Universidad de Pristina ka njoftuar se ka fituar një betejë të radhës gjyqësore ndaj cenuesve të pronave të tij.
Siç ka bërë të ditur UP-ja, Gjykata Themelore e Prishtinës me kërkesë të Prokurorisë ka vendosur masë sigurie për mbi 68 ari tokë në zonën e fakulteteve teknike.
Vendimi është marrë më 24 gusht, sipas njoftimit.
“Angazhimi i vazhdueshëm i menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës, nën drejtimin e rektorit prof. Arben Hajrullahu, për mbrojtjen e pronës universitare po prodhon rezultate konkrete. Beteja për pronat e Universitetit të Prishtinës po hyn në një fazë të re. Më 24 gusht 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë, duke aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka vendosur masë sigurie mbi një ngastër kadastrale prej 68 ari, në zonën e fakulteteve teknike, pronë komunale në shfrytëzim të përhershëm të Universitetit të Prishtinës. Vendimi i gjykatës vendos një pengesë të qartë ndaj çdo veprimi që do të mund të çonte në shitjen, bartjen, dhurimin, ngarkimin me barrë, dhënien në shfrytëzim, ndryshimin e gjendjes faktike ose tjetërsimin në çfarëdo forme tjetër të kësaj prone”, ka njoftuar UP-ja.
Për vite me radhë mbi këtë pronë ishin ngritur pretendime nga persona privatë. Po ashtu ishin paraqitur edhe kërkesa financiare në vlera milionëshe për pagesën e qirasë për një hapësirë që Universiteti e ka shfrytëzuar.
“Vendosja e masës së sigurisë mbron pronën nga rreziku i tjetërsimit gjatë zhvillimit të procedurave dhe njëkohësisht mbron Universitetin dhe interesin publik nga pasoja të mundshme financiare që do të mund të rëndonin drejtpërdrejt mbi buxhetin publik”, thuhet nga UP-ja.
Pretendimet për pronësinë mbi këtë ngastër 68 ari lidhen me një aktgjykim të pretenduar të ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë, mbi bazën e të cilit ishte pretenduar kalimi i pronës komunale në pronësi private dhe më pas, bartja e saj te persona të tjerë. Çështja ishte trajtuar edhe nga Komisioni Parlamentar i Kuvendit të Kosovës për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. Në raportin e datës 14 maj 2024, Komisioni kishte evidentuar probleme dhe dyshime serioze lidhur me dokumentacionin dhe historikun e kësaj prone dhe kishte kërkuar që rasti të trajtohej nga organet kompetente të drejtësisë.
Tre biznesmenë më 2021 kishin blerë një parcelë ku gjendet Fakulteti Teknik, nga një pronar të cilit më 2003 i ishte bartur prona publike me aktvendim të Gjykatës së atëhershme komunale të Prishtinës.
Ata në kërkesën e vitit 2023 nuk kishin kalkuluar vetëm për tre vjet borxhin që e pretendonin, por edhe për dhjetë vjetët para se ta blinin tokën.
Universiteti i Prishtinës, pas vendimit për masën e sigurisë, ka thënë se mesazhi është i qartë “prona publike nuk është pa zot”.
“Universiteti i Prishtinës do ta mbrojë atë pa kompromis”, tha UP.
Ka njoftuar se ka marrë hapa konkretë edhe për rikthimin në funksion të hapësirave të tjera universitare.
“Universiteti i Prishtinës u bën thirrje të gjithë personave fizikë dhe juridikë që mbajnë, shfrytëzojnë apo pretendojnë, pa bazë të qartë juridike, hapësira dhe prona të Universitetit që, deri më 30 tetor 2026, t’i lirojnë dhe t'ia kthejnë ato Universitetit. Njëkohësisht, UP-ja fton të gjithë zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarët, si dhe qytetarët që posedojnë informacione, dokumente ose të dhëna për tjetërsim, uzurpim, keqpërdorim apo veprime të tjera të dyshimta që lidhen me pronat dhe interesat e Universitetit, që këto informacione t’ia përcjellin Universitetit ose drejtpërdrejt organeve kompetente. Universiteti i Prishtinës nuk do të ndalet në mbrojtjen e pronës së tij. Çdo rast për të cilin ekzistojnë indicie për shkelje do të dokumentohet dhe do të procedohet pranë institucioneve kompetente. Sepse pronat universitare nuk janë pasuri private e askujt. Standardi që Universiteti i Prishtinës ka vendosur është i qartë: ligjshmëri, transparencë, përgjegjësi dhe mbrojtje e pakompromis e interesit publik”, thuhet në njoftimin e Universitetit.