Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës të premten ka miratuar unanimisht Deklaratën Politike prej tri pikash, përmes së cilës është kërkuar ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara, mbështetje e pakufizuar financiare nga institucionet për mbrojtjen juridike, si dhe është ofruar përkrahje për organizimet popullore kundër vendimeve të padrejta në Hagë.
KD i PDK-së në deklaratë e kundërshton aktgjykimin thellësisht të padrejtë dhe tendencioz ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, si dhe çdo interpretim që cenon karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së apo që krijon barazime ndërmjet luftës së popullit të Kosovës për liri dhe politikës shtetërore të represionit, vrasjeve, dëbimit dhe dhunës së regjimit serb.
Deklarata e plotë e KD të PDK-së:
DECLARACIÓN POLÍTICA
Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, i mbledhur pas aktgjykimit të padrejtë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe përballë situatës së rënduar politike e institucionale në vend, ka diskutuar për gjendjen e krijuar dhe për përgjegjësitë që burojnë në këtë periudhë kritike për Kosovën.
Këshilli Drejtues e kundërshton aktgjykimin thellësisht të padrejtë dhe tendencioz ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe kërkon që drejtësia të jetë e paanshme dhe e pandikuar politikisht.
Në të njëjtën kohë, PDK kundërshton kategorikisht çdo interpretim që cenon karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së apo që krijon barazime ndërmjet luftës së popullit tonë për liri dhe politikës shtetërore të represionit, vrasjeve, dëbimit dhe dhunës së regjimit serb.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë, e cila u zhvillua në aleancë politike dhe strategjike me botën demokratike dhe përfundoi me përkrahjen e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës.
PDK-ja do të vazhdojë t’i mbështesë me të gjitha mjetet demokratike, institucionale dhe juridike, përpjekjet për drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre.
Njëkohësisht, PDK-ja do të angazhohet për mbrojtjen, dokumentimin dhe afirmimin e së vërtetës historike për luftën tonë çlirimtare.
Për këto arsye, Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës kërkon:
1. Shqyrtimi institucional i kornizës ligjore të Dhomave të Specializuara
Kërkojmë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që ta votojë Projektligjin e dorëzuar nga PDK-ja me plotësimet dhe ndryshimet e propozuara për Ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe të shqyrtohet legjislacioni dhe marrëveshjet relevante që lidhen me funksionimin e këtij mekanizmi.
Ky shqyrtim duhet të vlerësojë mundësitë kushtetuese dhe ligjore për forcimin e garancive procedurale, transparencës dhe përgjegjshmërisë institucionale.
Institucionet e Kosovës kanë jo vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësinë që të shqyrtojnë funksionimin e kuadrit juridik që vetë Republika e Kosovës e ka miratuar dhe, aty ku ekziston bazë kushtetuese dhe ligjore, të propozojnë ndryshimet e nevojshme.
Pavarësia e drejtësisë duhet të respektohet plotësisht. Por, pavarësia nuk përjashton transparencën, standardet e gjykimit të drejtë dhe përgjegjshmërinë institucionale.
2. Mbështetje të plotë institucionale për mbrojtjen juridike dhe procesin gjyqësor në Apel
Kërkojmë nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës që, në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe institucionale, të sigurojnë dhe garantojnë mbështetjen e pakufizuar financiare, profesionale dhe teknike për ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në procedurat e mëtejme juridike. Mbrojtjes duhet t'i krijohen kushtet për ushtrimin e plotë dhe efektiv të të gjitha të drejtave procedurale.
Procesi gjyqësor në Hagë ka rëndësi jetike për Kosovën, për lirinë e popullit tonë, pavarësinë e shtetit tonë dhe shtetndërtimin e deritashëm. Prandaj, institucionet e Kosovës duhet të angazhohen edhe përmes diplomacisë shtetërore dhe komunikimit me partnerët ndërkombëtarë, për respektimin e standardeve më të larta dhe sigurimin e një procesi të drejtë në procesin gjyqësor të Apelit.
3. Mbështetje për organizimet popullore kundër vendimeve të padrejta në Hagë
Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës mbështet organizimin e protestave popullore si shprehje e pakënaqësisë me vendimet e padrejta e të motivuara politikisht të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Prandaj, PDK fton të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në këto protesta
PDK kërkon unitet dhe organizim në këtë përpjekje të përbashkët për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike për luftën tonë çlirimtare.