Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Arberi

Estudio en el sótano

Sallat- biologji

Prej vitesh, studentët e Biologjisë kanë mësuar në bodrume. Pa hapësira të mjaftueshme në Fakultetin e Shkencave Matematike dhe Natyrore të Universitetit të Prishtinës, ligjëratat dhe ushtrimet i kanë mbajtur në ambiente të huazuara të Fakultetit të Filologjisë.

Një studente që foli në kushte anonime, thotë se shumë nga sallat dhe laboratorët nuk janë të përshtatshme për zhvillimin e mësimit praktik.

“Duhet me i bart mjetet nga një sallë në tjetrën. Ka pasur raste shumë që nuk na janë përshtatur sallat dhe laboratorët për zhvillimin e ligjëratave ose ushtrimeve. Po ka mungesë të laboratorëve dhe pak praktikohen gjërat. Më shumë mësohen në teori. Ka pasur raste që na është dashur me prit 3-4 orë për ta mbajtur provimin për shkak të sallave ose laboratorëve”, ka thënë studentja.

Edhe një ish-studente e biologjisë që, po kështu, foli në kushte anonimiteti, thotë se përveç mungesës së hapësirave, problem kanë qenë edhe kushtet në të cilat janë zhvilluar ushtrimet.

“Ka qenë ftoftë dhe në çdo ushtrim është dashur që qëndrojmë veshur me xhupa e shall, e çfarë ushtrimi dhe çfarë koncentrimi mund të bësh në atë gjendje, kurse ne jemi duke folur për Fakultet të Shkencave. Problem tjetër ka qenë aroma e ranë që është liruar nga preparatet e ndryshme e për shkak të kësaj është dashur t’i mbajmë dritaret hapur... ‘Sallat laboratorike’ kanë qenë ngjitur me tualete që vazhdimisht ka kundërmuar era e rëndë”, ka thënë ajo.

Në fakultet e konfirmojnë gjendjen e rëndë me hapësirat.

Prodekani për Infrastrukturë në FSHMN, Lulzim Millaku, i cili është edhe profesor në Departamentin e Biologjisë, thotë se për 56 vjet, departamentet e kësaj njësie akademike nuk kanë funksionuar në kuadër të një ndërtese të vetme. Sipas tij, kjo ka sjellë vështirësi edhe për zhvillimin e ligjëratave dhe punës kërkimore.

“Sfidat nëpër të cilat kanë kaluar studentët tanë, stafi akademik, kemi pasur edhe pjesën teorike edhe pjesën praktike por laboratorët në ndërtesën të cilën po flasim nuk i kanë plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme për me mujt kërkimi shkencor, hulumtimi e ndoshta edhe pjesa praktike e mësimore me u realizu në kushtet ma të mira”, ka thënë Millaku.

Ai thotë se kjo situatë pritet të ndryshojë vitin e ardhshëm, me zhvendosjen në objektin e ri të FSHMN-së.

“Ndërtesa e re që është duke u ndërtuar i plotëson standardet moderne për laborator, sallat mësimore, amfiteatër duke shtuar këtu se në atë ndërtesë do të pajisemi edhe me disa prej pajisjeve më të reja të cilat do të përdorën për kërkim shkencor, për herë të parë do të kemi mikroskop elektronik, mikroskop konfokal, do të kemi pajise të ndryshme të cilat janë njëjtë edhe nëpër institutet të universiteteve perëndimore”, ka thënë ai.

Ndërtimi i objektit të ri të FSHMN-së ka nisur në janar të vitit 2023, së bashku me objektin e Fakultetit Ekonomik, në hapësirën afër kampusit të Fakultetit Teknik.