Procesi i votimit të Justina Shiroka-Pulës pak pas mesnatës ka nxitur debat lidhur me kushtetutshmërinë e procesit. Avokati Arianit Koci iu drejtua Gjykatës Kushtetueses me pretendimin që është shkelur afati. Ndërkaq, juristi Durim Berisha, i është drejtuar Gjykatës me një parashtresë për mospërmbarimin e Aktgjykimit që lidhet me zgjedhjen e presidentit. Por, ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani, e konsideron procesin kushtetues, pasi thotë se votimi ka nisur brenda afatit
Procesin e zgjedhjes së presidentes së re, Justina Shiroka-Pula, e ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese avokati Arianit Koci.
Sipas tij, Shiroka-Pula është zgjedhur presidente pasi është shpërndarë Kuvendi.
Deputetët nisën votimin për kreun e shtetit në minutat e fundit të datës 6 tetor, por procesi i votimit dhe numërimit, zgjati deri pas mesnate, pra deri në minutat e parë të datës 7 tetor.
Koci thotë se me këtë u shkel Kushtetuta.
“Procedura e zgjedhjes së presidentit duhet të përfundojë deri më 6 tetor. Jemi dëshmitarë që deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar edhe më 7 tetor. Në këtë aktgjykim madje theksohet edhe pasoja juridike, ajo është shpërbërja e Kuvendit”, ka thënë Koci.
Arsyetimin e mbështeti, duke iu referua aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetueses i publikuar më 23 shtator, e i cili njohu legjitimitetin e Kuvendit dhe Qeverisë dhe caktoi 6 tetorin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit.
Të njëjtit aktgjykim i është referuar edhe juristi Durim Berisha, i cili po ashtu i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një parashtresë për mospërmbarimin e Aktgjykimit.
Berisha, i cili vetë ka punuar më parë edhe në Kushtetuese dhe ka qenë edhe këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se kjo nuk është kërkesë për inicimin e ndonjë procedure të re për vlerësimin e kushtetutshmërisë, por një parashtresë përmes së cilës kërkohet nga Gjykata Kushtetuese që të përmbushë rolin dhe funksionin e saj si gardian i Kushtetutës në Republikën e Kosovës.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, sipas detyrës zyrtare, mund të nxjerrë një aktvendim në të cilin konstaton se aktgjykimi i saj nuk është zbatuar”, ka shkruar Berisha. “Le të mbetet në ndërgjegjen e gjyqtarëve se si do të veprojnë. Si qytetarë të rëndomtë të këtij vendi, ky është i vetmi mjet juridik që mund të shfrytëzojmë për mbrojtjen e rendit kushtetues”.
Bazuar në Kushtetutë, palë të autorizuara për ta kontestuar një vendim të Kuvendit, siç është zgjedhja e presidentes, janë edhe së paku 10 deputetë të Kuvendit.
Por ish-kryetari i Gjykatës, Enver Hasani, nuk sheh shkelje në procesin e zgjedhjes së Shiroka-Pulës.
“Me rëndësi është që procesi ka nisur me kohë. Procesi i numërimit dhe i shpalljes së rezultatit, edhe nëse zgjat disa minuta përtej afatit, nuk përbën çështje kushtetuese”, ka thënë Hasani.
E hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, ka marrë shembull të një rasti në Itali ku Gjykata Kushtetuese, në vitin 1995 pati njohur miratimin e një ligji pavarësisht skadimit të afatit prej 27 minutash.
Kjo, sipas Cakollit, mund të shërbejë për të argumentuar se zgjedhja e Shiroka-Pulës ishte brenda afatit.
“Kjo, përveç se merret për bazë edhe nga jurisprudenca krahasuese ndërkombëtare, ndërlidhet edhe me rastin e zgjedhjes së presidentes në Kosovë. Meqenëse raundi i votimit kishte filluar para mesnatës dhe kishte vazhduar pa ndërprerje, ekziston argumenti që kemi një akt parlamentar të vetëm, të filluar brenda afatit dhe të përfunduar disa minuta më vonë. Votat individuale shërbejnë për formimin e një vendimi të përbashkët të Kuvendit”, ka thënë Cakolli.
E, në uebfaqen e Kuvendit, njoftimi për zgjedhjen e presidentit fillimisht mbante datën 6 tetor, mirëpo më pas ai u korrigjua dhe u vendos data 7.
Në një përgjigje për KOHËN, zyrtarët e këtij institucioni thanë se ky ishte një lëshim teknik. Ndërkaq, që nga fillimi, lajmi i publikuar në uebfaqen e Presidencës ka pasur datën 7 tetor.