Apoya a TIME. Preserva la verdad.
baloncesto

Bashkimi y Peja buscan volver a la victoria.

Bshkimi

Ndeshja që zhvillohet të dielën prej orës 17:00 në “Sezai Surroi” në Prizren vlerësohet shumë e rëndësishme si për Bashkimin ashtu edhe për Pejën. Bashkimi do të tentojë të kthehet në rrugën e sukseseve, përkatësisht t’i jap fund serisë prej dy humbjeve. Edhe Peja synon të kapërcejë periudhën e vështirë. 

Është ky një prej derbive të xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në basketboll. Bashkimi është lider me nëntë pikë. I fitoi katër ndeshjet e para, por fundjavën e kaluar pësoi në udhëtim nga Sigal Prishtina. Ndërkohë në mesjavë humbi edhe nga Kalevi në Estoni, në kuadër të FIBA Europe Cup. Bashkimi ishte në seri prej gjashtë fitoreve deri një javë më parë.

Peja është në moment edhe më të keq. Ka humbur tri ndeshjet e fundit kampionale, kurse humbi edhe dy ndeshje në kualifikimet e FIBA Europe Cup nga Dinamo Bukureshti. Pas humbjes nga Rahoveci 029 në fundjavën e kaluar, Peja u nda me trajnerin grek Michalis Kakiouzis. Atë e zëvendësoi me ish-selektorin e Malit të Zi, Boshko Radoviq. Ndërkohë liroi dy amerikanë dhe mori një tjetër.

Peja në parket ka mposhtur vetëm Trepçën. E ka edhe një fitore me rezultat zyrtar ndaj Sigal Prishtinës.

Në kuadër të xhiros së gjashtë janë edhe disa ndeshje interesante. Xhiroja hapet në palestrën “Mizahir Isma”, ku të shtunën prej orës 17:00 takohen Rahoveci 029 dhe Vëllaznimi. Është derbi i dy skuadrave të fundit në tabelë, që kanë nga një fitore e katër humbje. 

Po të shtunën, prej orës 19:30, Bora e Prishtina takohen në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Bora e organizon këtë ndeshje në Mitrovicë për shkak se palestra në Pallatin e Rinisë është e zënë me ndeshje ndërkombëtare të hendbollit. 

Xhiroja mbyllet me ndeshjen Trepça – Golden Eagle Ylli, që zhvillohet të dielën prej orës 19:30. Kampionia në fuqi, Trepça, është në seri pozitive pas startit të zbehtë. Në Superligë i ka tri fitore e dy humbje, ndërsa ka fituar dy ndeshjet e fundit në FIBA Europe Cup. Tri fitore e dy humbje në kampionat i ka edhe Ylli i Suharekës. Ka tri fitore rresht.