Qytetarët e Serbisë po u drejtohen kutive të votimit këtë të diel, më 25 tetor, për zgjedhje të tjera të parakohshme parlamentare – të tretat në pesë vjetët e fundit. Në to, një lëvizje studentore e dalë nga një nismë qytetare do të synojë t’i japë fund pushtetit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit dhe Partisë Përparimtare Serbe (SNS).
Sipas të dhënave të para të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), deri në orën 09:00 kanë votuar 12 për qind e votuesve, krahasuar me 5,2 për qind në të njëjtën orë në zgjedhjet e vitit 2023. Ky vlerësim bazohet në të dhënat nga 750 vendvotime.
CeSID-i njoftoi se deri në orën 09:00 janë raportuar më shumë se 70 parregullsi gjatë votimit.
Sipas kësaj organizate, janë evidentuar raste të fotografimit të fletëvotimeve, përdorimit të telefonave, votimit jashtë kabinave dhe votimit familjar, përfshirë një raportim se një votues ka votuar në emër të një personi tjetër.
Janë raportuar gjithashtu përplasje mes anëtarëve të këshillave të vendvotimeve, ndërprerje të përkohshme të votimit, incidente dhe kërcënime ndaj votuesve, si dhe probleme me materialin zgjedhor dhe verifikimin e votuesve.
“Veçanërisht shqetësues është pengimi i qasjes së vëzhguesve. Në disa vendvotime, vëzhguesve nuk u është lejuar qasja, ndaj duhet të kontaktojmë autoritetet përgjegjëse dhe të ndërhyjmë që ata të mund ta kryejnë punën e tyre”, tha CeSID-i.
Vendvotimet janë të hapura nga ora 07:00 deri në orën 20:00, ndërsa të drejtë vote kanë 6.450.523 qytetarë. Votimi po zhvillohet në 8.392 vendvotime, prej të cilave 93 ndodhen jashtë vendit.
Vuçiq dha dorëheqje nga posti i presidentit në fund të shtatorit. Meqë nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë, ai tani synon të bëhet kryeministër, post që e mbajti nga viti 2014 deri kur u zgjodh president, më 2017.
Megjithatë, fushata zgjedhore është shoqëruar me shqetësime gjithnjë e më të mëdha se mund të ketë manipulime zgjedhore.
Zgjedhjet po ndiqen nga afër nga Bashkimi Evropian, i cili e ka kritikuar Serbinë për prapakthim në demokraci nën udhëheqjen e Vuçiqit./REL