Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Arberi

Ocho días para el presidente, los partidos aún sin acuerdo.

el parlamento de kosovo

Foto de : Driton Pacharada

Tetë ditë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, partitë parlamentare nuk kanë bërë të ditur ndonjë marrëveshje për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Nga Aleanca kanë kritikuar deputetët për, siç thanë, injorim të afatit që mund ta çojë vendin në zgjedhje. PDK-ja e ka lidhur gatishmërinë për bisedime me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale, ndërsa LDK-ja ka shprehur vullnet për të kontribuar në shmangien e zgjedhjeve. Vetëvendosje nuk u deklarua për çështjen e presidentit.

Vërejtje deputetëve se po e injorojnë çështjen e presidentit, i dha Besnik Tahiri ligjvënës nga Aleanca. 
Ai tha se zbatimi i Deklaratës së miratuar nga Kuvendi të hënën, varet edhe nga ajo çfarë ndodhë deri më 6 tetor, kur skadon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit. 

Sipas Tahirit, diskutimet tash janë se kush është patriot e kush spiun, e kush po çanë më shumë për vendimin në Hagë. Por jo për 8 ditë vendimtare që mund ta çojnë vendin sërish në zhjedhje.

“Sot Kosova ka nevojë për seriozitet dhe ka nevojë për reflektim për shkak se kanë mbetur edhe tetë ditë deri në një vendim. Nuk shoh proces serioz, nuk shoh reflektim të situatës çka ka ndodhë me 16 shtator dhe shoh vazhdimësi të një situate e cila po përsëritet”, tha Tahiri. 

Lidhur me çështjen e presidentit, në Kuvend, para dhe as pas seancës plenare nuk u deklarua asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje. 

E kryetari i Partisë Demokratike Bedri Hamza që u takua mbrëmë me atë të LVV-së Albin Kurtin, tha se subjekti që drejton është i gatshëm të bisedojë për çështjen e presidentit në rast se miratohet në Kuvend ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale. 

“Ne si Parti Demokratike e Kosovës kemi biseduar, kemi deklaruar që kur ta kemi Ligjin e aprovuar, jemi të hapur të bisedojmë për t’i dhënë vendit president. Nuk kemi fol nga kush, por për mundësinë që ta kemi presidentin. Nuk është në rregull të japim emra në tavolinë kur nuk jemi te ajo pikë, te ajo pikë me PDK-në nuk mund të mbërrihet pa kaluar ligji”, tha Hamza. 

E kryetarja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike, Jehona Lushaku Sadriu, shprehu vullnet për t’i shmangur zgjedhjet. 

“Është e rëndësishme që t’i shmangim zgjedhjet me që kemi pasur zgjedhje, por kjo kërkon vullneti e të gjitha grupeve parlamentare ose të gjitha partive politike, ne të vetëm nuk mundemi t’i japim president Kosovës por jemi të gatshëm të japim kontribut për themelimin e këtyre institucioneve”, tha Lushaku Sadriu. 

Moszgjedhja e presidentit të ri deri më 6 tetor e çon vendin në zgjedhje të cilat duhet të mbahen më së largu më 15 nëntor.