Apoya a TIME. Preserva la verdad.
Arberi

Nueve mil permisos de residencia para ciudadanos extranjeros en 2025, cinco mil para empleo.

el taller

Mbi 9 mijë shtetas të huaj kanë marrë leje qëndrimi në Kosovë gjatë vitit 2025. Më shumë se 5 mijë prej tyre janë pajisur me leje për arsye punësimi. Në kohën kur Kosova po humb fuqi punëtore për shkak të emigrimit, tregu i saj i punës po plotësohet gjithnjë e më shumë nga punëtorë të huaj. Në Odën Ekonomike të Kosovës këtë situatë e konsiderojnë paradoks të tregut të punës

Rreth 9.000 shtetas të huaj janë pajisur me leje qëndrimi në Republikën e Kosovës gjatë vitit të kaluar. 8.801 prej këtyre lejeve ishin për qëndrim të përkohshëm, ndërsa 241 për qëndrim të përhershëm.

Shtetasit nga Turqia prijnë me numrin më të lartë - 3.263 leje për qëndrim të përkohshëm. Pasojnë shtetasit e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe të tjera.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, 5.087 leje ishin me qëllim punësimi. Ky numër sipas Ministrisë, është dyfishuar nga viti 2021, kur ishin 2.122 leje për të njëjtën arsye.

Kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, ka thënë se Kosova po përballet me një paradoks të tregut të punës për të plotësuar vendet e punës që ekonomia vendore nuk po arrin t’i mbulojë.

“Kosova po përballet me një paradoks të tregut të punës për të plotësuar vendet e punës që ekonomia vendore nuk po arrin t’i mbulojë, në anketa periodike nga OEK-u dhe të tjera, evidentohet se një prej barrierave për bizneset është mungesa e stafit me shkathtësi adekuate. Kjo e dhënë rezulton shqetësuese dhe rrit nevojën për zhvillimin e programeve të trajnimit dhe rekrutimit për të përmirësuar bazën e stafit me aftësi të nevojshme. Institucionet duhet të ndërmarrin veprime paralele që njëkohësisht të mbajnë fuqinë punëtore aktuale, aktivizimin e fuqisë joaktive, kthimin dhe zhvillimin e aftësive profesionale”, ka thënë ai.

Teksa Kosova po humb fuqi punëtore për shkak të emigrimit në shtetet e BE-së, në të njëjtën kohë, po importon fuqi punëtore nga shtetet e huaja.

Sipas Institutit GAP, sektori privat po fokusohet gjithnjë e më shumë në tërheqjen e punëtorëve të huaj për shkak të mungesës së fuqisë punëtore vendore, ndërsa sektorët që po përballen më së shumti me mungesë të punëtorëve janë ndërtimtaria, tregtia, hoteleria e gastronomia dhe prodhimtaria.

Demografi Besim Gollopeni vlerëson se kjo dukuri prek veçanërisht popullsinë e re dhe fuqinë punëtore.

“Emigrimi i qytetarëve të Kosovës është një fenomen i përhapur ndër vite, i cili prek veçanërisht popullsinë e re dhe fuqinë punëtore. Në këtë kontekst, emigrimi ka kontribuar në zvogëlimin e numrit të popullsisë së re dhe të asaj në moshë pune, duke krijuar debalancime moshore dhe gjinore, veçanërisht për shkak të përfshirjes së konsiderueshme të të rinjve dhe personave në moshë aktive”, ka thënë ai.

Sipas të dhënave të MPB-së, nga lejet e lëshuara, për arsye familjare, janë rreth 3 mijë, ndërsa për studime 641 leje.