Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Arberi

Reunión de Rama, Lladrovci y Ahmeti: La responsabilidad de la limpieza debe devolverse a los municipios.

Rama

Foto de : Driton Pacharada

Kryetarët e Prishtinës, Lipjanit dhe Drenasit kanë zhvilluar takim për të diskutuar situatën aktuale me pastrimin dhe menaxhimin e mbeturinave.

Në takim u dakorduan që përgjegjësia për pastrimin të rikthehet te komunat, ndërsa ndarja e aseteve, punëtorëve dhe obligimeve të ndërmarrjes rajonale “Pastrimi” të bëhet në mënyrë proporcionale.

Kryetarët kërkuan gjithashtu bashkëpunim me komunat e tjera për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për të ardhmen e ndërmarrjes.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka treguar se në takim u vendos që secila komunë të marrë përgjegjësinë e saj dhe secila ta ketë ekipin e saj.

“Diskutimet tona na sollën deri në pikën ku me marrë përgjegjësi secila komunë për vete. Pra kjo duket që do të jetë mënyra më e mirë që ta fusim në menaxhim çështjen e pastrimit, sepse për momentin e dimë që “Pastrimi” është kompani regjionale. Prishtina, përkundër faktit që i ka 77.6% të aksioneve, ka vetëm një anëtar, një anëtar të bordit. Pra nuk mundet me e menaxhu procesin. Po ashtu Lipjani e Drenasi janë në rotacion, pra edhe Lipjani edhe Drenasi varen nga anëtarët e bordit të komunave të tjera. E kjo vlen edhe për komunat e tjera. Kështu që mënyra më e mirë, me përgjegjësinë më të madhe për secilin kryetar, për secilin qytet, është që pastrimi pra të krijohet në bazë të komunave, secila komunë ta ketë ekipin e vet, të jetë përgjegjëse 100% për ekipin e vet edhe për pastrimin e zonave të veta, pra të komunave përkatëse”, tha ai.

I pyetur se si e ka parë mospjesmarrjen e dy kryetarëve atë të komunës së Obliqit, Halil Thaçi dhe atë të Fushë Kosovës, Valon Prebreza, Rama ka thënë se nuk mund t’i shtyjë me zor që të marrin pjesë.

“Kjo ka qenë edhe arsyeja pse i kemi ftuar me diskutu, sepse kompania regjionale përbëhet nga anëtarët e bordit e të gjitha komunave, edhe për këtë arsye duhet diskutimi i përbashkët, vendimi i përbashkët. Normal që nuk mundemi me i shtyrë me zor këtë komunën e Obiliqit me qenë pjesë. Unë i përgëzoj që kanë formuar kompaninë e tyre të re, po ashtu edhe iniciativën edhe krijimin e kompanisë të re në Fushë Kosovë, mirëpo po them, kompania ‘Pastrimi’ është kompani regjionale, pra është përgjegjësi e të gjitha komunave edhe si e tillë duhet që asetet, për shembull, me u nda në mënyrë proporcionale, si punëtorët, si asetet, si borxhet që janë, pra të ndahen në mënyrë proporcionale që secila komunë të vazhdojë e të marrë përgjegjësi 100% për zonat e veta”, u përgjigj Rama.

Ndërsa, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, u shpreh se kryetarët e komunës së Obiliqit dhe Fushë-Kosovës, me ose pa qejf duhet të bashkëpunojnë dhe të arrijnë në një marrëveshje për kompaninë.

“Ne e kemi themeluar ndërmarrjen, sigurisht që do të na marrë kohë sepse një ndërmarrje e re i do edhe proceset e procedurat të veta. E tha edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, se ne jemi dakord 100% çka kemi biseduar sot. Edhe përkundër kësaj që e kanë deklaruar kryetari i Obiliqit, kryetari i Fushë Kosovës, ne nuk i komentojmë deklaratat e tyre, por ata me qejf ose pa qejf kanë me u ulë me neve sepse na duhet të merremi vesh për kompaninë. Askush s’e merr përgjegjësinë për një kompani që është e themeluar nga të gjitha këto komuna me i marrë veç vetë borxhet apo edhe të mirat e saj. Ne jemi në themelim, ne jemi në gjendje shumë të rëndë në komunat tona me mbeturinat. Shëndeti i qytetarëve është i rrezikuar jo veç prej mbeturinave”, tha Lladrovci.

Kurse, kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se kjo ndërmarrje duhet të kthehet nëpër komuna, në mënyrë që përgjegjësia të bie mbi to.

“Mendoj që kjo ndërmarrje regjionale duhet të rikthehet në statusin e mëhershëm që ka pasur. Shikoni, janë bashkuar asetet dhe janë bashkuar njësitë e ndërmarrjes regjionale diku në vitin 2003-2004 me vullnetin e komunave, dhe me vullnetin e këtyre komunave që janë pjesë përbërëse e kësaj kompanie duhet të shkëputen, në mënyrë që të kthehet përgjegjësia dhe llogaridhënia direkte te kryetarët e komunave, përkatësisht tek komunat. Kështu edhe këto komunat që sot nuk janë për shkak të pushimeve ose agjendave të tyre ose arsyet të tjera, kanë hise në këtë ndërmarrje, kanë punëtorë, kanë asete”, tha ai.