Apoya a TIME. Preserva la verdad.
baloncesto

Un buen comienzo motiva a Bashkimi a aspirar al título.

KB Baskimi

Bashkimi është në seri të mirë të rezultateve. Është ekipi i vetëm që ka fituar të gjitha katër ndeshjet e para të edicionit aktual të Superligës së Kosovës në basketboll. Seria pozitive i ka bërë prizrenasit të mendojnë edhe për më shumë. Ta fitojnë titullin e kampionit, të dytin në histori pas triumfit në edicionin 2017/2018.

Në dy edicionet e kaluara, Bashkimi doli nënkampion, e Trepça kampione.

Te Bashkimi, synojnë ta ndalin dominimin e mitrovicasve. Megjithatë, pranojnë se nuk do të jetë e lehtë.

Drejtori sportiv i Bashkimit, Qëndrim Biraj, ka theksuar se rezultatet e fundit janë dëshmi e punës dhe sakrificës

“Dy sezonet e fundit kanë qenë një përvojë e rëndësishme për ne si klub. Arritja në dy finale radhazi dëshmon se Bashkimi ka pasur cilësinë për të konkurruar në nivelin më të lartë, por njëkohësisht na ka treguar se arritja në finale dhe fitimi i titullit janë dy gjëra të ndryshme. Në të dy sezonet jemi përballur edhe me rrethana të pafavorshme, veçanërisht me lëndime të rëndësishme të lojtarëve pikërisht në fazën finale të kampionatit. Natyrisht, fati sportiv ka ndikimin e vet dhe nganjëherë detaje të tilla mund ta përcaktojnë një seri finale”, ka thënë Biraj për KOHËN të enjten. “Megjithatë, nuk duam t’i përdorim këto si arsyetime, por si përvoja nga të cilat duhet të nxjerrim mësimet e duhura. Për ne, një nga elementet kryesore është ndërtimi i një mentaliteti fitues, që nënkupton të jemi të përgatitur për momentet e vështira dhe të besojmë deri në fund në aftësitë tona. Këtë sezon kemi synuar të krijojmë një skuadër konkurruese, me cilësi, përvojë dhe karakter. Bashkimi e ka dëshmuar se mund të arrijë në finale; tani synimi ynë është ta bëjmë hapin e fundit dhe ta sjellim titullin në Prizren”. 
Bashkimi tashmë ka siguruar trofeun e parë të këtij edicioni. E fitoi Superkupën në përballjen me kampionen në fuqi, Trepçën, që ka dominuar viteve të fundit duke mbledhur të gjitha trofetë. 
Për skuadrën nga Prizreni ishte trofeu i parë i fituar i Superkupes në histori të klubit, ndërsa ka edhe një Kupë të Kosovës të fituar në edicionin 2000/01. 

Kapiteni Valon Bunjaku është prej basketbollistëve që ka dhënë kontribut për Bashkimin.
Bunjaku thotë se është herët të flitet për titull, ndonëse nuk e fsheh synimin për ta fituar atë.  

“Mendoj se kjo formë është rezultat i punës që nga fillimi i përgatitjeve, përkushtimit dhe besimit që kemi te njëri-tjetri. Kemi filluar të luajmë më mire si ekip, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm, dhe kjo po reflektohet edhe në rezultate. Megjithatë, jemi të vetëdijshëm se duhet të vazhdojmë të punojmë, sepse sezoni është i gjatë dhe synimet tona janë të mëdha”, ka thënë Bunjaku. 

Bunjaku thotë se skuadra nuk do të dorëzohet deri në fund për të arritur synimin. 

“Si kapiten, e ndiej përgjegjësinë edhe më shumë, sepse Bashkimi nuk është thjesht një klub, por një pjesë shume e rëndësishme e qytetit dhe e tifozëve tanë. E dimë sa shume e dëshirojnë këtë titull dhe sa emocione sjell suksesi i Bashkimit në Prizren. Për mua personalisht, do të ishte një arritje shumë e veçantë, një nga momentet më të bukura të karrierës sime. Por mbi te gjitha, do të ishte një shpërblim për punën e gjithë ekipit dhe për mbështetjen e jashtëzakonshme të tifozëve tanë”, deklaroi Bunjaku. 

Bashkimi e nisi mbarë edhe rrugëtimin në “FIBA Europe Cup”. E fitoi ndeshjen e parë të Grupit F ndaj Valmiera Glass të Letonisë.

Ndërkohë ndeshjen e dytë e kishte të planifikuar ta zhvillonte të martën ndaj Manchesterit të Anglisë. Por kjo ndeshje nuk u luajt, sepse Bashkimi nuk arriti të udhëtojë për shkak të mungesës së përgjigjes lidhur me pajisjen me viza të anëtarëve të ekipit.