papërfunduar.
Sot kemi hyrë në një cikël të ngjashëm ndërvarësie. Sapo vendi e hap gojën rreth ardhmërisë së vet evropiane, në shesh i dalin kthesat e vitit 2010 në format bashkëkohore dhe sërish të ndërlidhura: ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, aktgjykimi i shtatorit në Hagë, drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përparimi në dialog me Serbinë... Dhe çfarëdo që të dalë ndërkohë.