Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Arberi

El servicio de atención a pacientes con ictus lleva 7 años fuera de servicio; se abre la licitación para la compra de materiales.

QCC

Shërbimi që synonte t’u ofronte trajtim të shpejtë pacientëve me goditje në tru në QKUK, prej vjetësh vazhdon të mbetet jashtë funksionit. Por pavarësisht mosfunksionalizmit, SHSKUK-ja ka hapur tender afro një milion eurosh për materialet që nevojiten për këto trajtime, i cili është bllokuar nga OSHP-ja, pas ankesës së një operatori ekonomik

Shërbimi që ishte paraparë të trajtonte rastet urgjente neurologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nuk është funksionalizuar plotësisht tash e shtatë vjet.

Në njoftimin e asaj kohe të QKUK-së më 2019, projekti parashihte edhe rinovimin e mjekimit intensiv dhe krijimin e kushteve moderne për trajtimin e pacientëve.

Megjithatë, edhe pse kanë kaluar tashmë shtatë vjet dhe shërbimi ende nuk është funksionalizuar, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka hapur tender në vlerë afro një milion euro për furnizimin me materiale të specializuara për këtë shërbim, i cili shërben për shërimin e pacientëve me goditje në tru.

E sipas njohësit të çështjeve shëndetësore, Bujar Vitia, blerja e materialeve pa u funksionalizuar shërbimi është shqetësuese ngase kjo gjë sipas tij po përsëritet.

“QKUK-ja duhet të sigurojë material që të ketë shërbim të vazhdueshëm, mirëpo nuk duhet të tenderohet dhe të kontraktohet material nëse shërbimi nuk funksionon, sepse kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën. Në vitet 2019-2020 ishte porositur dhe ishte blerë materiali, por i kishte dalë afati pasi që shërbimi nuk funksiononte”, ka thënë Vitia.

Sipas Vitisë, ky shërbim është ndër dështimet më të mëdha të SHSKUK-së.

“Fatkeqësisht, ky shërbim është kthyer në një nga dështimet më të mëdha të SHSKUK-së dhe QKUK-së. Kjo për disa arsye. E para është mungesa e mjaftueshme e stafit specialist, kryesisht radiologë e neurologë, të cilët merren me procedurën e trombektomisë, dhe e dyta është organizimi i punës në ndërrime. Ka filluar si shërbim 24-orësh, por më pas është ndërprerë për disa arsye. Njëra prej tyre ka të bëjë me pagesat. QKUK-ja pati planifikuar të bëjë pagesa të gatishmërisë për mjekët, mirëpo kjo ka qenë e jashtëligjshme, sepse me ligj nuk parashihen pagesa për gatishmëri”, ka thënë tutje gazetari i shëndetësisë.

E tash, përveç që shërbimi nuk funksionon, edhe tenderi për materialet e tij ka mbetur i bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit pas ankesës së një operatori ekonomik.

Operatori ekonomik është ankuar se në ofertë nuk është përfshirë pajisja për largimin e trombit, pra mpiksjes së gjakut që mund të bllokojë qarkullimin në tru dhe të shkaktojë goditje në tru.

Sipas operatorit ankues, pajisjes së ofruar nga kompania e rekomanduar për kontratë i mungon një rrjetë në formë filtri. Kjo pajisje, sipas kërkesave të tenderit, duhet të parandalojë shpërndarjen e mikrotrombeve gjatë procedurës së trombektomisë.

“Dosja e Tenderit nuk ka kërkuar vetëm ekzistimin e një rrjete apo të një strukture mbrojtëse në pjesën distale. Përkundrazi, kërkesa ka qenë e përcaktuar shprehimisht që produkti të përmbajë edhe ‘rrjetën në formë të filtrit’, duke e treguar edhe funksionin konkret që kërkohet të arrihet me të, përkatësisht ndalimin e largimit dhe shpërndarjes së mikrotrombeve. Në faqen e markuar të katalogut të OE-së së rekomanduar askund nuk figuron termi ‘microfiltration’ dhe as ndonjë përshkrim tjetër i prodhuesit që e lidh atë me funksionin e ndalimit të mikrotrombeve”, thuhet në ankesën e operatorit “AGS Corporation”.

KOHA ka dërguar pyetje në SHSKUK për mosfunksionalizimin e këtij shërbimi, furnizimin me materiale dhe situatën me tenderin e bllokuar në OSHP, por nuk ka marrë përgjigje deri të shtunën në mbrëmje.