Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Arberi

La declaración de Trendafilova sobre los "juicios justos e imparciales" de la Sala Especial provoca reacciones.

Ekaterina Trendafilova

Ka nxitur reagime në Kosovë deklarata e kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, se Gjykata Speciale është e “fokusuar në përmbushjen e mandatit për drejtësi të pavarur”.

Vlora Çitaku, sekretare e Partisë Demokratike të Kosovës, i ka reaguar Trendafilovës duke thënë se videoadresimi nuk i mbulon padrejtësitë e gjykatës.

“Nën drejtimin tuaj, Specialja e ka cenuar rëndë besimin në drejtësi. Një proces i padrejtë, mungesë transparence, llogaridhënie e pamjaftueshme dhe mangësi serioze në mbikëqyrje. Shqetësimet e ekspertëve ndërkombëtarë për barazinë e palëve, shkeljen e të drejtave të njeriut dhe monitorimin e pavarur kërkojnë përgjigje konkrete. Ju na ofroni deklarata vetëlavdëruese. Pavarësia nuk ju vendos mbi ligjin. Prejardhja ndërkombëtare e gjyqtarëve nuk është certifikatë pagabueshmërie. As titujt, as betimet dhe as videot nuk e zëvendësojnë profesionalizmin dhe drejtësinë që duhet të dëshmoni në vendimet tuaja”, ka shkruar ajo.

Çitaku ka thënë se Trendafilova ka edhe përgjegjësi personale për mungesë transparence.

Ajo ka thënë se Kosova nuk do të pranojë vendime “kur bëhet krim kundër vetë drejtësisë”.

“Kosova nuk do të heshtë dhe as do të ndalet. Do ta mbështesim mbrojtjen e çlirimtarëve në apel dhe do ta kundërshtojmë çdo padrejtësi me të gjitha mjetet ligjore e institucionale. Kërkojmë drejtësi për çlirimtarët! Sepse padrejtësia nuk bëhet drejtësi vetëm pse shqiptohet në Hagë. Kur shkelen të drejtat dhe pushteti gjyqësor ushtrohet pa llogaridhënie, kemi të bëjmë me një krim kundër vetë drejtësisë. Dhe këtë nuk do ta pranojmë, nuk do ta heshtim dhe nuk do ta lëmë pa e sfiduar!”, ka shkruar Çitaku.

Ndërkaq Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka cilësuar qesharake deklaratën e Trendafilovës.

“Të pretendosh se një gjykatë ka të drejtën e zgjedhjes së ligjit që rregullon veprimtarinë e saj, është jo vetëm e çuditshme, por edhe qesharake. Këto pretendime i lexuam në komunikatën e znj. Trendafilova. Zonja në fjalë, duhet të dijë se në Kosovë, ligjet i miraton Kuvendi. Vet Dhomat e Specializuara ekzistojnë sepse u krijuan nga Kuvendi, andaj ato nuk kanë pushtet mbi institucionin që i themeloi. Trendafilova duhet ta dijë se t'i mbash leksione Kuvendit për sundimin e ligjit, përderisa e trajton interpretimin personal si të padiskutueshëm, është arrogancë”, thuhet në reagim të OVL-së së UÇK-së.

Në një video-adresim të hënën, Trendafilova tha se prej themelimit kjo gjykatë ka qenë cak i informacionit të rremë për pavarësinë dhe funksionimin e institucionit.

“Dhomat e Specializuara janë institucion gjyqësor me mandat të përcaktuar në Shkëmbimin e Letrave, Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Gjykata është e fokusuar në garantimin e proceseve penale të sigurt, të pavarur, të paanshëm, të drejtë dhe efikasë e njëkohësisht në mbrojtjen e fuqishme të dëshmitarëve dhe viktimave.  Në kundërshtim me informacionin e rremë në lidhje me Gjykatën që shpërndahet vazhdimisht, Dhomat e Specializuara garantojnë të drejtat për gjykim të drejtë për të akuzuarit në pajtim me standardet e njohura ndërkombëtare”, ka thënë ajo ndër të tjerash në video duke shtuar se gjyqtarët në këtë gjykatë janë nga shtete të Bashkimit Evropian e se ata detyrat i kryejnë “në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të ndërgjegjshme, në shërbim të drejtësisë dhe sundimit të ligjit”.

Sipas saj, gjykatësit i zbatojnë konventat ndërkombëtare të përmendura në Kushtetutën e Kosovës.

Trendafilova ka thënë se rishikimi i vendimeve gjyqësore bëhet përmes apelimeve. Ajo po ashtu ka thënë se “askush nuk mund t’u diktojë gjykatësve se si ta interpretojnë dhe zbatojnë ligjin”.

“Si institucion gjyqësor i pavarur, Dhomat e Specializuara ushtrojnë mandatin e tyre pa konsiderata, preferenca, ndikim ose ndërhyrje politike. Dhomat e Specializuara i përmbahen me vendosmëri angazhimit për ruajtjen e standardeve ndërkombëtare më të larta gjatë kryerjes së mandatit që u është besuar me pritshmërinë se të gjithë palët e angazhuara do të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse për të garantuar sundimin e ligjit”, ka shtuar ajo.

Reagimi i Trendafilovës pasoi vendimin e Kuvendit të Kosovës për ndryshime në Ligjin për Specialen, me qëllim të kufizimit të mandatit në kohë, territor e në lëndë.

Kuvendi e mori vendimin pas dënimit të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi me 81 vjet burgim nën akuzat për krime lufte.