Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Arberi

El director del equipo de rugby de Gjakova, Hasan Krasniqi, ha sido destituido.

Hasan Krasniqi

Bordi i Drejtorëve i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Gjakova” ka shkarkuar nga detyra kryeshefin ekzekutiv, Hasan Krasniqi, për shkak të mënyrës se si është trajtuar çështja e një objekti administrativ pranë Digës së Liqenit të Radoniqit, i cili shfrytëzohet nga operatori ekonomik “Liqeni i Dukagjinit”.

Vendimi është marrë në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur dje, me pesë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Sipas Bordit, shkarkimi erdhi pas shqyrtimit të përgjegjësive të kryeshefit, dokumentacionit të kompanisë dhe sqarimeve të tij lidhur me këtë çështje.

Në njoftimin e Bordit thuhet se KRU “Gjakova” ishte urdhëruar, përmes një vendimit të 9 shtatorit, të ndërmerrte masa për ndërprerjen e aktivitetit të restorantit “Liqeni i Dukagjinit”. Sipas Bordit, ankesa ndaj këtij aktvendimi nuk e pezullonte ekzekutimin e tij, prandaj kërkohej që menaxhmenti të vepronte në kohë dhe t'i zbatonte detyrimet që rridhnin nga akti administrativ.

Bordi ka bërë të ditur se, pas shqyrtimit të dokumentacionit, përfshirë kërkesën e kompanisë të vitit 2017, pëlqimin e 2 majit 2017 dhe kontratën e qirasë të 4 prillit 2018, nuk ka identifikuar ndonjë akt të mëvonshëm të organit kompetent që autorizonte shprehimisht përdorimin e objektit për destinimin “Restorant dhe Hotel”, siç përcaktohej në kontratën e qirasë.

Sipas Bordit, shqetësimet e menaxhmentit për pasojat e mundshme kontraktuale dhe financiare ndaj operatorit ekonomik janë marrë në konsideratë, por është vlerësuar se zbatimi i urdhrit administrativ për ndërprerjen e aktivitetit duhej të trajtohej ndaras nga ndërprerja përfundimtare e kontratës së qirasë.

“Bordi ka vlerësuar se masat e ndërmarra nga kryeshefi ekzekutiv nuk kanë qenë të mjaftueshme për trajtimin dhe zbatimin, në kuadër të kompetencave të tij, të detyrimeve që rridhnin nga aktet administrative të ekzekutueshme”, thuhet në njoftim.

E në reagim në profilin e tij në Facebook, Hasan Krasniqi ka thënë se iu kërkua ta ndërpriste kontratën me operatorin ekonomik “Liqeni i Dukagjonit”.

Sipas versionit të tij, Krasniqi kishte kërkuar nga Bordi ose nga aksionari, Ministria e Ekonomisë, një vendim me shkrim që do ta autorizonte ta nënshkruante ndërprerjen e kontratës. Krasniqi pretendon se nëse do ta ndërpriste me vendim të tij mund t'i shkaktonte kompanisë së ujësjellësit pasoja të mëdha juridike dhe financiare.

“Kryesues, unë kam kërkuar dhe po kërkoj edhe tani një vendim nga aksionari (Ministria e Ekonomisë) ose nga ju, Bordi, me vetëm dy rreshta të shkruar dhe po e ndërpres tani menjëherë kontratën”, ka shkruar Krasniqi, duke përshkruar bisedën që, sipas tij, është zhvilluar në mbledhje.

Ai ka pretenduar se kryesuesi i Bordit i kishte kërkuar ta nënshkruante ndërprerjen e kontratës ose të jepte dorëheqje. Krasniqi thotë se ka refuzuar të veprojë pa një vendim të shkruar, pasi kontrata ishte lidhur me vendim të një bordi të mëparshëm.

“Kjo kontratë është bërë me vendim të Bordit nga e kaluara dhe tani duhet të bëhet me vendim Bordi. Pa këtë vendim nga ana juaj, nuk jap dorëheqje dhe nuk e nënshkruaj ndërprerjen e njëanshme të kontratës, për të cilën do të kemi pasoja të mëdha financiare”, ka deklaruar ai.

Krasniqi ka pretenduar se, pas këtij diskutimi, kryesuesi i Bordit e kishte njoftuar për shkarkimin dhe i kishte kërkuar ta lironte sallën. Ai ka shtuar se anëtarët e tjerë të Bordit nuk kishin ndërhyrë në debat.

Në reagimin e tij, Krasniqi ka mbrojtur edhe rëndësinë e restorantit pranë Liqenit të Radoniqit, duke thënë se ai përbën një aset të rëndësishëm për kompaninë dhe për zhvillimin e turizmit në Gjakovë.

Ai ka pretenduar se objekti nuk paraqet rrezik për ndotjen e liqenit, duke iu referuar projektit të sistemit të ujërave të zeza dhe dokumentacionit që, sipas tij, ruhet në arkivin e kompanisë. Krasniqi u shpreh se objekti gjendet në zonën e dytë, ndërsa ujërat e zeza janë të projektuara të derdhen në zonën e tretë. 

“Si kryeshef i KRU ‘Gjakova’ kam mbrojtur dhe do ta mbroj këtë aset të madh të KRU-së dhe bukuri të qytetit tim, të cilën kanë pasur mundësi ta shijojnë njerëz nga e gjithë Kosova”, ka shkruar ai.

Krasniqi qe arrestuar në mars të vitit 2025 nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

E ndërkohë restoranti “Liqeni i Dukagjinit” nuk ka respektuar urdhrat për mbyllje nga ministria përkatëse dhe sipas raportimeve vazhdon ende punën.